Numri i fetvasë: 465 DISPOZITA E BIRRËS ME 0.0% ALKOOL
Kategoria: DISPOZITA TË PIJEVE
42 shfletues/klikues DISPOZITA E BIRRËS ME 0.0% ALKOOL
Pyetje: DISPOZITA E BIRRËS ME 0.0% ALKOOL
A mund të na sqaroni në lidhje me qëndrimin e juristëve muslimanë në favor ose kundër përdorimit të “birrës me 0.0% alkool”, pasi në një postim të mbështetësve të mendimit ndalues argumentohet se: shumica e dijetarëve muslimanë thonë se birra “0.0%” nuk është hallall, edhe nëse etiketa thotë pa alkool; ajo është birrë nga origjina (prodhohet me fermentim / alkoolizim) prandaj është pije alkoolike në thelb, pastaj i hiqet alkooli; “0.0%” nuk është realisht zero por lejohet ligjërisht deri ~0.05% ose ndonjëherë më shumë; sipas hadithit nuk gjykohet vetëm përqindja, por edhe lloji i pijes: kjo birrë ngjan dhe promovon alkoolin prandaj ndalohet në kuadrin e parimit islam “sadd al-dharai / mbyllja e rrugëve që çojnë te harami“; tek medh’hebet (shkollat juridike) kryesore (hanefitë, malikitë, shafi’itë dhe hanbelitë) ajo konsiderohet përgjithësisht haram dhe vetëm disa mendime minoritare bashkëkohore flasin për lejim me kushtin që pija të mos jetë fermentuar fare, por kjo nuk vlen për birrën, sepse birra pa përjashtim vjen nga fermentimi.
Përgjigjja: DISPOZITA E BIRRËS ME 0.0% ALKOOL
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!Lexoni më tepër
A është “birra me 0.0% alkool” hallall (e lejuar sipas Islamit)? Pyetje që qarkullon në mesin tonë dhe ku jemi ballafaquar me qëndrimet ndaluese apo lejuese të disa prej hoxhallarëve tanë të nderuar. Xhemati (komuniteti i besimtarëve muslimanë) duhet të qetësohet, sepse fakti se në një çështje të caktuar ka mospajtim mes dijetarëve dhe hoxhallarëve tanë të nderuar, tregon se kjo çështje, nuk është kategorike por është toleruar në jurisprudencën islame dhe është e natyrshme të ketë larmi mendimesh në lidhje me të.
Me pak fjalë dispozita është se juristët muslilmanë në lidhje me këtë çështje ndajnë dy mendimet kryesore në vijim:
Mendimi lejues: Disa prej juristëve muslimanë e lejojnë “birrën 0.0% alkool” me argumentet kryesore: (së pari) se ajo nuk është dehëse edhe kur pihet në masë të madhe dhe se (së dyti) lejimi i përpunimit / pastrimit të saj nga baza e saj alkoolike dhe më pas lejimi i pirjes së saj përbën një mendim të fuqishëm ndër juristët muslimanë (sidomos në medh’hebin hanefi) dhe për më tepër sepse përpunimi në fjalë bëhet nga jomuslimanët (hebrenjtë, të krishterët etj.), të cilët e lejojnë verën (pijen alkoolike) në fenë e tyre (ndaj atyre u lejohet vera etj. mes veti edhe nëse jetojnë në shtet islam).
Mendimi ndalues: Ndërkaq të tjerë juristë muslimanë e ndalojnë “birrën 0.0% alkool” duke i rrëzuar arsyetimet e lejuesve me argumentet kryesore: (së pari) se kjo birrë është e ndaluar nga shumica dërrmuese e juristëve muslimanë pasi heqja e alkoolit prej saj, vjen pasi ajo është fermentuar (alkoolizuar) më parë; (së dyti) se vlera “0.0 alkool e shënuar në të” tolerohet nga ligji perëndimor që të vendoset edhe për vlerën reale 0,05% ose edhe më shumë; dhe (së treti) se duhet të “bllokohet preteksti (Seddu edh-Dheria’h)” përmes ndalimit të kësaj birre ngase ajo është e dyshimtë pasi është palë me llojin e pijeve alkoolike, ngjan me to, promovon alkoolin dhe cenon / vë në dyshim personalitetin fetar të konsumuesit / shitësit të saj.
