QËLLIMI, METODA DHE REFERIMI I PORTALIT
Qëllimi:
Që njeriu të ketë ambicie dhe pasione, nuk ka asnjë problem, por e gjithë çështja qëndron tek mënyra sesi njeriu i ndërton dhe jetëson ato…
Pikërisht për këtë, Krijuesi solli sheriatin (ligjin islam), i cili përmes dispozitave (rregullave) që na mëson, na ndihmon t’i kanalizojmë më së miri ambiciet dhe pasionet tona, drejt dëlirjes së kësobotshme, e cila na kualifikon për të bërë një jetë të denjë në këtë botë e na përgatit për të fituar “nështetësinë parajsore” dhe jetuar në Parajsë/Xhenet, ku jetohet Jeta e Vërtetë, në lidhje me të cilën Allahu i Lartësuar thotë në Kuranin fisnik:
“Jeta e kësaj bote, nuk është gjë tjetër, veçse argëtim dhe lojë [pra jeta e njeriut të përkushtuar pas kësaj bote është dëfrim dhe lojë prej ku ai del pa dobi e pa fitim]. Ndërsa jeta e botës tjetër, pikërisht ajo është Jeta e Vërtetë [e kompletuar dhe e përjetshme, ndaj puna për të është absolutisht më mirë se puna për jetën e kësaj bote]. Veç sikur ta dinin [jobesimtarët këtë; ath. nuk do t’i jepnin përparësi dynjasë (botës) së përkoshme kundrejt ahiretit (amshimit) të përhershëm]!”1Lexoni më tepër
Së këtejmi vjen dhe rëndësia e mësimit të këtyre dispozitave/rregullave hyjnore, gjë në lidhje me të cilën profeti Muhamed (Paqja qoftë mbi të!) thotë: “Kujt ia do Allahu të mirën, i jep fikh (dijeni) në fe (dispozitat/rregullat juridike islame). Faktikisht unë (Muhamedi) jam ai që ndan [shpërndaj tek ju Shpalljen Hyjnore që jam urdhëruar ta përçojë duke mos favorizuar askënd], kurse Ai që jep është Allahu [hisja (vlera) e dijenisë që Ai i jep gjithsecilit varet tek Vullneti i Tij]. Ky komb (muslimanët) do të mbetet në përmbushje të urdhrit të Allahut [do ta ruajnë dhe jetësojnë Islamin, fenë e vërtetë të Allahut], derisa të vijë urdhri i Allahut [Dita e Kijametit].”2
Detyra e muslimanit është që në çështjen e adhurimeve islame (në lëmin sheriatik) të përpiqet të ndjekë të vërtetën dhe të arrijë tek ajo.
Përsa i përket kualifikimit në lëmin e sheriatit (ligjit islam), muslimanët i përkasin dy kategorive:
Kategoria e parë: Dijetari/nxënësi i dijes në lëmin e sheriatit (ligjit islam), ku hyjnë tre rangjet në vijim:
Rangu i parë: Dijetari kompetent në shkencën e sheriatit (ligjit islam), që është specializuar në studimin e argumentit sheriatik dhe ka arritur gradën e ixhtihadit (kompetencës për dhënien e fetvave/opinioneve sheriatike); me kushtin që veçse kompetent të jetë dhe i devotshëm/i përkushtuar në fe.Lexoni më tepër
Dijetari i këtij rangu është i obliguar që në çështjen e adhurimeve islame (në lëmin sheriatik) të bëjë ixhtihad (të orvatet/përpiqet personalisht) duke i kuptuar argumentet në pajtim me rregullat e shkencës së bazave të fikhut (jurisprudencës islame).
Rangu i dytë: Dijetari/Nxënësi i shkencës sheriatike me kompetencë të kufizuar në shkencën e sheriatit (ligjit islam), i cili është kompetent vetëm në disa subjekte të caktuara dhe plotëson kushtin që përveçse kompetent në këtë subjekt, është edhe i devotshëm/i përkushtuar në fe.Lexoni më tepër
Dijetari i këtij rangu është i obliguar që në subjektin sheriatik ku është kompetent të bëjë ixhtihad (të orvatet/përpiqet personalisht) duke i kuptuar argumentet në pajtim me rregullat e shkencës së bazave të fikhut (jurisprudencës islame), ndërsa lidhur me subjektet që nuk është kompetent, lejohet që në rast nevoje të japë fetva/orientime sheriatike duke u bazuar në fetvatë (mendimet) e dijetarëve kompetentë.
