Numri i fetvasë: 323 TËRMETET-KATASTROFAT-SHQYRTIM ISLAM
Kategoria: VULLNETI HYJNOR LIGJOR DHE AI KRIJUES
3 064 shfletues/klikues TËRMETET-KATASTROFAT-SHQYRTIM ISLAM
Pyetje: TËRMETET-KATASTROFAT-SHQYRTIM ISLAM
Cili është këndvështrimi juridik islam në lidhje me fatkeqësitë që u ndodhin njerëzve, si: tërmetet, përmbytjet, shtrëngatat, vërshimet etj., të cilat ndodh që të lënë edhe viktima?
Përgjigjja: TËRMETET-KATASTROFAT-SHQYRTIM ISLAM
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!
Tërmetet dhe dukuritë e tjera tokësore e qiellore përbëjnë fenomene që diktohen prej ligjeve të Zotit. Caktimi Hyjnor i ka nënshtruar këto dukuri në procesin e funksionimit të jetës në tokë. Ndërkaq, ato janë krijesa të Zotit të vëna prej Tij në funksion të: (1) dënimit të njerëzve të këqij / të prishur, (2) si mësim për njerëzit që shpëtojnë dhe (3) si provë për besimtarët (i vdekuri gjatë tërmetit, ringjallet sipas besimit / mosbesimit që ka pasur në dynja).Lexoni më tepër
Tërmetet përbëjnë një ndër kërcënimet e panumërta që e rrethojnë jetën e njeriut në këtë planet, ku vetëm mbrojtja hyjnore e ka ruajtur atë.
Tërmetet paraqesin lëshimin e energjisë nga brendësia e Tokës, ku është ruajtur sasi e madhe e nxehtësisë. Nxehtësia i shtyn pllakat tektonike të lëvizin. Kur dy pllaka lëvizin kundër njëra-tjetrës dhe prodhojnë fërkime, kjo bën që të krijohet energji. Kur kjo energji lëshohet, ajo shkakton një tërmet. “Duhen dhjetëra mijëra vjet që energjia të krijohet, por vetëm disa sekonda për tu çliruar”,- thotë Hongfeng Yang, një sizmolog në Universitetin Kinez të Hong Kongut.
Tërmetet shfaqen në formën e tronditjeve, zhvendosjeve të tokës ose krijimit të dallgëve të fuqishme detare (cunami). Korja e tokës (e trashë rreth 70 km) përbëhet nga shumë pllaka tektonike (që të ndikuara nga nxehtësia e brendshme e tokës lëvizin ngadalë e vazhdimisht). Vetëm një pjesë të vogël të tërmeteve e përbëjnë ato vullkanike dhe artificiale, ndërsa shumicën dërrmuese të tyre (rreth 90 %) e përbëjnë ato tektonike që e kanë zanafillën në çlirimin e një energjie gjigande që vjen nga fërkimi i pllakave tektonike të tabaneve (shtresave fundore) të kontinenteve dhe oqeaneve. Kur forca e këtij fërkimi e kapërcen kufirin kritik (fuqinë lokale) ndodh një vijë thyerje e papritur në pllakat tektonike. Në rastin kur kjo thyerje sjell si pasojë zhvendosjen e dhunshme të kores së tokës, çlirohet energjia e tërheqjes ose përdredhjes elastike dhe krijohen valët sizmike, duke shkaktuar në këtë mënyrë një tërmet (që me gjithë progresin shkencor mbetet i paparashikueshëm).