Në përfundim, nga studimi i mendimeve të dy palëve, rezulton, siç janë shprehur juristë tanë të nderuar, se në këtë çështje ka vend për tolerancë dhe larmi mendimesh, pra se ai që ndjek njërin prej mendimeve në fjalë, qoftë komision fetvash apo mufti (hoxhë i kualifikuar) i besueshëm, nuk ka pse ngushtohet dhe se nuk është e detyrueshme për ndjekësin që të ndjekë një mufti të caktuar, individ apo këshill apo ngjashëm. Megjithatë, më e rezervuar është që një pije e tillë të shmanget.
Ndërsa në mënyrë më të zgjeruar, për çështjen në fjalë, thuhet sa vijon:
Çështja e parë: Shkaku i ndalimit të pijeve alkoolike
– Shkaku i ndalimit të verës (dhe pijeve alkoolike) është ekzistenca e kapacitetit dehës
Juristët muslimanë janë shprehur se shkaku i ndalimit të alkoolit është dehja, sepse dehja përbën një cilësi të dukshme, të përcaktuar dhe të përshtatshme për këtë ndalim. Ndërkaq, pija alkoolike konsiderohet e ndaluar (haram), edhe nëse ai që e pi nuk dehet prej saj, sepse përvoja apo konkluzioni s’është nëse personi dehet apo jo, por është nëse kjo pije është e aftë (normalisht) që të shkaktojë dehje apo jo.Lexoni më tepër
Dijetari i shquar musliman, El-Munaui, në përpilimin e tij “Fajdu el-Kadir”, thotë: “Kjo do të thotë, se nëse ajo (pija) përmban aftësi (kapacitet) për dehje, përdorimi i saj ndalohet edhe nëse ai që e konsumon nuk dehet nga sasia që ka pirë.”
Së këtejmi, fakti që personi mbase nuk ndikohet (nuk dehet) fare nga pirja e alkoolit (edhe nëse e pi në masë të madhe), nuk ka lidhje me ndalimin apo lejimin e alkoolit, porse dihet se alkooli është bërë haram me tekst të qartë hyjnor deri në Ditën e Kiametit, qoftë nëse ai që e pi dehet apo nuk dehet.
Bazuar në sa më sipër, bëhet e qartë se në këtë rast ajo që merret në konsideratë është prania e fuqisë së dehjes (aftësisë dehëse) edhe nëse kjo (fuqi / aftësi) shfaqet (vetëm pas pirjes) në sasi të madhe, sasi kjo të cilën njeriu nuk mund ta pijë përnjëherësh, siç është “ferak”-u që përmendet në hadithin profetik referent (1 ferak ≈ 8.3 litra). Kësisoj, fuqia e dehjes konsiderohet e vërtetuar për çdonjërin, edhe kur pija ka dehur të tjerë njerëz, duke qenë se boshti i ndalimit është pikërisht dehja.
Çështja e dytë: Studimi i hadithit (tekstit profetik) referent
Së pari: Teksti profetik referent i ndalimit të pijeve dehëse:
Nëna e Besimtarëve, Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se Profeti, paqja qoftë mbi të, ka thënë: “Çdo gjë dehëse është e ndaluar (haram) dhe çfarë të deh në masën e ferakut [1 ferak ≈ 8.3 litra] (në masë të madhe), atëherë edhe një mbushje e shuplakës (edhe fare pak) prej saj është e ndaluar.”
Së dyti: Vlera e masës “ferak” dhe përqindja e alkoolit në të, në rastin e “birrës 0.0% alkool”
– Vlera e “ferak”-ut në litra
Autorët e “Fjalorit të Gjuhës së Fukahave / Juristëve” e kanë vlerësuar “ferak”-un me 8.244 litra, kjo referuar tek mendimi i shumicës së dijetarëve muslimanë në përcaktimin e masës së sa‘it. Edhe doktor El-Kharuf e ka vlerësuar atë, sipas medh’hebit të shumicës, me 8.263 litra.Lexoni më tepër
– Llogaritja e pranisë së alkoolit në masën “ferak” të birrës me 0.0% alkool
Lind pyetja: Sa alkool mban kjo sasi birre prej afërsisht 8.3 litrash, kur edhe pse ajo shënon 0.0 % alkool, sipas disa mendimeve të ekspertëve mund të ketë deri në 0,05 % alkool?
