Numri i fetvasë: 38 MBAJTJA E NUSKAVE ME DHE PA KURAN
Kategoria: YSHTJET-NUSKAT-HAJMALITË
7 192 shfletues/klikues MBAJTJA E NUSKAVE ME DHE PA KURAN
Pyetje: MBAJTJA E NUSKAVE ME DHE PA KURAN
A lejohet mbajtja e nuskave? Po kur ato përmbajnë ajete nga Kurani?
Përgjigjja: MBAJTJA E NUSKAVE ME DHE PA KURAN
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!
Përkufizimi i fjalës nuskë (ose hajmali) në fjalorin e gjuhës shqipe është: “Një copë letër e mbledhur zakonisht si trekëndësh, e mbushur me fjalë të shkruara nga një fetar, që mbahet në trup ose varet në qafë, me mendimin se ka fuqi për të mbrojtur nga një sëmundje ose nga të këqijat.” Përveçse prej letrës, nuska mund të jetë edhe prej çdo sendi tjetër tek i cili konkretizohet përkufizimi i mësipërm.
Dispozita e mbajtjes së nuskave varet nga trajtat e përmbajtjeve të tyre dhe konsideratës që ushqehet lidhur me to. Më konkretisht, trajtat dhe dispozitat e nuskave janë si vjon:
Trajta e parë: Nuska që përmban shirk (idhujtari) të qartë dhe dispozita për këtë lloj nuske është si vijon:
· Besimi se nuska ndikon vetvetiu, konsiderohet idhujtari madhore (blasfemi / felëshim).Lexoni më tepër
Nëse personi beson se kjo nuskë apo personi që e ka bërë atë, ndikojnë vetvetiu (pa iu nënshtruar lejes dhe vullnetit hyjnor të Zotit) dhe janë burimi i drejtpërdrejtë i largimit të dëmit (të keqes, sëmundjes etj.) apo përfitimit të dobisë (të mirës, shërimit etj.), në këtë rast kemi të bëjmë me rënie në shirkun e madh (idhujtarinë madhore), i cili e nxjerr vepruesin e tij nga feja islame. Kjo sepse në rastin në fjalë këta njerëz apo sende shpallen zota veç Zotit, duke qenë se atyre u veshen cilësitë e zotërimit (sundimit/drejtimit) dhe ekzekutimit (përmbushjes së vendimit dhe vullnetit) në mënyrë të pavarur nga Zoti dhe vullneti i Tij hyjnor; gjë që përbën thelbin e idhujtarisë madhore.
· Besimi se nuska është shkak që ndikon vetëm me lejen e Zotit, konsiderohet idhujtari e vogël (mëkat madhor).Lexoni më tepër
Nëse personi beson se as kjo nuskë dhe as ai që e ka bërë atë, nuk ndikojnë në vetvete për shërimin (largimin e dëmit apo sjelljen e dobisë), porse ata janë thjesht shkak që Allahu të jap shërimin, në këtë rast kemi të bëjmë me idhujtari të një grade më poshtë se ajo e idhujtarisë së madhe. Dijetarët kanë thënë se bazimi për largimin e dëmit apo përfitimin e dobisë, në një shkak apo gjë që Allahu nuk e ka ligjëruar, ështe shirk i vogël. Vepruesi i shirkut të vogël i bën Allahut shok në urdhrin dhe vendimin e Tij, duke besuar si shkak të largimit të dëmit dhe përfitimit të dobisë, diçka të cilën jo vetëm që Allahu i Madhëruar nuk e ka ligjëruar të tillë, por përkundrazi e ka ndaluar dhe e ka konsideruar idhujtari përmes gojës të të Dërguarit të Tij (Paqja qoftë mbi të!). Idhujtaria e vogël, ndryshe nga idhujtaria e trajtës madhore, nuk e nxjerr personin nga feja islame, por duhet bërë shumë kujdes prej saj sepse shirku i vogël është arsye dhe mjet për rënien në shirkun e madh dhe është prej mëkateve më të mëdha pas shirkut të madh.
Trajta e dytë: Nuska që përmban ose dyshohet të përmbajë shirk (idhujtari) apo elemente të idhujtarisë:
Këtu hyjnë nuskat që përmbajnë fjalë të pakuptueshme, numra, figura apo forma të tjera të kësaj natyre.Lexoni më tepër
Edhe kjo trajtë merr dispozitën e trajtës së parë, pasi në përgjithësi ka shumë mundësi që ato të jenë magji dhe sipas fjalës më parësore të dijetarëve muslimanë, edhe për raste domosdoshmërie, shërim i sëmundjeve (apo zgjidhja e magjisë) me magji, është konsideruar haram i madh.