Energjia e çliruar nga tërmeti matet me shkallën Rihter (ku çdo gradë e plotë në rritje është 33 herë më e fuqishme se pararendësja e saj) dhe më i larti i regjistruar ka qenë 9.5 (ndërsa sipas forcës shkatërruese tërmeti matet me ballë dhe më shkatërruesi mund të arrijë deri në 12 ball). Tërmeti është më shkatërrues kur epiqendra e tij është e cekët 10-15 km nën tokë dhe ky faktor shkatërrues zvogëlohet me rritjen e thellësisë së epiqendrës, derisa një tërmet me vatër 700 km nën tokë nuk ndjehet më (më konkretisht një tërmet më pak se 3.9 Rihter në përgjithësi nuk mund të ndjehet nga njeriu; ndërkaq një tërmet me magnitutë 9 Rihter mund të çliroj rreth 99 milion ton TNT (eksploziv në përbërje të dinamitit), pra sa fuqia e 25 000 bombave bërthamore, e mjaftueshme kjo për shkatërrim në masë).
Edhe pse rreth 95% e tërmeteve ndodhin në zonat e fërkimeve të pllakave tektonike dhe ato me aktivitet të lartë vullkanik, sërish asnjë pjesë e tokës nuk përjashtohet nga kërcënimi i tërmeteve dhe vullkaneve, pasi korja e tokës mbi të cilën njerëzia jeton, pluskon mbi magmën vullkanike (lëndën minerale të shkrirë) tejet të nxehtë (rreth 1000 °C), e cila nëse Krijuesi i Plotfuqishëm do, mund ta befasojë në çdo moment çdo pjesë të tokës me tronditje të fuqishme apo shpërthime vullkanike.
Dijetarë të mëdhenj muslimanë bashkëkohorë të jurisprudencës islame por edhe shkencave gjeologjike dhe atyre humane, theksojnë njëzëri, në frymën e dijetarëve të hershëm muslimanë, se tërmetet (dhe katastrofat e ngjashme me to) janë prej ushtarëve të Allahut të Madhëruar, zemërim / ndëshkim i Tij dhe mesazh për njerëzimin, që ata të bëhen vetëkritikë, drejt mbrujtjes së një uni human të virtytshëm dhe të devotshëm, siç ka urdhëruar Krijuesi i këtij uni, pasi një unë i tillë shërben si mburojë prej tërmeteve.Lexoni më tepër
Thuajse konsensualisht këta dijetarë theksojnë lidhjen e tërmeteve dhe katastrofave me mëkatet dhe lajthitjet njerëzore, si vërejtje hyjnore që duhet se s’bën të merret në konsideratë, mesazh në plan të parë për elitën shtypëse dhunuese, deklarata e të cilit (këtij mesazhi) është se Allahu është i Plotfuqishmi dhe i Vetmi Veprues absolut në këtë univers, i Gjithmundshëm që t’ju shkatërrojë o ju njerëz që prishni rendin në tokë, nëse nuk pendoheni dhe kthehen tek Zoti juaj. Veç shënjestrimit të kërcënimit real me shfarosje të tiranëve kriminelë, këto katastrofa janë gjithashtu sinjale të qarta frikësuese edhe për mëkatarët, të devijuarit dhe të shkujdesurit, si dhe provë besimi për besimtarët e vërtetë.
Pra dukuritë e sipërpërmendura (tërmetet, shtrëngatat, vërshimet etj.) apo edhe të tjera të ngjashme me to (si: eklipset etj.), që shoqërohen me ndryshimin e trajtës natyrale të disa prej krijesave të Zotit (në të cilën jemi mësuar t’i shohim ato zakonisht), hyjnë tek shenjat hyjnore urtësia e të cilave është frikësimi dhe përkujtimi i njerëzve që të kthehen të penduar tek Zoti i tyre.
Pikërisht në lidhje me këtë fakt, Allahu i Madhëruar thotë në Kuranin fisnik: “Ne dërgojmë shenja vetëm për t’i frikësuar njerëzit”; pra Allahu i Madhëruar i frikëson njerëzit me shenjat që do, që ata të arsyetojnë, të kujtohen dhe të bëjnë kthesë (të heqin dorë nga mëkatet).
