Numri i fetvasë: 336 FESTAT NË ISLAM-KUPTIMI DHE URTËSIA
Kategoria: DASHURIA DHE URREJTJA E MONOTEISTIT
3 134 shfletues/klikues FESTAT NË ISLAM-KUPTIMI DHE URTËSIA
Pyetje: FESTAT NË ISLAM-KUPTIMI DHE URTËSIA
Me afrimin e fundvitit por edhe më gjerë, bëhemi shpesh dëshmitarë të qëndrimeve ndër disa muslimanë se nuk përbën problem që të festohen apo thënë ndryshe të bëhemi palë në aspektin tradicional, sa i përket festave që nuk kanë karakter të qartë fetar dhe që thjesht bëjnë pjesë tek traditat njerëzore. A mund të na ndriçoni mbi këndvështrimin që duhet të ketë muslimani/a mbi kuptimin dhe urtësinë e festave sipas fesë islame?
Përgjigjja: FESTAT NË ISLAM-KUPTIMI DHE URTËSIA
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!
Së pari: Përkufizimi gjuhësor dhe terminologjik i festës
Fjala arabe “I’jd” prej ku e merr emërtimin fjala “ritual / festë / kremtim / ngjarje apo ditë e shënuar”, ka kuptimin gjuhësor: “rregullsi apo shprehi”, “sezon apo periudhë”, “afrim, mall apo shqetësim, i përsëritur”, “ditë apo kohë grumbullimi”, “koha kur rikthehet gëzimi dhe hidhërimi”, “çfarë kthehet rregullisht për çdo vit me hare të rinovuar” etj.
Ndërsa në aspektin terminologjik fetar islam, fjala arabe “I’jd / ritual / festë / kremtim” nënkupton: “një tubim apo grumbullim të rregullt të bërë zakon (shprehi), që rivjen me kthimin e vitit, muajit, javës ose ngjashëm me këtë dhe që ngërthen (përmban) në vetvete disa gjëra, ku kryesoret janë: (elementi i parë) ditën e rikthyer periodikisht, (elementi i dytë) tubimin / grumbullimin që bëhet në atë ditë dhe (elementi i tretë) veprimet e sojit të adhurimeve apo traditës që bëhen në atë ditë”; pra festa apo kremtimi përbën një ritual të rregullt kohor / ditor, që bëhet në përkujtim / shënim të ngjarjes së një gëzimi a një ndodhie që ka ngjarë në këtë kohë / ditë dhe (që bëhet) në shprehje të falënderimit (me fjalë e vepra falënderuese) ose si konsideratë për këtë kohë / ditë, në kohën që korrespondon me këtë ngjarje.Lexoni më tepër
Pikërisht në këtë kontekst, disa nga dijetarët e shquar muslimanë shprehen si vijon:
Ibn El-Kajimi thotë: “I’jd (Ritual / Festë / Kremtim) përbën një vend a kohë, që vjen dhe synohet (planifikohet) rregullisht; sa i përket kohës kjo është si në thënien profetike: ‘Dita e Arafatit (dita para Kurban Bajramit / 9 Dhul Hixhe), Dita e Kurbanit (Kurban Bajrami / 10 Dhul Hixhe) dhe Ejemu Et-Teshrik (tre ditët pas Kurban Bajramit / 11, 12 dhe 13 Dhul Hixhe) [për muslimanët në mbarë botën] janë festa (rituali) jonë, popullit të Islamit (muslimanëve) dhe janë ditë ngrënie dhe pirje [nuk agjërohen]’; kurse sa i përket vendit është si në transmetimin ku vjen se një person i tha të Dërguarit të Allahut: ‘Jam zotuar që të therr një deve në Buena.’ Profeti (Paqja qoftë mbi të!) tha: ‘A ka pasur në të ndonjë idhull prej idhujve të xhahilijes (injorancës paraislame) që adhurohej?’ Të pranishmit i thanë: ‘Jo.’ Profeti (Paqja qoftë mbi të!) tha: “A ka pasur në to festë (grumbullim ritual) prej festave (grumbullimeve rituale) të tyre?’ Të pranishmit i thanë: ‘Jo.’ Profeti (Paqja qoftë mbi të!) i tha: “Përmbushe zotimin tënd!’; apo si thënia profetike: ‘Mos e bëni varrin tim ritual (festë)’.