Trajta e tretë: Nuska me lutje dhe përmendje të lejuara, të cilat nuk janë Kuran dhe lutje a përmendje profetike:
Në këtë trajtë bëhet fjalë për nuskën që përmban shkrime që s’janë Kuran dhe as hadith, por janë lutje të mira pa përmbajtje shirku. Edhe pse një pjesë e konsiderueshme e dijetarëve i kanë lejuar këto nuska, mendimi më parësor është se ato janë të ndaluara, bazuar në argumentet e përgjithshme të ardhura në trajtën e katërt në vijim.
Trajta e katërt: Nuska me Kuran dhe lutje a përmendje profetike:
Përsa i përket kategorisë së nuskave me Kuran dhe lutje profetike, shumica e juristëve muslimanë e kanë lejuar një gjë të tillë.Lexoni më tepër
Vërejtje: Juristët muslimanë që i kanë lejuar nuskat me Kuran dhe lutje me bazë sheriatike (ligjore islame), këtë lejim e kanë kushtëzuar me kriteret në vijim:
1. Nuska është kusht të ketë bazë në Kuran dhe Sunet (Traditën Profetike), si: të jetë ajet kuranor, prej emrave dhe cilësive të Allahut ose përmendje a lutje sheriatike (në përputhje me normat islame). Kurse nuskat si: patkoi, zhiva, syri blu, unazat a byzylkët dhe ngjashëm që mbahen për fat (prej hekuri, bakri, porcelani etj.), hudra, kukullat e ndryshme, dheu i varreve apo vendeve të ndryshme, copat e ndryshme të rrobave apo gjurmëve të evliave (njerëzve të mirë) etj.; janë rreptësish të ndaluara (haram) dhe nuk janë gjë tjetër veçse besëtytni të devijuara politeiste që njerëzit i kanë trashëguar nga popujt injorantë dhe që nuk kanë asnjë bazë sheriatike (ligjore hyjnore).
2. Ai që e ka shkruar nuskën e lejuar, të jetë musliman i besueshëm që njihet për devotshmërinë dhe përkushtimin e drejtë fetar të tij dhe nuk është prej atyre që e kanë shndërruar këtë gjë në profesion dhe tregti.
3. Nuska (sikurse u përmend në pikën e parë) të mos ketë në përmbajtjen e saj trajta idhujtarie, si: dheun e varrit të një evliau (njeriu të mirë) apo copëza nga rrobat a qefini i këtij të fundit, ose foto të tij; të cilat mbahen për mbrojtje, bereqet apo ruajtje prej të keqes.
4. Nuska të jetë në një gjuhë të kuptueshme, sepse dijetarët e kanë kushtëzuar njëzëri këtë gjë, prandaj ndalohet në mënyrë kategorike nuska me shkrim të palexueshëm a të pakuptueshëm dhe ato që kanë simbole, forma gjeometrike dhe ngjashëm.
5. Nuska të jetë e shkruar me send të pastër, si: bojë a ngjashëm, jo me ndyrësira si: gjak, urinë dhe ngjashëm.
Gjithsesi, fjala më parësore është ajo e juristëve muslimanë që i ndalojnë nuskat e të gjitha formave, edhe në qofshin me Kuran dhe lutje a përmendje profetike, bazuar në argumentimet e tyre të konsiderueshme dhe për t’ia prerë rrugën abuzimit dhe devijimit, sidomos sot në kohët tona kur po abuzohet vërtet shumë me nuskat që qarkullojnë në masën e gjerë të njerëzve, të cilat dendur janë gjetur në kundërvajtje me dispozitat e fesë islame.
Allahu e di më mirë. MBAJTJA E NUSKAVE ME DHE PA KURAN
Ju ftojmë ta shpërndani këtë postim, që të përhapet dobia e tij dhe së bashku të marrim shpërblimin e publikuesit të fjalës së mirë.
_____ MBAJTJA E NUSKAVE ME DHE PA KURAN
MBAJTJA E NUSKAVE ME DHE PA KURAN
Të afërta
Shpërndajeni Fjalën e Mirë: