Numri i fetvasë: 239 PSE SHPREHET ZOTI ME PËREMRIN NE
Kategoria: MREKULLIA ORATORIKE-SQARUESE NË KURAN
4 219 shfletues/klikues PSE SHPREHET ZOTI ME PËREMRIN NE
Pyetje: PSE SHPREHET ZOTI ME PËREMRIN NE
A mund të na shpjegoni interpretimin e thënieve kuranore në të cilat Allahu i Lartësuar shprehet për Veten e Tij në vetën e parë të numrit shumës, pra me përemrin vetor “Ne”?
Përgjigjja: PSE SHPREHET ZOTI ME PËREMRIN NE
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!
Së pari: Përemri vetor hyjnor “Ne” shpreh vlerësim dhe madhërim
Prej metodologjisë së arabishtes (por edhe shqipes dhe shumë gjuhëve të tjera) është që në raste të veçanta, edhe pse i flasim një personi të vetëm, në formë mirësjelljeje, vlerësimi apo madhërimi, atij i drejtohemi me përemrin vetor shumës “ju” apo derivatet (prejardhjet) e tij gjuhësore.Lexoni më tepër
Po kështu forma e shprehjes në shumës me “ne”, gjen një përdorim të dendur edhe kur një person me peshë dhe pozitë (si një mbret, president etj.) flet për veten apo vendimet e tij personale, si për shembull të thotë: “Ne…”, “Kemi vendosur…” etj., pavarësisht se ai është një person i vetëm.
Padyshim që më i meritueshmi për t’u madhëruar është Allahu i Madhëruar, ndaj dhe është lehtësisht i kuptueshëm fakti sesi kur Allahu flet për Veten e Tij në shumës, këtë e bën në kontekstin e madhërimit të Vetes së Tij hyjnore.
Së dyti: Përemri vetor hyjnor “Ne” i referohet dhe kthehet prerazi njëjësit
Kjo duket qartë sidomos në rastet e thënieve të shumta kuranore ku përemri vetor hyjnor këmbehet brenda të njëjtit kontekst mes shumësit e njëjësit dhe i referohet prerazi këtij të fundit, fakt ky që tregon se si përemri vetor hyjnor i trajtës së shumësit edhe ai i njëjësit përcaktohen dhe kthehen tek Allahu i Madhëruar. Të këtij konteksti janë p. sh. fjalët e Allahut të Madhëruar në vijim:
“Ne nuk kemi nisur asnjë të dërguar para teje, që të mos i kemi shpallur se: “S’ka zot tjetër përveç Meje, andaj më adhuroni (vetëm) Mua!”; ku përemri “Ne” në kumtimin hyjnor “Ne nuk kemi nisur”, i takon prerazi vetëm Allahut, bazuar kjo në fjalinë interpretuese “S’ka zot tjetër përveç Meje, andaj më adhuroni (vetëm) Mua!”, ku vërehet lehtësisht sesi i Lartmadhëruari nuk thotë “S’ka zot tjetër përveç Nesh”.Lexoni më tepër
Dihet mirë fakti se Shpallja Hyjnore e ka burimin prej Allahut, Një, të Vetmit e të Pashoq, fakt ky ku orientojnë qartë thënie të shumta kuranore, prej të cilave:
“Ne e kemi urdhëruar njeriun, që të sillet mirë me prindërit e vet dhe: “Nëse ata të nxisin ty që të më shoqërosh Mua (në adhurim) atë, për të cilin ti nuk di asgjë, atëherë mos i dëgjo ata.” Tek Unë do të ktheheni të gjithë e do t’ju lajmëroj për gjithçka që keni bërë”; ku trajta e shumësit: “Ne e kemi urdhëruar njeriun”, vjen përkundrejt tre trajtave të tjera të njëjësit: “të më shoqërosh Mua (në adhurim)”, “Tek Unë do të ktheheni” dhe “do t’ju lajmëroj për gjithçka”, nga ku del qartë në pah se kjo trajtë e shumësit ka ardhur për madhërim dhe jo për të treguar shumësi zotash.
Vetëm ai që nuk ka aspak dituri mbi domosdoshmërinë e padiskutueshëm që zë monoteizmi kategorik i Krijuesit në Islam, mund të dyshojë se kjo formë e të folurit në shumës që vjen në Kuran, është për të shprehur një shumësi zotash. Në tërë Kuranin dhe Sunetin (Traditën Profetike) urdhërimi për t’ia drejtuar vetëm Allahut të Madhëruar: duanë (lutjen), dhikrin (përmendjen), ibadetin (adhurimin), devocionin, trembjen, përuljen, frikën, aspirimin e shpërblimit dhe dorëzimin, vjen gjithmonë vetëm në trajtën e njëjësit, si një tregues i rëndësisë së prerë të kushtimit të këtyre çështjeve vetëm Allahut, të Vetmit e të Pashoqit, në kuadrin e dedikimit optimal në monoteizmin e kulluar ndaj Tij.