Sasia e krejt birrës në masën “ferak”: ≈ 8300 ml; përqindja e alkoolit në të: 0.05% = 0.0005; dendësia e alkoolit: ≈ 0.789 g/ml; alkool i pastër (vëllim): 8300 × 0.0005 = 4.15 ml alkool, kurse në gram: 4.15 × 0.789 ≈ 3.27 gram alkool; pra 8300 ml birrë me 0.05% alkool, përmban rreth 3.27 gram alkool.
Duke ditur se të dhënat tregojnë që sasia reale e birrës që mund të pijë njeriu përnjëherësh është 1–2 litra (maksimumi 3 – 4 litra për persona trupmëdhenj), kufiri ligjor islam prej 8,3 litra i bie të jetë një supozim shumë i rezervuar (rreth dy fish), gjithsesi edhe sipas këtij supozimi, sipas ekspertëve, sasia e alkoolit prej 3.27 gram (që konsumohet në rastin në fjalë) është shumë pak, nuk deh dhe zakonisht nuk shfaqet në testin e alkoolit.
Së treti: Birra me “0.0% alkool” dhe ajo me “0% alkool”
Kujdes, mendimi lejues i juristëve muslimanë ka të bëjë me birrën me “0.0% alkool”, kurse birra me “0% alkool” nuk është e toleruar, prandaj kushdo ndjek mendimin lejues duhet të bëj kujdes që shifra në etiketë të jetë “0.0% alkool” dhe jo “0% alkool”.
Çështja e tretë: Birra jo-dehëse dhe dispozita e saj kur përftohet pas fermentimit
Së pari: Birra që konsiderohet jo-dehëse
Birra konsiderohet jo-dehëse, qoftë nëse është plotësisht pa alkool, ose qoftë kur përmban një përqindje shumë të vogël alkooli që nuk arrin në kufirin e dehjes, sado që njeriu të pijë prej saj. Kjo është ajo për të cilën dijetarët kanë dhënë fetva (orientim juridik) se është e lejuar (hallall).Lexoni më tepër
Kuptimi i anasjelltë këtu është se, ajo çfarë sasia e madhe e saj nuk deh, është e lejuar (hallall) dhe [përderisa vërtetohet se] këto pije nuk shkaktojnë dehje (sado që njeriu të pijë prej tyre), nuk është e domosdoshme të përmenden (detajet e përmbajtjes alkoolike) brenda përbërësve të pijes apo ushqimit ku ato gjenden, sepse mosdeklarimi i tyre nuk ka ndikim (në gjykimin e lejueshmërisë).
Juristi i shquar El-Karadavi thotë: “E përderisa ndalimi bazohet te dehja, atëherë lënda vepruese e dehjes është “alkooli”, siç e kanë përcaktuar ekspertët dhe analizat. Prandaj, nëse vërtetohet se një lloj birre është pa alkool, dhe zemra e muslimanit qetësohet për këtë, atëherë nuk ka pengesë që ta pijë. Por nëse vërtetohet se ajo përmban një sasi alkooli, qoftë edhe të vogël, të tillë që sasia e madhe prej saj deh, atëherë ajo është e ndaluar (haram)… Dëshiroj të tërheq vëmendjen se kjo përqindje e alkoolit, dhe çdo gjë që ka të njëjtin gjykim me të, nëse i shtohet qëllimisht pijes, pa ndonjë nevojë shëndetësore apo mjekësore, ose nevojë të ngjashme, atëherë ai që e shton bie në mëkat për këtë veprim. Edhe pse kjo nuk ndikon në lejueshmërinë e pijes në fjalë për atë që e konsumon.”
Pra nëse pija përmban një përqindje alkooli, por nuk shkakton dehje edhe po të pihet në sasi të mëdha, atëherë këta dijetarë janë të mendimit se nuk ka ndalesë në pirjen e saj, sepse alkooli është asgjësuar në lëngun e pastër. Megjithatë, më e sigurt (më e rezervuar) është që një pije e tillë të shmanget. Ndërsa nëse pirja e sasive të mëdha prej saj deh, atëherë nuk ka asnjë dyshim për ndalimin e saj dhe ai që e konsumon konsiderohet pirës i verës (alkoolit), edhe nëse konsumon vetëm një sasi të vogël prej saj.
Së dyti: Birra jo-dehëse e përftuar pas fermentimitLexoni më tepër
Ekspertët përmendin se ekzistojnë tre metoda kryesore për prodhimin e birrës me 0.0% alkool:
Metoda 1: Fermentimi / Alkoolizimi i kontrolluar (i ndërprerë), metoda më e vjetër, më e lirë, por shpesh që lë gjurmë alkooli, ku majaja prodhon alkool minimal, fermentimi ndalet shumë herët dhe alkooli mbetet më i vogël ose i barabartë me 0.05% ose hiqet plotësisht.
Metoda 2: Heqja e alkoolit pas fermentimit (shndërrimit të majasë në alkool), që është edhe metoda më e shpeshtë e përdorur nga markat e mëdha ndërkombëtare, ku birra fermentohet normalisht dhe alkooli hiqet më vonë (me vakum, osmozë, ose distilim të butë) dhe rezultati “0.0% alkool” konsiderohet real. Kjo është metoda më e shpeshtë sot, sidomos për birrat 0.0% moderne, që përdoret më shumë sepse jep shije më të mirë, më afër birrës normale, lejon kontroll të saktë të alkoolit 0.0% real dhe është e sigurt ligjërisht për testet e alkoolit. Nëse në etiketë e birrës shkruan “0.0% alkool”, me shumë gjasë ajo është bërë me këtë metodë (largimin e alkoolit pas fermentimit).
Metoda 3: Majaja speciale, që pothuajse nuk prodhon alkool dhe ku sheqernat nuk shndërrohen në etanol, më pak e përhapur dhe ende në zhvillim.
Së treti: Dispozita për metodën e dytë / Dispozita e birrës jo-dehëse të përftuar pas fermentimit
Me sa u pa qartë tek metodat e prodhimit të birrës me 0.0% alkool, metoda kryesore e prodhimit të saj është ajo e dyta, ku ndeshemi me problemin juridik islam të kapitullit “largimi i alkoolit nga pijet e fermentuara / alkoolizuara” apo “shndërrimi i verës në uthull”, gjë në lidhje me të cilën thuhet sa vijon:
Juristët islamë janë pajtuar se vera (dhe çdo pije alkoolike) bëhet e pastër kur shndërrohet vetvetiu (pa ndërhyrjen e vepruesit njerëzor) në uthull (apo i largohet alkooli), pra largimi apo asgjësimi i lëndës dehëse nga çdo pije e bën të lejuar konsumimin e saj nëse kjo lëndë zhduket vetvetiu, sepse shkaku i ndalimit, siç u përmend më herët, është dehja.
Kurse sa i përket situatës së shndërrimit të verës (pijes alkoolike) në uthull (pije jo-dehëse) me ndërhyrjen njerëzore, thuhet sa vijon:
Situata e parë: Dispozita e trajtimit të verës (pijes alkoolike) për të larguar lëndën dehëse prej saj
Në lidhje me këtë rast juristët muslimanë ndajnë dy mendimet në vijim:
Mendimi i parë: Nuk lejohet trajtimi njerëzor i verës (pijes alkoolike) me synimin për ta bërë uthull (apo hequr / larguar prej saj lëndën dehëse)Lexoni më tepër
Trajtimi njerëzor i verës (pijes alkoolike) me synimin për ta bërë uthull (apo hequr / larguar lëndën dehëse), është haram (i ndaluar) sipas mendimit më të fuqishëm, që përbën edhe mendimin e shumicës së dijetarëve (shafi‘ive, hanbelive dhe një transmetim të malikive). Ata thonë se nëse vera trajtohet derisa të shndërrohet në uthull, duke hedhur në të uthull, qepë ose kripë, ose duke ndezur zjarr pranë saj me qëllim shndërrimin në uthull, atëherë ky trajtim është i ndaluar (haram).
Së këtejmi, sipas mendimit më të fuqishëm, ndalohet edhe trajtimi / përpunimi i verës (pijes alkoolike) për ta hequr prej saj lëndën dehëse (alkoolin), pasi kjo çështje i ngjan “ndalimit të shndërrimit të verës në uthull (me ndërhyrje njerëzore)”.