Po në këtë kontekst Allahu i Madhëruar thotë: “Edhe popujt që ishin para tyre (paganëve të Mekës), kanë kurdisur dredhi. Por Allahu ua rrënoi godinën që nga themelet, kështu që kulmi i saj ra mbi ta dhe dënimi u erdhi andej nga nuk e prisnin”; “Kur erdhi urdhri Ynë [mbi ndëshkimin shkatërrimtar të popullit jobesimtar të Lutit], Ne e përmbysëm çdo gjë, – ato [pjesët e vendbanimit] që ishin lart, i kthyem poshtë”; “Ai jua ka bërë Tokën të përdorshme, andaj ecni nëpër viset e saj dhe ushqehuni me atë, që ju ka dhënë Ai. Si të ringjalleni, do të ktheheni tek Ai. A jeni të sigurt se kush është në qiell, nuk do ta bëjë Tokën t’ju kapërdijë, kur të fillojë të dridhet papritmas?” dhe “A janë të sigurt banorët e këtyre qyteteve [jobesimtare] se nuk do t’iu vijë dënimi Ynë natën, ndërkohë që flenë?! A janë të sigurt ata se nuk do t’iu vijë dënimi Ynë ditën, ndërkohë që argëtohen?! A janë të sigurt ata nga të papriturat e Allahut? Vetëm ata që janë të humbur nuk u frikësohen të papriturave të Allahut.“
Ndërsa Profeti (Paqja qoftë mbi të!) në lidhje me këtë çështje ka thënë: “Këto shenja [argumentet si eklipsi dhe ngjashëm] që i dërgon Allahu nuk janë për vdekjen e dikujt dhe as për jetën e tij [nuk kanë këtë për shkak], por Allahu i frikëson me to robërit e Tij. Me të parë diçka prej kësaj, kërkoni ndihmë [mbrohuni nga ndëshkimi i Allahut] tek përmendja e Tij dhe lutja e kërkimfalja drejtuar Atij” dhe ka thënë “Faktikisht dielli dhe hëna janë argumente (shenja) nga argumentet e Allahut dhe nuk eklipsohen (errësohen) për vdekjen e dikujt dhe as për jetën e tij [nuk e kanë këtë për shkak]. Me të parë këtë, luteni Allahun, madhëroheni (bëni tekbir / thoni: ALL-LLAAHU EKBER/Allahu është më i Madhi) dhe jepni sadaka (lëmoshë).”
Në këtë rrugë dhe metodë profetike ecën edhe sahabët (shokët fisnik të Profetit), sikurse rasti i Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), që kur ra tërmet në Medine në kohën e tij (aq sa u drodhën edhe shtretërit), u mbajti njerëzve ligjëratë, në të cilën u tha: “O njerëz, ky tërmet ka qenë vetëm sepse ju keni bërë diçka [keni bërë mëkate / devijime]. Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, nëse ai (tërmeti) kthehet, nuk do të banojë kurrë më me ju në të (në Medine).”
Kurse më tej, e thënë në mënyrë të përmbledhur, urtësia se përse ndodhin tëmetet në raport me botën njerëzore, qëndron kryesisht në sa vijon:
Së pari: Shpalosja e mirësisë së madhe të fiksimit dhe prehjes së sipërfaqes (kores) së tokës me malet e palëvizshme, që duket qartë në momentet kur kjo prehje trazohet nga tërmetet; siç ka thënë Allahu i Madhëruar: “Allahu është Ai që jua ka bërë Tokën karar [të banoni në të në prehje].”Lexoni më tepër
Po në këtë kontekst, Allahu i Madhëruar thotë: “Ai ka vendosur male të palëvizshme në Tokë, që ajo të mos tundet bashkë me ju“; përndryshe, nëse nuk do ishte kjo prehje e tokës, njerëzit nuk do kishin kurrsesi mundësi të fiksonin mbi të banesat e tyre dhe për më tepër të zhvillonin aktivitetet e tjera jetësore të tyre.
