Personaliteti Nr. 2 UMERI-ARTIKULL BIOGRAFIK
Kategoria: 4 KALIFËT E DREJTË TË UDHËZUAR
3 115 shfletues/klikues UMERI-ARTIKULL BIOGRAFIK
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!
Umeri: Lindi në vitin 40 para-hixhrik1 / 584 diellor2 dhe ndërroi jetë në vitin 23 hixhrik / 644 diellor; bën pjesë tek “Shtresa Nr. 1” e transmetuesve të Islamit dhe prej tij janë transmetuar 539 hadithe3 (transmetime profetike).
Emri i tij është (عُمَر بن الخَطَّاب بن نفيل القرشي), Umer Ibn El-Khatab Ibn Nufejl, Ebu Hafs, prej Kurejshëve4 dhe që në kohën para-islame konsiderohej prej krerëve e trimave të Kurejshëve mekas, të cilit i ishte besuar detyra si ambasador i tyre, pasi Umeri ishte besnik i tyre, urrente dhe kërcënonte sipas politikës së tyre.
Umeri është një prej Dhjetë të Përgëzuarve me Xhenet5, kalifi6 (kryeqeveritari) i dytë prej Katër Kalifëve7 të Drejtë të Udhëzuar, i pari që u emërtuar me titullin Prijësi i Besimtarëve, guximtari, i paepuri dhe autori i çlirimeve të mëdha, drejtësia e të cilit shërben si model i gjykimit të pavarur e të paanshëm.
Umer Ibn El-Khatabi është pikërisht një nga dy Umerët për të cilët Profeti (Paqja qoftë mbi të!) e luste Allahun që me islamizimin e njërit prej tyre ta përforconte Islamin. Ai e pranoi Islamin pesë vjet para Hixhretit (Emigrimit) Profetik8 (teksa e kishin pranuar Islamin rreth dyzet burra para tij), duke shërbyer kjo si një shtysë e fuqishme për spikatjen e Isamit. Ai konsiderohet prej të hershmëve në Islam, si dhe ishte prej dijetarëve e asketëve të shquar ndër sahabët (shokët e Profetit) dhe pjesëmarrës në gjithë betejat e epokës profetike. Umeri merrej me tregtinë që bëhej në Sham9 dhe Hixhaz10 (Jemen).
Atij iu dha besëlidhja për kryetar shteti në po atë ditë që ndërroi jetë Ebu Bekri (në vitin 13 Hixhri), falë marrëveshjes së mbarëvajtur nga Ebu Bekri. Në kohën e qeverisjes së tij (e cila zgjati 10 vite) u çlirua Shami, Iraku, Kudsi11, Medaini12, Egjipti dhe Gadishulli Arabik, saqë është thënë se, në periudhën e Umerit janë ngritur dymbëdhjetëmijë (12 000) podiume në shërbim të Islamit.
Ai është i pari që u vendosi arabëve Kalendarin Hixhri13, para të cilit ata referoheshin tek betejat dhe ngjarjet e mëdha të ndodhura. Ai themeloi Arkën e Ndihmës Financiare (Bankën Bamirëse) për muslimanët si dhe urdhëroi ndërtimin e Basras dhe Kufës (dy kryeqendrat e hershme të Irakut), ndërtim i cili u bë realitet. Ai është i pari që vuri në funksion arkivat në Islam në përputhje me modelin persian, me qëllim që të mundësohej përllogaritja e saktë e punonjësve të shtetit dhe të bëhej shpërndarja e rrogave të tyre. Umeri shkonte i vetëm nëpër tregje dhe gjykonte në kohë rekord konfliktet midis njerëzve. Punonjësve të tij u dërgoi shkresën zyrtare ku i orientonte me fjalët: “Kur të më shkruani, filloni me shqetësimet tuaja personale”.
Sa i përket paraqitjes së Umerit, ai ishte i bardhë në të fildishtë, spikaste ndër njerëz me gjatësinë e tij të madhe, kishte mjekër të dendur të cilën e bënte me këna dhe flokët i kishte të rralla në të dy anët e ballit. Umeri u vra pabesisht nga Ebu Lulue Fejruz persiani (skllavi i Mugira Ibn Shu’ëbes), duke u qëlluar në bel me hanxhar (të helmatisur) teksa po falte sabahun dhe pas kësaj jetoi vetëm tre netë.Lexoni më tepër
Allahu qoftë i kënaqur me Umerin! UMERI-ARTIKULL BIOGRAFIK
Allahu e di më mirë. UMERI-ARTIKULL BIOGRAFIK
Ju ftojmë ta shpërndani këtë postim, që të përhapet dobia e tij dhe së bashku të marrim shpërblimin e publikuesit të fjalës së mirë.
_____ UMERI-ARTIKULL BIOGRAFIK
UMERI-ARTIKULL BIOGRAFIK
- Viti hixhrik: Viti që daton me emigrimin profetik, pra fillon me vitin e parë në të cilin ka ndodhur ky emigrim (që korrespondon të ketë qenë 13 vite pas Shpalljes, ose në vitin 622 diellor); për më shumë shih: VITI HIXHRI-PËRKUFZIMI-DISPOZITA. ↩
- Viti diellor: Viti që fillon me vitin e parë të kalendarit diellor ose gregorian (kalendari zyrtar në Evropë dhe më gjerë), njohur ndryshe si viti i e.s. / erës sonë (ose e.r. / erës së re). ↩
- Hadith/e: Shkenca islame që merret me studimin e fjalës, veprës, tiparit dhe miratimit që i përcaktohen profetit Muhamed (Paqja qoftë mbi të!); ekuivalent i fjalës “Sunet/Traditë Profetike”. ↩
- Kurejshët: Bëhet fjalë për fisin Kurejsh; u quajtën të tillë të gjithë të lindurit prej En-Nadru Ibn Kinanes, i ardhur dhe i vendosur në Meke, i cili u quajt me emrin Kurejsh marrë nga një specie që jeton në det. Familja e tij ishte kupola e degëzimeve të fiseve të shquara që banuan brez pas brezi në qytetin e Mekes. Thuhet gjithashtu se ata e morën këtë emër në saj të derivatit “TEǨAR-RASHU/u tubuan” që vjen prej artikulimit arab “ǨUREJSH”. Nga fisi Kurejsh e kishte prejardhjen fisi Benu Hashim, prej kryetarëve të shquar të të cilit ishte AbdulMutalibi, gjyshi i profetit Muhamed (Paqja qoftë mbi të!). ↩
- Dhjetë të Përgëzuarit me Xhenet: Të përgëzuarit me Xhenet prej burrave dhe grave janë të shumtë, porse me këtë term islam (Dhjetë të Përgëzuarit me Xhenet) nënkuptohen dhjetë sahabë (shokë) të shquar të Profetit (Paqja qoftë mbi të!) që ishin më të mirët pas tij ndër të gjithë muslimanët. Dhjetë të Përgëzuarit me Xhenet ishin që të gjithë prej fisit Kurejsh dhe prej të parëve në Islam dhe arsyeja e veçimit të tyre me këtë epitet, ndoshta është sepse ata janë përmendur si të përgëzuar me Xhenet njëkohësisht në një kumtim të vetëm autentik profetik. Më konkretisht Dhjetë të Përgëzuarit me Xhenet janë: Ebu Bekër Es-Siddik, Umer Ibn El-Khatab, Uthman Ibn Affan, Ali Ibn Ebi Talib, Ez-Zubejr Ibn El-Auam, Sead Ibn Ebi Uekas, Ebu Ubejde Ibn El-Xherrah, Talha Ibn UbejdiLah, AbduRrahman Ibn Auf dhe Said Ibn Zejd Ibn Amër / shih: islamweb dhe islamweb. ↩
- Kalif: Pasardhës (khalif) i profetit Muhamed (Paqja qoftë mbi të!), që përbën titullin e mbajtur nga kryesundimtari musliman, i cili ka në duart e veta pushtetin më të lartë politik e fetar të territoreve të qeverisura prej muslimanëve. ↩
- Katër kalifët (EL-KHULEFEEU ER-RAASHIDIIN): Bëhet fjalë për kalifët (kryeqeveritarët/kryesundimtarët) e parë muslimanë, të cilët sipas radhitjes janë: Ebu Bekri, Umeri, Uthmani dhe Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me ata!). Ata janë quajtur Kalifët e Drejtë të Udhëzuar, për shkak të drejtësisë dhe korrektësisë që i karakterizoi në ndjekjen e normave të Kuranit dhe Traditës Profetike. ↩
- Hixhreti/Emigrimi Profetik: Nënkuptohet emigrimi i profetit Muhamed nga Meka në Medine, i cili ka ndodhur 13 vite pas Shpalljes, ose në vitin 622 diellor; për më shumë shih: KALENDARI HIXHRI-HËNOR-TRAJTA-MUAJT. ↩
- Shami: Njihej me këtë emër (Sham) në kohën e mëhershme dhe përbën territorin ku sot bëjnë pjesë shtetet aktuale të Sirisë, Jordanisë, Palestinës dhe Libanit. ↩
- Hixhazi: Zona territoriale me shtrirje në veriperëndim dhe perëndim të Gadishullit Arabik, që përbën një “HAXHIZ-ndarës” midis Tihemes dhe Nexhdit; ku qytetet e Medines dhe Taifit konsiderohen territore të Hixhazit, ndërsa Meka konsiderohet territor i Tihemes. ↩
- Kudsi: Qyteti i Kudsit në Palestinë, në të cilin ndodhet Xhamia Aksa (e cila është quajtur “Aksa/e Largët”, për shkak të distancës së saj të largët prej Xhamisë së Shenjtë të Qabes). ↩
- Medaini: Kryeqyteti i Perandorisë persiane (550 p.e.s – 330 p.e.s). ↩
- Shih: HISTORIKU I KALENDARIT HIXHRI-HËNOR. ↩
- Ekzaminuesit e hadithit kanë thënë se ky transmetim nuk është i besueshëm / shih: ahlalhdeeth. ↩
- Ez-Zirikli (ka ndërruar jetë në vitin 1396 hixhrik), El-Ealem v. 5, f. 45; Es-Sujuti (ka ndërruar jetë në vitin 911 Hixhri), Terikhu El-Khulafai, v. 1. f. 89-90 dhe Ruetu Et-Tehdhibejni nr. 4888 : El-Mizziu (ka ndërruar jetë në vitin 742 Hixhri), Tehdhibu El-Kemali Fi Esmai Er-Rixhal dhe Ibn Haxher El-Askalani (ka ndërruar jetë në vitin 852 Hixhri), Tehdhibu Et-Tehdhib. ↩