Konkluzionet në fjalë, mbështetësit e këtij mendimi i kanë bazuar në sa vijon:
Hadithin (transmetimin profetik) nga Enes ibn Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të, ku vjen se Profeti, paqja qoftë mbi të, kur u pyet për verën a bën të shndërrohet në uthull, – tha: “Jo.”, si dhe në hadithin (transmetimin profetik) po nga Enes ibn Maliku, ku vjen se Ebu Talha e pyeti Profetin, paqja qoftë mbi të, për disa jetimë që kishin trashëguar verë, dhe Profeti, paqja qoftë mbi të, tha: “Derdheni atë.” Ebu Talha tha: “A ta bëjmë uthull?” Profeti tha: “Jo.”
Po kështu sipas mendimit të këtyre juristëve kjo dispozitë shërben edhe për të parandaluar dëmin (mbyllur rrugën të keqes) që ky trajtim / përpunim të bëhet shkak për përhapjen e shitjes dhe tregtimit të verërave (pijeve alkoolike), me pretendimin e ripërpunimit të tyre dhe heqjes së alkoolit prej tyre.
Mendimi i dytë: Lejohet trajtimi i verës (pijes alkoolike) me synimin për ta bërë uthull (apo hequr / larguar prej saj lëndën dehëse)Lexoni më tepër
Disa juristë të tjerë muslimanë janë të mendimit se shndërrimi i verës në uthull është i lejuar dhe ata nuk bëjnë dallim mes shndërrimit me trajtim (ndërhyrje njerëzore) dhe atij të vetvetishëm. Të këtij mendimi janë edhe juristët hanefi dhe ky është edhe mendimi më i fuqishëm i malikive.
Këta juristë e kanë argumentuar këtë mendim të tyre me thënien profetike: “Shumë lëng i mirë (për të kapërdirë bukën) është uthulla.”
Tjetër argument që përdorin juristët e këtij mendimi, është fakti se shndërrimi i verës në uthull e largon cilësinë e dëmshme dhe vendos cilësinë e dobishme, se në të ka dobi shëruese, ushqyese dhe dobi të tjera; se kur (përmes trajtimit / përpunimit) largohet e dëmshmja (lënda dehëse) që e bën pijen e verës të ndaluar, kjo e fundit (pija që mbetet) bëhet e lejuar, njëjtë si në rastin e shndërrimit të vetvetishëm; dhe sepse shndërrimi në uthull është një përmirësim, prandaj është i lejuar, në analogji (krahasimisht) me lejimin e regjjes së lëkurës.
Situata e dytë: Dispozita e pastrimit dhe pirjes së verës (pijes alkoolike) të cilës i është hequr / larguar lënda dehëse përmes trajtimit / përpunimit të njeriut
Ky rast është i lidhur ngushtë me rastin e mësipërm të shndërrimit të verës në uthull përmes ndërhyrjes njerëzore, ku sikurse aty edhe këtu juristët muslimanë ndajnë po ato mendime me argumentet përkatëse.Lexoni më tepër
Më konkretisht këto mendime janë si vijon:
Mendimi i parë: Nuk konsiderohet e pastër dhe nuk lejohet të pihet vera (pija alkoolike) të cilës i është hequr / larguar lënda dehëse përmes trajtimit / përpunimit njerëzor
Largimi apo asgjësimi i lëndës dehëse nga një pije me ndërveprimin e njeriut, sipas mendimit të shumicës së dijetarëve muslimanë, nuk e bën këtë pije të pastër. Më konkretisht pija në fjalë nuk bëhet e pastër, sipas mendimit të shafi‘ive, hanbelive dhe sipas një transmetimi të malikive.