Së dyti: Disa njerëz naivë mendojnë se tërmetet janë dukuri natyrore që kanë shkaqe të pavarura nga veprimet e njerëzve dhe mëkatet e tyre, teksa e vërteta është se ato janë shenja apo sinjale frikësuese hyjnore për njerëzimin, që ata t’i kthehen virtytit dhe dovotshmërisë për të cilën i krijoi Zoti i tyre.
Së treti: Shpeshtimi i tërmeteve është prej shenjave të afrimit të Kijametit (Shkatërrimit të Universit), mbi të cilat na ka treguar Muhamedi (Paqja qoftë mbi të!) në transmetimin profetik: “Nuk ka për të ndodhur Kijameti derisa… të shpeshtohen tërmetet…”Lexoni më tepër
Po në këtë kontekst, Profeti (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Unë nuk do qëndroj (jetoj) ndër ju; edhe ju (muslimanët) pas meje do qëndroni vetëm pak [jeta e kësaj bote është e shkurtër]; do më vini të ndarë (kundërshtarë), keni për ta shfarrosur njëri-tjetrin [nga jomuslimanët ndizet ndër ju fitili i përçarjeve dhe luftërave të mëdha të herëpashershme, të cilat ndodhin dhe vijojnë të ndodhin mes muslimanëve]. Përpara Kijametit do të ndodhë një vdekje e shumtë dhe pas saj do ketë vite tërmetesh.”
Së katërti: Tërmeti është argument apo shenjë befasuese, treguese mbi njëshmërinë dhe plotfuqishmërinë e Allahut të Lartmadhëruar, sesi krijesat e Tij përfshirë qeniet njerëzore janë nën pushtetin e Tij suprem dhe nën mëshirën e Tij; (tërmeti) është shpalosës i kontrollit hyjnor mbi çdo gjë, shprehur qartë tek të shpëtuarit / viktimat e tërmetit në rrethana të çuditshme.
Së pesti: Dukuria e tërmetit përbën frikësim prej Allahut e ftesë vetëdijësimi për robërit e Tij, urdhër për vetëkritikë; lum kush reflekton, kush kthesë nga të këqijat e mëkatet bën dhe kah fitimit të kënaqësisë së Zotit të tij nxiton.
Së gjashti: Tërmeti ndodh të jetë si zemërim dhe ndëshkim i drejtë i Allahut ndaj jobesimtarëve, siç i rrënoi Ai popujt e shkuar për arsye të mosbesimit të tyre dhe mospërfilljes së Mesazheve Hyjnore dhe Profetëve të Zotit të botërave; siç thotë Allahu i Lartësuar: “Ne të gjithë i dënuam për gjynahun e vet: disave u dërguam furtunë, disa syresh i goditi një zë i tmerrshëm, disa prej tyre i gëlltiti toka dhe të tjerët i përmbyti uji. Allahu nuk u bëri atyre padrejtësi, por ata i bënë padrejtësi vetvetes.“Lexoni më tepër
Po në këtë kontekst, Allahu i Madhëruar thotë: “E kështu, ata (jobesimtarët e popullit të Shuajbit) i goditi një tërmet i rëndë (i fuqishëm) dhe u gdhinë të shtrirë përmbys (kufoma) në shtëpitë e tyre“; për të këtillë tërmet (të cekur në thënien pararendëse kuranore) Umer Ibn AbdulAzizi ka thënë: “Ky tërmet i fuqishëm është diçka me të cilën Allahu i ndëshkon robërit e Tij.”