Kësisoj, fjala “I’jd / festë / kremtim” e ka prejardhjen nga “rituali / rikthimi / rregullsia” ose “shprehia / bërja zakon”; që nëse është emër vendi me të nënkuptohet vendi ku synohet të bëhet grumbullimi dhe mësymja e tij (shkuarja në të) për adhurim ose tjetërçka; ashtu siç Mesxhidi Haramin (Xhaminë e Mekës që ka në qendër Qaben), Minanë, Muzdelifenë, Arafatin dhe Vendkryerjet e Ritualeve të Haxhit (El-Mesha’ir), Allahu i ka bërë për besimdrejtët (muslimanët) festë (vende të ritualeve festive, të cilave muslimanët u kthehen dhe drejtohen rregullisht) dhe të këtilla (rituale festive) i ka bërë edhe ditët e adhurimit në këto vende. Edhe idhujtarët kishin ritualet (festat) e tyre kohore e vendore, por kur Allahu solli Islamin, i shfuqizoi ato (ritualet / festat idhujtare) dhe në vend të tyre i kompensoi (zëvendësoi) besimdrejtët me festën e Fitër Bajramit, Kurban Bajramit dhe festën e Ditëve të Minasë (Ditëve të Teshrikut) dhe ashtu siç në vend të territoreve festive të idhujtarëve, i zëvendësoi besimdrejtët me Qaben, Mesxhidi Haramin, Arafatin, Minanë dhe Vendkryerjet e Ritualeve të Haxhit (El-Mesha’ir).”
Es-Sudiju, thotë (në lidhje me thënien kuranore): “O Allah, o Zoti ynë! – tha Isai, i biri i Merjemes – Zbritna një sofër nga qielli, që të jetë festë për ne, për të parin dhe të fundmin tonë dhe të jetë mrekulli prej Teje dhe na jep mirësi, se Ti je Dhuruesi më i mirë!”; “[komentimi i fragmentit kuranor ‘të jetë festë për ne’ është:] Ditën në të cilën e zbrite, ta marrim si festë, ta madhërojmë atë, ne dhe ata që do vijnë pas nesh.”
Ez-Zemakhsheriu thotë: “El-I’jd (Ritual /Festë) është: gëzimi ritual (periodik), prandaj edhe thuhet “Dita e I’jd-it (Ritualit festiv).”
Ibn A’shur thotë: “ ‘El-I’jd / ritual kremtues’ është emërtim i ditës që kthehet për çdo vit, përkujtim lidhur me një mirësi ose ngjarje që ka ndodhur në të, për të falenderuar (me fjalë dhe vepra) ose nxjerrë përfitime (mësime).”
Së dyti: Festat islame legjitime janë të caktuara dhe nuk mund të pësojnë shtesë
Koha dhe vendi janë veç dy rrethanorë të ngurtë që bën të madhërohen vetëm në rastet që i ka veçuar me madhërim ligji islam.Lexoni më tepër
Kësisoj, ditët që ka veçuar sheriati (ligji islam) janë: Fitri (Fitër Bajrami), Arafati, Dita e Kurbanit (Kurban Bajramit) dhe Ditët e Teshrikut, të cilat janë për çdo vit; si dhe Dita e Premte / Xhuma për çdo javë; dhe pikërisht në lidhje me këtë kuptim të festës, sipas kornizave të ligjit islam, Ibn Abidini thotë: “Festa (Rituali periodik) është emërtuar me këtë emër: sepse në të Allahu ka bërë të gjenden periudha të mirësisë, pra lloje të mirash që u vijnë robërve të Tij në mënyrë të rregullt vjetore, prej të cilave janë: Fitri (Festa e Fitër Bajramit që vjen) pas ndalimit të ngrënies (agjërimit), sadakaja e Fitrit, plotësimi i haxhit me Tavafin e Vizitës, mishi i kurbanëve etj.; dhe sepse përgjithësisht shprehia (rregulli) në të (ritualin festiv fetar islam) është hareja, gëzimi, gjallëria dhe kënaqësia për këtë shkak.”