Së treti: Përemri vetor hyjnor “Ne” shpreh titujt apo emrat e shumtë të lavdëruar
Tjetër formë e përdorimit të shumësit madhërues duke u shprehur me “ne”, është kur një person bën fjalë për titujt apo emrat e tij të shumtë të lavdëruar, ku çdo emër qëndron në rangun e të emërtuarit me të. Në këtë kontekst themi gjithashtu, se kur Allahu i Madhëruar, të Cilit i takon shembulli më i lartë, përdor trajtën madhëruese “Ne” të të shprehurit, Ai bën fjalë për emrat e Tij të përsosur hyjnorë. Kjo shprehet qartë në kontekstet kuranore në vijim:
“Vallë, a mos u lodhëm Ne gjatë krijimit të parë? Jo, por ata dyshojnë në krijimin e sërishëm”; në këtë thënie kuranore vërtetohet se kemi të bëjmë me një krijim të parë dhe vërejmë gjithashtu se Allahu i Madhëruar për këtë periudhë para krijimit të parë ka përdorur për Veten e Tij përemrin shumës “Ne”, edhe pse dihet se kur Allahu solli në ekzistencë krijimin e parë, nuk ekzistonte me të askush veç emrave të Tij të përsosur hyjnorë; së këtejmi kuptohet se përemri shumës “Ne” i ardhur në këtë thënie kuranore, i referohet pikërisht emrave të shumtë të bukur të Allahut të Madhëruar.Lexoni më tepër
Të po këtij konteksti janë edhe thëniet kuranore në vijim:
“Atë Ditë, Ne do të palosim qiellin, ashtu siç paloset letra e librit. Ashtu siç e filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë. Ky është premtimi Ynë. Ne do ta bëjmë këtë me të vërtetë”; në zanafillën e krijimit të parë që bëri Allahu i Madhëruar, nuk ka pasur veç Tij asgjë, as engjëj dhe as tjetër krijesë, por me gjithë këtë Ai përdori formën e shumësit “siç e filluam krijimin e parë”, gjë kjo që i referohet faktit se Allahu i Madhëruar e filloi këtë krijim me emrat e Tij: Shpikësi, Krijuesi Suprem, i Urti, i Gjithëdijshmi, Zanafillësi, Formëdhënësi etj.
“Kur Nuhu na thirri (në ndihmë), Ne iu përgjigjëm më së miri”; dihet fakti se profeti Nuh (Paqja qoftë mbi të!) “iu lut Zotit të vet (me lutjen): “Unë jam i mundur, andaj ndihmomë!”, por përdorimi i shumësit “Na thirri” dhe “Ne iu përgjigjëm”, spikat sesi kjo lutje e bërë prej Nuhut (Paqja qoftë mbi të!) ishte nën ndjesinë e fuqishme që gëzonin tek uni i tij, në momentet e kësaj lutje dhe më gjerë, emrat e shumtë të Allahut të Madhëruar, si: Mbizotëruesi, Ndëshkuesi, i Gjithëfuqishmi, i Gjithëdijshmi, Pendimpranuesi etj.
Së katërti: Përemri vetor hyjnor “Ne” pasqyron praninë e ndihmësve të shumtë të bindshëm që shërbejnë për mbarëvajtjen e urdhrit të Zotit
Me përmendjen e përemrit vetor “Ne” ndodh të synohet gjuhësisht (në gjuhën arabe por edhe më gjerë) edhe i vetmi krahas të cilit gjenden të tjerë që nuk janë të llojit të tij ose gjenden ndihmësa të cilët i binden atij e nuk i përkasin llojit të tij. Bazuar në këtë, thëniet e Allahut të Madhëruar: “të lexojmë, të tregojmë etj.”, i përkasin trajtës së gjuhës arabe me të cilën shprehet kush është në pozitë madhore dhe ka ndihmësat e tij që i shërbejnë çështjes së tij duke iu bindur pa hezitim. Në të këtillë rast, për atë që ndihmësat apo shërbyesit e tij bëjnë me urdhrin e tij, ai thotë: “Ne bëmë…”. Shembulli i kësaj është kur një mbret thotë p.sh.: “Ne e çliruam këtë vend, ose e mundëm këtë ushtri etj.”.
– Për ta përmbledhur, themi se të gjitha trajtat e shumësit me të cilat shprehet Allahu lidhur me Veten e Tij hyjnore, i referohen meritës së Tij për madhështi absolute, emrave e cilësive të Tij të shumta dhe po kështu ndihmësve dhe engjëjve të shumtë që i përkasin ushtrive të Zotit që të bindshëm i shërbejnë Urdhrit të Tij.
Allahu e di më mirë. PSE SHPREHET ZOTI ME PËREMRIN NE
Ju ftojmë ta shpërndani këtë postim, që të përhapet dobia e tij dhe së bashku të marrim shpërblimin e publikuesit të fjalës së mirë.
_____ PSE SHPREHET ZOTI ME PËREMRIN NE
PSE SHPREHET ZOTI ME PËREMRIN NE
Të afërta
Shpërndajeni Fjalën e Mirë: