Numri i fetvasë: 97 DALLIMI MES MËSYSHIT DHE SMIRËS
Kategoria: ȞASEDI-SMIRA DHE ÂJNI-MËSYSHI
7 569 shfletues/klikues DALLIMI MES MËSYSHIT DHE SMIRËS
Pyetje: DALLIMI MES MËSYSHIT DHE SMIRËS
Si mund të bëhet dallimi mes prekjes së njeriut prej mësyshit dhe prekjes së tij prej smirës?
Përgjigjja: DALLIMI MES MËSYSHIT DHE SMIRËS
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!
Së pari: Sqarimi i ndryshimeve kryesore mes mësyshit dhe smirës
Dijetarët muslimanë kanë theksuar këto ndryshime kryesore mes mësyshit dhe smirës:
Ndryshimi i parë: Mësyshmarrësi mund ta lëndojë (dëmtojë) njeriun duke dëshiruar prishjen e mirësisë së tij, por mundet që ta lëndojë atë edhe pa e dëshiruar këtë të fundit, si në rastin kur mësyshmarrësi merr mësysh katandinë dhe fëmijët e tij; ndërsa smirëziu e lëndon (dëmton) njeriun nisur nga dëshira e tij e përflakur për prishjen ose mosrealizmin e mirësisë së personit që smiron; realiteti se smirëziu e kontrollon dhe komandon smirën e tij, duket qartë në faktin sesi ai nuk i smiron ndonjëherë pasurinë dhe fëmijët e tij.Lexoni më tepër
Ndryshimi i dytë: Ndërkohë që mësyshmarrësi nuk kalon përtej kufirit të shpirtërores (veprimeve shpirtërore), smirëziun e gjejmë që përveç dëmit trupor ose material që i shkakton me smirën e tij atij që smiroi, të kapërcejë edhe në dëmtimin e këtij të fundit me mjete të tjera si përgojimi apo dëmtimi konkret në personin, familjen dhe katandinë e tij.Lexoni më tepër
Ndryshimi i tretë: Dijetarët muslimanë përmendin se pasojat e mësyshit janë më të rënda sesa ato të smirës, sepse në rastin e mësyshit kemi të bëjmë me shikimin direkt të viktimës, gjë që e përqendron dhe fuqizon në maksimum energjinë e mësyshmarrësit, aq sa efekti mund të jetë rrëzimi i viktimës, temperatura e lartë e tij apo edhe mbartja e këtij të fundit me barrelë. Gjithsesi, kurimi prej mësyshit është më i lehtë se ai prej smirës, pasi në të shumtën e rasteve mësyshmarrësi mund të identifikohet dhe kurimi sheriatik bëhet më i lehtë për t’u praktikuar.
Së dyti: Ndryshim mes mësyshit dhe smirës, në pika të përmbledhura1:
Ndryshimi i cekur mësipër, mes mësyshit dhe hasedit (smirës), mund të përmblidhet në pesë pika:
1. Smira është më përfshirëse se mësyshi; pra çdo smirëzi është edhe mësyshmarrës, por jo çdo mësyshmarrës është smirëzi;
2. Mësyshmarrësi bën më shumë dëm se smirëziu;
3. Smirëziu mund të smirojë edhe dikë / diçka që nuk e shikon dhe mund të smirojë për një realitet të pritshëm që ende nuk ka ndodhur; ndërsa mësyshmarrësi nuk mund të marr mësysh veçse atë (frymor / send) që shikon dhe që është një realitet faktik (pra që është frymor / send që është realisht i pranishëm);
4. Burimi i smirës është përvëlimi i zemrës dhe lakmia e smirëziut për të mirat që ka personi që e smiron; ndërsa burimi i mësyshit është shkrepja e vështrimit të syrit ose shpirtit të ligë (të keq) të mësyshmarrësit;
5. Smira nuk i prek gjërat që smirëziu (nga i cili buron kjo smirë) nuk dëshiron t’i gjejë gjë e keqe, si për shembull fëmijën dhe katandinë e smirëziut; ndërsa mësyshi mund të prekë edhe gjërat që mësyshmarrësi nuk dëshiron që të preken nga e keqja, si për shembull fëmijën dhe katandinë e mësyshmarrësit.Lexoni më tepër
Allahu e di më mirë.
Ju ftojmë ta shpërndani këtë postim, që të përhapet dobia e tij dhe së bashku të marrim shpërblimin e publikuesit të fjalës së mirë.
_____ DALLIMI MES MËSYSHIT DHE SMIRËS
DALLIMI MES MËSYSHIT DHE SMIRËS