KUR JANË DY BAJRAMET-SA DITË KA SECILI
Referuar në këndvështrimin normativ fetar islam të cekur më sipër, festat islame që i ka lejuar ligji islam janë të caktuara dhe nuk mund të pësojnë shtesë, pasi festat i takojnë sojit të ritualit (fetar) të çdo populli dhe së këtejmi nuk është në rregull që të veçohet / fiksohet një ditë e caktuar me një madhërim të cilin nuk e ka veçuar sheriati (ligji islam), bazuar në thënien kuranore: “Për çdo popull, Ne kemi caktuar një ritual, që ata të përmendin emrin e Allahut gjatë flijimit të kafshëve, që Ai ua ka dhuruar për ushqim“; lidhur me të cilën Ibn Xheriri ka thënë: “Nënkupton se ‘për çdo popull të një profeti të Zotit, ka ritual (të caktuar)’ dhe origjina e ritualit në të folurin e arabëve është ‘vendi ku shkon rregullisht njeriu në mënyrë të përsëritur, për mirë ose për keq’; teksa Ibn Abasi (po në lidhje me këtë thënie kuranore) thotë: “‘Për çdo popull, Ne kemi caktuar një ritual‘, pra ‘një festë / kremtim’.” Pikërisht në këtë vazhdë vjen edhe thënia tjetër kuranore: “Ne kemi caktuar për çdo popull rregulla fetare (ritual), sipas të cilave ata shkojnë.“Lexoni më tepër
Në lidhje me këtë çështje, vjen edhe transmetimi i Aishes se “‘Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) ka hyrë tek ajo, ku ka gjetur dy prej vajzave të ensarëve / medinasve (të cilat gjendeshin tek Aishja, teksa [para Ebu Bekrit] kishte hyrë tek ajo i Dërguari i Allahut, Paqja qoftë mbi të, që më pas qe shtrirë në shtrojë dhe kishte kthyer fytyrën mënjanë), që [dy vajzat] po këndonin mbi të thënat e ensarëve (medinasve) në [lidhje me] Ditën e [Ngjarjes së] Buathit dhe ato [dy vajzat] nuk ishin këngëtare.’ Ebu Bekri tha: ‘A pipëza e shejtanit në shtëpinë e Profetit (Paqja qoftë mbi të!)?!’ Kjo [ngjarje] – thotë Aishja – ishte në ditën e Festës së Fitër Bajramit. Sakaq – vijon Aishja – i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) tha: ‘O Ebu Bekër (lëri ato), faktikisht çdo popull ka festë (ritual) dhe kjo është festa jonë.'”
Po në këtë kontekst, në një tjetër transmetim profetik vjen: “Kur Profeti (Paqja qoftë mbi të!) erdhi në Medine, medinasit kishin dy ditë (ditën e Novruzit dhe atë të Mahraxhanit) në të cilat luanin (dëfrenin). Për këtë, ai (Paqja qoftë mbi të!) u tha: ‘Faktikisht Allahu ua ka zëvendësuar me dy ditë më të mira se ato të dyja: [në një transmetim tjetër vjen se Profeti (Paqja qoftë mbi të!) u tha: ‘Keni pasur dy ditë në të cilat luanit (dëfrenit) dhe Allahu faktikisht ua zëvendësoi ato me më të mira:’] me ditën e Fitrit (Fitër Bajramit) dhe të Kurbanit (Kurban Bajramit)’”; ku siç duket qartë nga trajta e transmetimit, medinasit nuk është se bënin adhurime të caktuara të gabuara në këto ditë, por thjesht ngaqë ata e kishin bërë ritual (mblidheshin rregullisht) të dëfrenin dhe lodronin në këto ditë, u erdhi ndalimi i të tillë gjëje dhe orientimi se ritualet e tyre festive duhet të zëvendësoheshin dhe zinin vend në dy festat sheriatike (legjitime islame) të Fitër Bajramit dhe Kurban Bajramit.
Së treti: Rregulli normativ i festës së ngjyrimit fetar
Një ritual festiv joislam, konsiderohet bidat josheriatik (jolegjitim), nëse dita / koha e tij periodike është caktuar, përzgjedhur dhe synohet në vetvete (ashtu që kjo ditë / kohë nuk bën të shtyhet dhe as afrohet), nëse madhërohet për arsye të një ngjarje të ndodhur në këtë kohë dhe sidomos nëse rituali festiv i saj shoqërohet me veprime të dedikuara për këtë ditë / kohë (si: grumbullimet, dhuratat, urimet, gostitë etj.) që bartin tipare të dukshme të ritualitetit festiv qoftë me elemente qartësisht fetare ose tradicionale (sidomos kur tek ritualiteti i festës tradicionale spikat dorëzimi tek traditat imituese joracionale / të pakapshme për arsyen, që janë të krahasueshme / përngjashme me ato fetare); elemente këto që e bëjnë të tillë festë konkurrente (të krahasueshme) me festën legjitime (të ligjëruar nga burimet ligjore islame).Lexoni më tepër
Ndërkaq, bazuar në mendimin e juristëve muslimanë të përmbajtur (rigorozë), rregulli normativ i ritualit festiv fetar, është se “parimisht çdo vepër dhe fjalë e planifikuar për një kohë të caktuar (thënë ndryshe ritual), që përsëritet me t’u kthyer kjo kohë, duhet të bazohet në burimet ligjore islame”; përndryshe konsiderohet ritual / festë e sajuar (bidat i pabazë), edhe nëse njerëzit ia ndryshojnë emërtimin (nuk e quajnë festë fetare), për më tepër konsiderohet kësisoj nëse krahas fiksimit periodik (ritual) të kësaj dite, spikaten në të edhe veprime të tjera që bëhen për arsye të kësaj dite / kohe, si: hareja, grumbullimi, urimet, dhurimet, lodrimet, ngrënia dhe pirja etj.
Më konkretisht, me rituale / festa josheriatike (jolegjitime) që konsiderohen konkurrente (krahasuese / përngjasuese) me ato sheriatike (ligjore isalme), kemi të bëjmë nëse dita e një rituali festiv synohet në vetvete, pra kur kjo ditë përzgjidhet dhe madhërohet në vetvete për arsye të një ngjarje të caktuar të ndodhur në të dhe kur për festimin e kësaj dite bëhet një angazhim i tillë që obligon një përkujdesje (vëmendje, përpjekje dhe mbarëvajtje) të atillë që në kohën e kësaj dite: të sundojë hareja, të grumbullohen njerëzit, të mbahen fjalime, të bëhen urime dhe dëfrime, si dhe të lihen mënjanë punët e tjera.