Së shtati: Tërmeti ndodh të jetë sprovë dhe vuajtje e kësobotshme për muslimanët, por që në palat e saj bart shpërblim, dëlirje, mëshirë dhe shpërblim për ta në botën tjetër; siç ka thënë Profeti (Paqja qoftë mbi të!): “Populli im [muslimanët në përgjithësi] janë një popull i mëshiruar [i falur më shumë se popujt e mëparshëm], nuk ka për të ndëshkim [vuajtje të rënda si të jobesimtarëve] në botën tjetër dhe ndëshkimi i tij [në masën më të madhe] është në këtë botë, me: sprova [sëmundje, luftëra etj.], tërmete dhe vrasje [të padrejtë që u bëhet atyre].”. Madje nga vdekja në rrënojat e tërmetit, besimtari/ja shpresohet të fitojë gradën e dëshmorit.Lexoni më tepër
Fakti se besimtari/ja që vdes në rrënojat e tërmetit, shpresohet të fitojë gradën e dëshmorit, bazohet në transmetimin profetik: “Shtatë janë dëshmorët (muslimanë) përveç vrasjes (të vrarit) në Rrugë të Allahut (në fushëbetejë): [i vdekuri] nga epidemia [murtaja etj.] është dëshmor, i mbyturi (në ujë) është dëshmor, personi i sëmurë nga brinjët [sëmundjet e brinjëve/anëve] është dëshmor, i sëmuri nga barku është dëshmor, personazhi i zjarrit (i djeguri) është dëshmor, ai që vdes nën shembje [kush vdes nën rrënoja] është dëshmor dhe gruaja që vdes me akumulim [duke pasur në bark fëmijë] është dëshmore”; ku në fragmentin “ai që vdes nën shembje [kush vdes nën rrënoja] është dëshmor”, hyjnë muslimanët (që kanë adhuruar Allahun Një të Vetëm e të Pashoq) të cilët vdesin nën rrënojat e tërmeteve apo pallateve që shemben për arsye të ndryshme, apo që vdesin prej bombardimeve, aksidenteve automobilistike etj..
Së teti: Tërmeti është përkujtim dhe shenjë për ditën e Kijametit, Ditën e Tërmetit Madhështor.Lexoni më tepër
Besimtarin tërmeti e kujton me ditën e Tërmetit Madhështor, siç ka thënë Allahu i Madhëruar: “O njerëz, frikësojuni Zotit tuaj, sepse dridhja e Orës [lemeritë dhe tërmetet e fuqishme të tokës kur të ndodhë Kijameti], është vërtet një ngjarje e madhe! Ditën, që do të shihni atë, çdo grua me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën e saj dhe çdo grua shtatzënë do ta hedhë barrën e vet. Njerëzit do t’i shihni si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër“; “Ditën kur do të dridhet gjithçka nga ushtima [që lajmëron Kijametin]”; “Kur të ndodhë Ngjarja (Kijameti), ardhjen e saj askush nuk do ta mohojë. Disa do t’i ulë e disa do t’i lartësojë. Kur Toka të dridhet fuqishëm, malet të thërrmohen copë-copë e të shndërrohen në pluhur të shpërndarë“; “…në Ditën (e Kijametit), kur Toka dhe malet dridhen e bëhen si pirgje rëre të lëvizshme“ dhe: “Kur të dridhet Toka me tronditjen e saj (të fundit).”
– Kini kujdes, ruajuni o njerëz, ruajuni o muslimanë, nga mëkatet: mosfalja e namazit e idhujtaria, korrupsioni e padrejtësia, kamata, mashtrimi e pabesia, pijet alkoolike, bixhozi e kurvëria e nga mëkatet e tjera të mëdha, – Udhëzona o Allah e prej të penduarve e të udhëzuarve na bëj! Amin!Lexoni më tepër
Allahu e di më mirë. TËRMETET-KATASTROFAT-SHQYRTIM ISLAM
Ju ftojmë ta shpërndani këtë postim, që të përhapet dobia e tij dhe së bashku të marrim shpërblimin e publikuesit të fjalës së mirë.
_____ TËRMETET-KATASTROFAT-SHQYRTIM ISLAM
TËRMETET-KATASTROFAT-SHQYRTIM ISLAM
Të afërta
Shpërndajeni Fjalën e Mirë: