Numri i fetvasë: 10 NGRITJA E DUARVE GJATË RUKUSË
Kategoria: RUKUJA DHE NGRITJA PREJ SAJ
3 469 shfletues/klikues NGRITJA E DUARVE GJATË RUKUSË
Pyetje: NGRITJA E DUARVE GJATË RUKUSË
Kur biem në ruku duke thënë Allahu Ekber, a i ngrejmë duart si në fillim të namazit?
Përgjigjja: NGRITJA E DUARVE GJATË RUKUSË
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!
Pikë së pari duhet të dimë se të gjithë juristët muslimanë janë të mendimit se ngritja e duarve në namaz është një veprim mustehab1 (qoftë edhe në tekbirin fillestar2), lënia e të cilit nuk e dëmton namazin.
Për ngritjen e duarve paralel me supet: kur marrim tekbirin fillestar, kur biem në ruku3 dhe ngrihemi prej saj, si dhe kur ngrihemi nga teshehudi (ulja) e parë e namazeve me më shumë se dy rekate4; ka hadithe (transmetime profetike) të shumta autentike (të vërteta)5.
Gjithsesi, nuk është e udhës që çështje si kjo e ngritjes së duarve në namaz dhe ngjashëm, të cilat i përkasin çështjeve të pëlqyeshme, të bëhen shkak për grindje dhe përçarje mes mulismanëve. Pikërisht në lidhje me këtë realitet, dijetari i shquar Ibn Bazi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë:
“Nëse personi është mes njerëzve që nuk i ngrejnë duart dhe nuk bëjnë “amin” me zë (në namaz), më parësore është që të mos e bëj këtë, me qëllimin e fitimit të zemrave të tyre, që t’i ftojë ata në mirësi, t’i mësojë, orientojë dhe të përmirësojë mes tyre. Përndryshe, nëse vepron ndryshe nga ata, ata nuk kanë për ta miratuar, duke qenë se ata shohin se feja është që duart të mos ngrihen përveçse në tekbirin fillestar dhe me këtë frymë kanë jetuar me dijetarët e tyre… Edhe pse e sakta është se e tillë gjë është mustehab (e pëlqyeshme) dhe lënia e saj përbën lënie të një çështje të pëlqyeshme, sërish besimtari (musliman) nuk vepron çfarë shpie në krisje, grindje dhe përçarje, por besimtari dhe thirrësi (ftuesi) te Allahu i Lartmadhëruar, e lë mënjanë atë që është e pëlqyeshme, po qe se kjo lënie angazhon arritjen e dobive më të mëdha. I këtij konteksti është rasti sesi Profeti (Paqja qoftë mbi të!) e la rindërtimin e Qabes sipas themeleve mbi të cilat e kishte ndërtuar Ibrahimi (Paqja qoftë mbi të!), duke u shprehur se Kurejshët (mekasit) sapo e kishin lënë pas mosbesimin, prandaj e la Qaben siç ishte dhe nuk e ndryshoi, për hir të interesit të përgjithshëm.”6
Allahu e di më mirë. NGRITJA E DUARVE GJATË RUKUSË
Ju ftojmë ta shpërndani këtë postim, që të përhapet dobia e tij dhe së bashku të marrim shpërblimin e publikuesit të fjalës së mirë.
_____ NGRITJA E DUARVE GJATË RUKUSË
NGRITJA E DUARVE GJATË RUKUSË
- Mustehab: Veprim i pëlqyeshëm, kryerja e të cilit shpërblehet fetarisht dhe lënia e tij nuk ndëshkohet. ↩
- Tekbiri fillestar: Thënia “ALL-LLAAHU EKBER/Allahu është më i Madhi”, në çelje të Namazit. ↩
- Ruku: Përkulje; një pozicion i njohur i faljes së namazit, ku trupi qëndron paralel me tokën. ↩
- Rekat: Njësia e namazit që fillon me qëndrimin në këmbë dhe mbaron me dy sexhdet. ↩
- El-Bukhari 737, Muslimi 390, Ebu Daudi 730 etj.; Albani dhe Shuajb Arnauti kanë thënë se transmetimi tek Ebu Daudi është sahih/i vërtetë. ↩
- http://binbaz.org.sa/fatawa/4430. ↩