Rangu i tretë: Nxënësi fillestar i dijes sheriatike që nuk ka arritur gradën e ixhtihadit (kompetencës) në asnjë subjekt, i cili përveçse studion dijen sheriatike, është edhe i devotshëm/i përkushtuar në fe. Nxënësi fillestar i dijes sheriatike lejohet që në rast nevoje të japë fetva (orientime) sheriatike duke u bazuar në fetvatë (opinionet) e dijetarëve kompetentë.Lexoni më tepër
Shënim: Si dijetarit ashtu edhe nxënësit të dijes, i ndalohet rreptësisht fanatizmi (zelli i tepruar) për të zbatuar me çdo kusht mendimin e shejkhut (profesorit) të tij apo medhehebit të tij, nëse i shfaqet se e sakta/e vërteta është ndryshe. Muslimani i thjeshtë e njeh kompetencën/meritën e një muftiu/myftiu (personi që jep orientime sheriatike) përmes dëshmisë që kanë dhënë dijetarët muslimanë në favor të këtij muftiu (pra dëshmisë së dijetarëve kompetentë muslimanë se ky mufti është kompetent për të dhënë fetva/orientime sheriatike), dëshmi e cila duhet të këtë vërshuar dhe të jetë bërë publike ndër masën e gjerë të muslimanëve. Kështu pra, muslimani i thjeshtë lejohet që të marrë fetva (orientime sheriatike) vetëm nga një mufti tek i cili hetohet dituria sheriatike, përkushtimi/devotshmëria, popullariteti ndër muslimanë dhe sidomos dëshmia e dijetarëve në favor të kompetencës së këtij muftiu. Me fjalë të tjera, muslimani lejohet të marrë fetva vetëm nga një mufti i cili është e sigurt ose ka më shumë epërsi mendimi se ai është vërtetë kompetent për të dhënë fetva; në të kundërt- nëse tek muslimani dominon mendimi apo ushqehet dyshimi se ky mufti nuk është kompetent për të dhënë fetva (orientime sheriatike),- nuk lejohet që prej një muftiu të tillë të merren fetva (orientime sheriatike).
Kategoria e dytë: Masa e gjerë e muslimanëve që kanë njohuri të përcipta në lëmin e sheriatit (ligjit islam), pra nuk janë specialistë apo të afirmuar për të gjurmuar argumentet sheriatike dhe nuk i përkasin asnjërit prej rangjeve të përmendura në kategorinë e parë. I tilli duhet të pasojë atë dijetar- dhe në rast nevoje atë nxënës dije,- i cili mendon se është më i besueshmi në fe dhe dituri. Kështu ai e ka çuar në vend obligimin e vet dhe ka vepruar në përputhje me fjalën e Allahut:
“Pyetni dijetarët (specialistë) nëse ju nuk dini.”3Lexoni më tepër
Nëse muslimani i thjeshtë (që i takon masës së gjerë të muslimanëve) di një mendim të besueshëm në lidhje me një çështje sheriatike apo pyet një dijetar të mirëfilltë, atëherë nuk e ka obligim që pas tij të pyes tjetërkënd. Nëse paskëtaj informohet mbi një mendim të ndryshëm, ai duhet të ndjekë atë që mendon se është më i saktë dhe i drejtë, siç vepron pacienti nëse mjekët ndryshojnë në këshillat që japin për trajtimin e tij. Ai nuk duhet ta përulë dhe as ta quaj gabimtar muslimanin tjetër nëse ky i fundit nuk pajtohet në mendim me të, për sa kohë që ai ndjek një medhheb fikhu (akademie juridike islame), ose imiton një dijetar që gëzon konsideratë apo që është muxhtehid (kompetent për të dhënë fetva/orientime sheriatike).
Në kuadrin e ndjenjës së përgjegjësisë mbi mundësinë e arsimimit në lëmin e teologjisë islame, që na ka dhuruar Allahu i Madhëruar, përgjegjësi i kësaj faqeje kërkon mirëkuptimin tuaj, që së bashku t’i zhvillojmë përpjekjet e kësaj nisme nën sloganin që nxit hadithi (kumtimi profetik) fisnik:
“Kujt ia do Allahu të mirën, i jep fikh (dijeni) në fe.”4
Kjo faqe trajton përgjigjet që hoxha përgjegjës/administrator i saj u jep pyetjeve fetare islame që i drejtohen. Përgjigjet kanë si pikë referimi faqet më të kualifikuara dhe më me zë të botës islame si:
“islamweb.net”, “islamqa.info”, “saaid.net”, “shamela.ws”, “fikhguide.com”, “al-eman.com”, “alukah.net”, “ahlalhdeeth.com”, “islamway.net” etj.
Allahu i shpërbleftë më së miri në të dy botët të gjithë ata që i publikojnë orientimet fetare të kësaj faqeje!