Pikërisht në këtë kontekst imam En-Neueui ka thënë: “Ndërsa nëse (vera) shndërrohet në uthull duke hedhur diçka në të, atëherë qëndrimi ynë (i shafi‘ive) është se ajo nuk bëhet e pastër; dhe kështu ka thënë Ahmedi dhe shumica e dijetarëve. Ndërsa Ebu Hanifja, Euzaiu dhe Lejthi kanë thënë se ajo bëhet e pastër.” (El-Mexhmu‘ 2/596)
Mendimi i dytë: Lejohet të pihet dhe konsiderohet e pastër vera (pija alkoolike) të cilës i është hequr / larguar lënda dehëse qoftë edhe përmes trajtimit / përpunimit njerëzor
Në këtë rast kjo pije bëhet krejtësisht e pastër, sipas mendimit të hanefive dhe mendimit më të fuqishëm të malikive dhe ata thonë se ajo lejohet të pihet, qoftë nëse shndërrohet në uthull vetvetiu apo përmes ndërhyrjes njerëzore. Kësisoj, nëse vera (apo pija alkoolike në përgjithësi) nuk është më dehëse, pasi i është hequr lënda alkoolike dehëse me një metodë shkencore (fizike ose kimike), ashtu që nuk i ka mbetur as era e verës (apo pijes alkoolike) dhe as shija e saj, për këtë rast qëndrimi i juristëve hanefi dhe maliki (dhe të tjerëve veç tyre, si Euzai, Lejthi etj.) është se një gjë e tillë është e lejuar, bazuar në qëndrimin e tyre origjinal në favor të pastrimit përmes shndërrimit të verës në uthull, qoftë nëse vera është shndërruar vetvetiu apo duke hedhur diçka në të.
Në kuadrin e mendimit të dytë vlen si i qëlluar konstatimi se: Nëse vera shndërrohet në uthull përmes trajtimit (njerëzor), ajo bëhet e pastër dhe lejohet të përdoret: (së pari) nëse pirja e saj në sasi të madhe nuk deh dhe (së dyti) sidomos nëse shndërrimin në uthull e ka kryer dikush që e konsideron fetarisht të lejuar verën (sikurse të krishterët, hebrenjtë etj., të cilët e lejojnë verën në fenë e tyre, prandaj ajo u lejohet atyre mes veti edhe nëse jetojnë në shtet islam).
Çështja e katërt: Rregulli i “bllokimit të pretekstit (Seddu edh-Dheria’h)” dhe birra 0.0% alkool
Përdorimi i rregullit juridik islam të “bllokimit të pretekstit (Seddu edh-Dheria’h)” për rastin në fjalë
Mendimi i parë: Rregulli juridik islam “bllokimi i pretekstit (Seddu edh-Dheria’h)” gjen zbatim për rastin e birrës 0.0% alkoolLexoni më tepër
Aspekti i parë: Siç u cek më sipër, mendimi ndalues në lidhje me përpunim dhe lejimin e kësaj birre vjen ndër të tjera edhe për të shmangur rënien në haramin e përhapjes së shitjes dhe tregtimit të verërave (pijeve alkoolike), pasi ky lejim mund të bëhet pretekst (shkak) për këtë, me pretendimin e ripërpunimit të verërave (pijeve alkoolike) dhe heqjes së lëndës dehëse (alkoolit) prej tyre.
Aspekti i dytë: Edhe pse si rregull merret parasysh përmbajtja e jo emri, megjithatë mes pijes dehëse dhe asaj jo-dehëse ka përputhje serioze në: formën e shishes, ngjyrën e pijes, si dhe në emërtim; gjë që përbën për konsumuesin ose shitësin dyshim dhe akuzë në fenë e tij, teksa parimi i muslimanit është shmangia prej të dyshimtave, në mënyrë që të mos cenohet ndershmëria e tij.
Aspekti i tretë: Ai që e pi këtë pije mund të etiketohet me cilësitë e njerëzve të shthurur dhe mëkatarë, në përngjasim me këta të fundit teksa pinë verë a pije alkoolike, veçanërisht duke qenë se kjo pije nga e cila është hequr lënda dehëse i ngjan origjinës së saj në formë dhe paraqitje; gjë që mund të çojë drejt dashurisë për njerëzit e shthurur dhe mosqortim të tyre, dhe kjo mund të bëhet shtysë për të rënë në mëkat.
Së këtejmi “birra pa alkool” edhe pse si përmbajtje nuk i nënshtrohet ndalimit duke qenë se është e pastruar nga lënda dehëse, megjithatë ajo mund të ndalohet në kuadrin e parimit të “bllokimit të pretekstit (Seddu edh-Dheria’h)”, bazuar në rregullin juridik islam: “Veprimi që shpie në dëm dhe ku nuk mbizotëron dobia, duhet ndaluar”, që në kontekstin e përdorimit të kësaj pije gjen shprehi në faktin se me shumë gjasa kjo shpie në akuzimin kanosës të fesë dhe nderit të konsumatorit a shitësit të saj.