FESTAT JOLEGJITIME-QËNDRIMI I PËRMBAJTUR
Së katërti: Urtësia e ligjërimit të festave në IslamLexoni më tepër
Faktikisht, festa në fenë islame ka një kuptim të veçantë që e bën atë unike mes të gjitha feve, bindjeve, traditave dhe kombeve; ajo (festa islame) përbën bindje ndaj Allahut të Madhëruar, hare të bekuar fetare, ëndje (dëfrim) në jetën e kësaj dynjaje, spikatje të fuqisë dhe vëllazërisë; ajo (festa islame) konsiston në lumturi shpirtërore me rastin e ngadhënjimit të vullnetit të mirë mbi pasionet dhe epshet, çlirim prej tundimeve të djajve njerëzorë dhe prej atyre nga xhindët, kënaqje me bindjen ndaj Zotit të botëve dhe me premtimin e Tij fisnik hyjnor të shpërblimit me Xhenetin e begatë dhe shpëtimin prej Zjarrit të Xhehenemit që u është premtuar festuesve besimdrejtë.
Nga urtësitë më kryesore të festës në Islam do spikasnim dy urtësitë në vijim:
Urtësia e parë: Festa islame përbën falënderim monoteist dhe të padevijuar, larg përngjasimit të festave pagane dhe të devijuara
Festa u ligjërua për muslimanët si falënderim monoteist i padevijuar me fjalë dhe vepra kundrejt Allahut të Madhëruar, larg përngjasimit me festat pagane dhe të devijuara të idhujtarëve dhe jobesimtarëve.Lexoni më tepër
Kjo bazohet në transmetimin e Ibn Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në të cilin vjen se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush i përngjan një populli, i atilli është prej tyre”; pra në këtë transmetim profetik përfshihet kush u përngjan me vetëdije jobesimtarëve, në gjërat që përbëjnë veçori të jetës së tyre rituale fetare, i këtilli është prej tyre (jobesimtarëve) në vlerën e përbashkët të ngarkimit me mëkatin në të cilin u pëngjason atyre, varësisht nëse ka rënë në mosbesimin e tyre, apo mëkatet ose ritet që bëjnë ata.
Urtësia e dytë: Festa islame përmbush nevojën natyrale të njeriut për argëtim
Feja islame është fe e natyrshmërisë njerëzore dhe duke qenë se prej natyrshmërisë së njeriut është se ai ka nevojë për argëtim dhe çlodhje, për këtë feja islame ligjëroi për muslimanin festën.Lexoni më tepër
Kjo bazohet në transmetimin e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se Profeti (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Le ta dinë hebrenjtë [e të krishterët, si dhe mbarë të tjerët] se në fenë tonë (në Islam) ka gjerësi; faktikisht unë jam dërguar me fenë e prirur [që mban anën e të drejtës hyjnore, mënjanë devijimeve] tolerante (Islamin e gjerë).”, lidhur me të cilin vjen se në ditën e performancës së lojës me heshta të abisinasve në Xhaminë e Profetit (në Medine) me rastin e Festës, kur Umeri deshi t’i ndalonte ata nga kjo performancë,- pasi me sa duket Umeri nuk kishte dijeni mbi praninë e Profetit (Paqja qoftë mbi të!) në këtë mes,- i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) i ka thënë Umerit që t’i lerë abisinasit të performojnë dhe këtyre të fundit u ka thënë të vijojnë me performancën e tyre, si dhe ka shtuar arsyen e sa në fjalë, duke thënë se kjo është që ta dinë hebrenjtë dhe të krishterët se në fenë tonë (në Islam) ka gjerësi, pra se feja islame ka hapësirë për lodrime legjitime dhe çlodhje, në kohëra të ditura, që janë të një forme të tillë që nuk i cenojnë normat sheriatike (ligjore islame).
Allahu e di më mirë. FESTAT NË ISLAM-KUPTIMI DHE URTËSIA
Ju ftojmë ta shpërndani këtë postim, që të përhapet dobia e tij dhe së bashku të marrim shpërblimin e publikuesit të fjalës së mirë.
_____ FESTAT NË ISLAM-KUPTIMI DHE URTËSIA
FESTAT NË ISLAM-KUPTIMI DHE URTËSIA
Të afërta
Shpërndajeni Fjalën e Mirë: