JETA E VËRTETË

DEBAT ME DEFORMUESIT E CILËSIVE HYJNORE

Kundërpërgjigjja ndaj mohuesve të disa prej emrave dhe cilësive të përsosura hyjnore?

Debati mes pohuesit të të gjitha cilësive hyjnore të ardhura në Kuran dhe Traditën Profetike (me arsyetimin se pohimi i tyre nuk nxjerr si domosdoshmëri trupëzimin/gjymtyrizimin e Zotit dhe përngjasimin e Tij me krijesën) dhe mohuesit të disa prej këtyre cilësive hyjnore (me arsyetimin se pohimi i tyre nxjerr si domosdoshmëri trupëzimin/gjymtyrizimin e Zotit dhe përngjasim e Tij me krijesën), ka rrjedhën në vijim:

– (Pohuesi) Ajo që unë them për pohimin që u bëj të gjitha cilësive dhe emrave hyjnorë që Kurani dhe Tradita Profetike ia ka cilësuar Allahut të Madhëruar, është si ajo që thua ti për ato cilësi që pohon.

– (Mohuesi) Unë nuk i pohoj lartësimin hyjnor,  fytyrën hyjnore, qëndrimin hyjnor mbi Arsh etj., në kuptimin e tyre të drejtpërdrejtë, sepse e tillë gjë përbën felëshim, pasi nxjerr si domosdoshmëri ose shtron si hipotezë, trupëzimin/gjymtyrizimin e Zotit dhe përngjasimin e Tij me krijesën, duke qenë se ai që cilësohet kësisoj nuk është e logjikshme që të jetë tjetër përveçse trup (substancë e krijuar).

– (Pohuesi) Nuk ka absurditet dhe pavërtetësi më të madhe, se të konsiderohet qoftë edhe një prej kuptimeve të drejtpërdrejta të teksteve hyjnore, rrjedhojë kategorike (e prerë) apo hipotetike (e hamendshme), për rënien në felëshim a përngjasim të Krijuesit me krijesën; e lëre më të thuhet kjo për qindra kuptime të drejtpërdrejta të Kuranit dhe Traditës Profetike… Gjithsesi, është fakt se ti i pohon për Zotin cilësitë e vetvetes, jetës, diturisë, aftësisë, dëgjimit, vështrimit, të folurit dhe vullnetit, edhe pse bazuar në supozimin tënd, i cilësuari me cilësitë e mësipërme nuk është e logjikshme të jetë tjetër përveçse trup. Përderisa është e justifikueshme për ty që t’i pohosh këto cilësi duke thënë se “i cilësuari me to nuk është trup”, pse të mos jetë e justifikueshme edhe për mua ajo që është e justifikueshme për ty, pra pse të mos jetë e justifikueshme për mua që t’i pohojë fytyrën hyjnore apo qëndrimin hyjnor mbi Arsh, nën konsideratën (arsyetimin) se “i cilësuari me to nuk është kurrsesi trup”.

Sikurse të lejohet ty të thuash se Zoti ka vetvete (hyjnore), por ajo nuk është si e krijesës dhe nuk angazhon që Ai të jetë trup (substancë e krijuar), ka jetë (hyjnore) por ajo nuk është si e krijesës dhe nuk angazhon që Ai të jetë trup (substancë e krijuar) etj., ashtu edhe mua më lejohet të them se Zoti ka cilësi veprore (hyjnore) por jo si ato të krijesës dhe kjo nuk angazhon që Ai të jetë trup (substancë e krijuar), ka fytyrën e Tij (hyjnore) por jo si fytyra e krijesës dhe kjo nuk angazhon që Ai të jetë trup (substancë e krijuar), qëndron mbi Arsh (Fronin hyjnor) por jo si qëndrimi dhe lartësimi i krijesës dhe kjo nuk angazhon që Ai të jetë trup (substancë e krijuar) etj.

– (Mohuesi) Cilësitë që pohoj unë janë kuptime, kurse ato që pohon ti janë njësi (pjesë/gjymtyrë të krijuara).

– (Pohuesi) Është e vërtetë se cilësitë hyjnore që ti i pohon, si: kënaqësia (hyjnore), zemërimi (hyjnor), dashuria (hyjnore) dhe urrejtja (hyjnore) janë kuptime, por ndërkaq ti pohon për Zotin cilësitë hyjnore, si: dëgjimi (hyjnor), vështrimi (hyjnor) dhe të folurit (hyjnor), të cilat janë dukuri (efekte) që (logjikisht) nuk mund të bëhen fakt i kryer përveçse në prani të trupit (substancës).

Përderisa është i justifikueshëm për ty pohimi i këtyre cilësive hyjnore [(dëgjimit (hyjnor), apo vështrimit (hyjnor), apo të folurit (hyjnor)], ndonëse ato (në të drejtën e Zotit) nuk janë dukuri (efekte të krijuara) dhe vatra e tyre nuk është trup (substancë e krijuar), po kështu edhe për mua është e justifikueshme t’i pohojë cilësitë si dora (hyjnore), fytyra (hyjnore), lartësimi hyjnor mbi Arsh, ndonësë ato (në të drejtën e Zotit) nuk janë njësi (pjesë/gjymtyrë të krijuara) dhe vatra e tyre nuk është trup (substancë e krijuar).

Sikurse të lejohet ty të thuash Zoti kënaqet, por kënaqësia e Tij nuk është si ajo e krijesës dhe nuk angazhon që Ai të jetë trup (substancë e krijuar) etj., dëgjon por dëgjimi i Tij nuk është si ai i krijesës dhe nuk angazhon që Ai të jetë trup (substancë e krijuar), vështron por vështrimi i Tij nuk është si ai i krijesës dhe nuk angazhon që Ai të jetë trup (substancë e krijuar) etj., ashtu edhe mua më lejohet të them se Allahu ka cilësi veprore por jo si ato të krijesës dhe kjo nuk angazhon që Ai të jetë trup (substancë e krijuar), qëndron mbi Arsh (Fronin hyjnor) por jo si qëndrimi i krijesës dhe kjo nuk angazhon që Ai të jetë trup (substancë e krijuar), ka fytyrë por jo si ajo e krijesës dhe kjo nuk angazhon që Ai të jetë trup (substancë e krijuar), ka dorë por jo si ajo e krijesës dhe kjo nuk angazhon që Ai të jetë trup (substancë e krijuar) etj.

– (Mohuesi) Thënia jote se Zoti është lart nënkupton anë (vendndodhje), kurse ne themi se ciësia e lartësisë për Zotin nuk ka ardhur në kuptimin e anës (vendndodhjes) por ka ardhur në kuptimin e pozitës, pasi ana (vendndodhja) nënkupton se Ai është i kufizuar dhe e njëjta vlen edhe për thënien tuaj se Allahu qëndron mbi Arsh (Fronin hyjnor).

– (Pohuesi) Më sipër u cek se ti pohon cilësinë e të folurit (hyjnor), dëgjimit (hyjnor), vështrimit (hyjnor) apo ngjashëm, nën konsideratën se një gjë e tillë nuk është si tek krijesa dhe nuk angazhon trupëzim dhe as gjymtyrizim të Zotit.

Përderisa është i justifikueshëm për ty pohimi i këtyre cilësive hyjnore [të folurit (hyjnor), dëgjimit (hyjnor), vështrimit (hyjnor) apo ngjashëm], po kështu edhe mua më lejohet të them se Allahu është lart por jo me kuptimin e lartësisë në botën e krijesave dhe kjo nuk angazhon që Ai të jetë trup (substancë e krijuar).

Për më tepër teksti hyjnor që përmend se Allahu është në qiell, me këtë synon qiellin si nocion (kuptim) kategorik kontekstual të lartësisë maksimale, të pa kushtëzuar me anë (vend) të caktur, kuptim ky që shprehet më së miri me simbolikën artikuluese “në qiell” dhe simbolikën trupore të ngritjes së duarve kah qiellit kur i drejtohemi Zotit me lutjet tona. Madje edhe ne shqiptarët e kemi në gjuhën tonë këtë kuptim, siç ndodh me dikë prej nesh kur e shpreh gjendjen e optimizmit të tij me fjalët: “Optimizmi im është në qiell”,- ku nuk synohet se optimizmi i tij është maksimalisht lart, në nocionin e lartësisë së zhveshur nga kuptimi i anës (vendndodhjes).

Po kështu fakti se teksti hyjnor në fjalë nuk synon se Zoti është në një lartësi që i përket botës së krijesave, vërtetohet qartë me argumentin se të vetmet tekste hyjnore që përmendin ngritjen apo lartësimin e Allahut mbi një krijesë, janë tekstet hyjnore ku vjen ngritja (lartësimi, ngjitja apo qëndrimi) i Allahut mbi Arshin (Fronin) e Tij, i cili përbën përfundimin e botës së krijesave të krijuar prej Zotit dhe përtej të cilit nuk ka asgjë përveç Zotit.

Pastaj ti si mohues, je i mendimit se me lartësimin e përmendur në tekstet hyjnore, bëhet fjalë për lartësimin në aspektin e pozitës dhe kurrsesi për atë në aspektin e anës (vendndodhjes). Nëse është vërtet kështu, çfarë të reje ka shtuar kjo cilësi që i cilësohet Allahut në qindra tekste hyjnore kuranore dhe profetike?! Pastaj si ka heshtur Kurani, Profeti (Paqja qoftë mbi të!), sahabët, dy gjeneratat e arta pas tyre dhe imamllarët elitarë muslimanë ndjekës të metodës së këtyre tre gjeneratave, karshi këtij realiteti thelbësor të besimit islam, derisa erdhët ju ta korrigjonit kombin islam nga ky “devijim i tmerrshëm”, pas disa qindra viteve… Nuk do të ishte fare e vështirë që në tekstet hyjnore të ishte cekur se kemi të bëjmë me lartësinë hyjnore të pozitës apo që cilësitë hyjnore të interpretuara prej jush të vinin në tekstet hyjnore drejtpërsëdrejti në ato kuptime të tërthorta alegorike që ju pretendoni.

A nuk përbën sa më sipër akuzë të rëndë për shpalljen hyjnore dhe tre gjeneratat e arta muslimane?! Përndryshe, na sillni qoftë edhe një tekst të vetëm prej këtyre gjeneratave ku të jetë thënë se në këto qindra tekste hyjnorë bëhet fjalë për lartësinë hyjnore në aspektin e pozitës, për të mos u kërkuar të na sillni transmetime kategorike konsensuale (të transmetuara dhe kuptimore) të cilat janë kusht për themelimin e thelbeve apo bazave të besimit, siç është besimi në emrat dhe cilësitë e bukura të përsosura të Zotit. A nuk pretendoni ju se besimi duhet ndërtuar vetëm mbi baza konsensuale kategorike (të transmetuara dhe kuptimore)?!

Në fakt, kuptimet e tërthorta që ju jepni për cilësitë hyjnore konkrete të sipërpërmendura, nuk marrin parasysh dendësinë, kthjelltësinë, shtjellimin dhe realitetin e përforcuar të drejtpërdrejtë të këtyre cilësive hyjnore të Zotit, të fiksuar në qindra tekste hyjnore dhe as i përmbahen kontekstualitetit kuptimor të teksteve hyjnore, komentimeve shpjeguese të tre gjeneratave të para të arta muslimane dhe kontekstualitetit kuptimor të gjuhës arabe.

– (Mohuesi) Thënia juaj se Allahu qëndron mbi Arsh do të thotë se Ai gjendet në një vendndodhje (hapësirë) dhe duke qenë se vendi është i kufizuar nga gjashtë dimensionet (anët) e njohura (para, mbrapa, lart, poshtë, majtas dhe djathtas), kjo angazhon që edhe i gjenduri në të, të jetë i kufizuar.

– (Pohuesi) A mos po do të thuash se mbi Arsh ekziston koncepti (kuptimi) gjashtë dimensional i vendit (hapësirës)?! Siç u tha më sipër, kur ne themi se Zoti është lart mbi Arshin e Tij, me këtë nënkuptojmë se me Arshin ka përfunduar bota e krijesave e krijuar prej Zotit dhe përtej kësaj nuk ka gjë përveç Zotit. Kësisoj nuk ka vend për t’u frikësuar se kur themi Zoti është mbi Arsh, po biem në realitetin gjashtë dimensional të vendit (hapësirës); pasi tanimë nuk kemi të bëjmë me hapësirë gjashtëdimensionale, kohë të limituar, trup apo gjymtyrë të krijuar, vete dhe cilësi të perceptueshme etj., por tanimë flitet për Vetveten hyjnore dhe emrat e bukur dhe të përsour me të cilat Zoti na e ka shpalosur Veten e Tij përmes fjalës së Tij, Kuranit  famëlart dhe Profetit të Tij (Paqja qoftë mbi të!); flitet për jetën (hyjnore), diturinë (hyjnore), aftësinë (hyjnore), vullnetin (hyjnor), kënaqësinë (hyjnore), zemërimin (hyjnor), dashurinë (hyjnore), urrejtjen (hyjnore), dëgjimin (hyjnor), vështrimin (hyjnor), të folurin (hyjnor), sikundër flitet për cilësitë vepruese (hyjnore), fytyrën (hyjnore), dorën (hyjnore), lartimin apo ngritjen (hyjnore) mbi Arsh (Fronin hyjnor), si dhe për të gjithë emrat dhe cilësitë e tjera të Zotit, të cilat Ai na i ka shpalosur përmes Kuranit dhe Traditës Profetike, por edhe për ato që nuk na janë shpallur dhe që i di vetëm Zoti vetë, i Dëlirë dhe i Lartmadhëruar është Ai nga çfarë i përshkruhet padrejtësisht.

– (Mohuesi) Ne nuk pohojmë që prej Zotit të ndodhin cilësi veprore (hyjnore) të reja, sepse e tillë gjë nxjerr si domosdoshmëri që veprimet e Zotit të jenë krijesa më vete dhe t’i nënshtrohen ndodhisë (të jenë të krijuara); së këtejmi i bie që vepruesi i tyre të jetë i krijuar si ato dhe të mos jetë amshimisht i përhershëm?

– (Pohuesi)  Cilësitë veprore (hyjnore) të reja, ne nuk i pohojmë nën konsideratën se ato janë krijesa më vete apo gjenden jashtë Vetvetes hyjnore të Zotit, por i pohojmë si veprime të sojit të amshueshmërisë që i realizon Vetvetja e amshueshme e Zotit, sipas vullnetit, zotësisë dhe gjithë/plotfuqishmërisë së Tij, kur, si dhe me se do Zoti, sepse Ai është i gjithëfuqishëm për çdo gjë që do dhe kryen atë që do. Përndryshe, nëse do shpreheshim kundër kesaj, kjo s’ka dyshim se me hir ose pahir, përbën limitim të plotë/gjithëfuqishmërisë dhe vullnetit hyjnor të Zotit.

Këto veprime hyjnore (apo cilësi veprore hyjnore) përbëjnë shkaqet e ngjarjeve që i bën Allahu i Madhëruar të ndodhin në botën ekzistenciale të krijesave. Allahu i Madhëruar ka qenë dhe është amshueshmërisht kryes i asaj që Ai do dhe ndodhia e veprimeve të Tij të vullnetshme të herëpashershme nuk përbën asnjë cenim për Të.

Së fundi, na mbetet të shtrojmë pyetjen: A sa u përmend më lartë nga ne pohuesit është më në përputhje me natyralitetin njerëzor, apo sforcimi i mohuesve përmes cilësimit të Zotit se Ai: nuk është as brenda botës dhe as jashtë saj, as në të majtë të botës dhe as në të djathtë të saj, as sipër botës dhe as poshtë saj, as pas botës dhe as para saj… dhe të tjera filizofi kuturu të kësaj natyre?

Sa u tha më sipër në gjuhën e pohuesit të të gjitha emrave dhe cilësive hyjnorë të përmendura në Kuran dhe Traditën Profetike, besojmë se e kthjellon bindshëm thjerrëzën e këtij subjekti. Përndryshe përpilimet e eruditëve elitarë – dijetarëve muslimanë që në mbrojtjen e teksteve hyjnore nga fenomeni intrigant i interpretimit të tyre jashtë kontekstit, i takojnë tre gjeneratave të para të arta muslimane apo atyre të mëvonshme që kanë ndjekur metodën e tre të parave – janë vërtet të shumta dhe përbëjnë një fortifikatë blinduese mbrojtëse nga të gjitha përpjekjet, me hir ose pahir, për të devijuar kuptimet e drejtpërdrejta të teksteve hyjnore dhe privuar natyralitetin human prej tyre.

Për më shumë ju rekomandojnë të vizitoni linqet e mëposhtme:

KUPTIMI ALEGORIK-FIGURATIV NË KURAN

KUPTIMI I QËNDRIMIT TË ALLAHUT MBI ARSH

MENDIMI I EBU HANIFES RRETH ISTIUASË

PYET NËSE ËSHTË APO JO ZOTI TRUP

PASIMI I SAHABËVE TË RUAN NGA DEVIJIMI

________

Përgatiti: Altin Torba

Referencat janë përshtatur nga burimet në vijim: Ibn Tejmije, Der’u Tea’rudi El-Akli Uen Nakli, v. 1, f. 127-128, v. 2, f. 5; Nasirudin El-Albani, material audio, burimi: youtube.com/watch?v=azyTv0Hydhk; Sefer El-Hauali, Menhaxhu El-Eshai’ra Fil Akide, f. 122, si dhe materiale të ndryshme nga portalet “islamweb.net”, “islamqa.info”, “dorar.net” etj.

Shpërndajeni Fjalën e Mirë:
↓
Scroll to Top