Mendimi i dytë: Ky rregull nuk gjen zbatim për rastin e birrës 0.0% alkoolLexoni më tepër
Së pari, me siguri që përdorimi i birrës 0.0% alkool, edhe nëse pretendohet t’i nënshtrohet rregullit të bllokimit të pretekstit (shkakut) të rënies në haram, kjo mund të bëhet në emër të veprimit më të rezervuar, pasi qëllimi i përftuar prej bllokimit të saj është shumë i diskutueshëm dhe për më tepër sepse kjo pije nuk është një mjet i lejuar që shpie detyrimisht në haram.
Në fakt rasti në fjalë, sidomos në vendet tona, mund të diktojë mbështetjen e mendimit lejues të birrës 0.0% alkool, sepse përdorimi i saj përbën me shumë gjasa një alternativë shumë të fuqishme për bllokimin e rënies në përdorimin e alkoolit në shoqëritë tona, si dhe me këtë realizohen të gjitha dobitë e cekura nga ana e juristëve mbështetësve të mendimit lejues. Për më tepër birra pa alkool (0.0% alkool) përbën një alternativë të vyer kundrejt braktisjes së asaj me alkool jo vetëm në rastin e muslimanëve tradicionalë apo atyre të rinj por edhe në radhët e muslimanëve të përkushtuar, pasi kjo përbën një alternativë të fuqishme për t’u përdorur nga të gjitha këto shtresa dhe më gjerë në gostitë dhe pritjet e rasteve nga më të ndryshme.
Po kështu argumentet e mendimit lejues janë vërtet të fuqishme (teksa medh’hebi lejues, medh’hebi hanefi, përbën dhe shkollën juridike sunduese në institucionet islame të trevave shqiptare) dhe në këtë rast dobitë e përfituara janë shumë më të fuqishme sesa dëmi i supozuar i cenimit të ndershmërisë së konsumatorit dhe shitësit musliman të birrës pa alkool, për më tepër në vendet ku birra me alkool ka një përhapje të madhe në shoqëri e madje edhe ndër ambientet ku jetojnë e veprojnë komunitetet e individët e përkushtuar muslimanë.
Në krahun tjetër preteksti i ndalimit të përdorimit të birrës pa alkool (0.0% alkool) që kjo të mos bëhet shteg për përhapjen, shitjen dhe tregtimin e verërave (pijeve alkoolike), me pretendimin e ripërpunimit të tyre dhe heqjes së alkoolit prej tyre, nuk qëndron; kjo sidomos nisur nga fakti se përpunimi i birrës pa alkool nga baza e saj alkoolike kryhet nga jomuslimanët (të krishterët, hebrenjtë etj.), të cilët e lejojnë verën në fenë e tyre (prandaj ajo u lejohet atyre mes veti edhe nëse jetojnë në shtet islam).
Pastaj hapja me të dy kanatet e derës së përdorimit të rregullit të “bllokimit të pretekstit” për këtë rast, do duhej të diktonte që i tillë rregull të gjente gjithashtu përdorim edhe për një mori të gjerë produktesh e çështjesh që kanë të bëjnë me problematikat ushqimore dhe më gjerë me të cilat ndeshet sot muslimani, teksa siç dihet si rregull në momentin kur tradita ushqimore apo më gjerë gjen mbështetje në mendimet e konsiderueshme të fuqishme të juristëve muslimanë lejues, prioritet gëzon më shumë lejimi sesa ndalimi, pasi në origjinë traditat janë të lejuara përderisa nuk ka ardhur kundër tyre argumenti fetar i fuqishëm dominues ndalues, teksa në rastin në fjalë argumentet e lejuesve dhe ndaluesve janë thuajse të balancuara.
Për më tepër hoxhallarët e trevave përkatëse (në këtë rast të trevave shqiptare varësisht krahinave të ndryshme), mund të jenë ata që mund ta thonë fjalën e tyre vendimtare në lidhje me funksionalitetin e këtij rregulli në lidhje me “birrën 0.0% alkool” apo më gjerë prej çështjeve të diskutueshme, në favor ose kundër, kurse përgjithësimi i kësaj me shumë gjasa nuk funksionon dhe nuk bën medoemos dobi.
Allahu e di më mirë. DISPOZITA E BIRRËS ME 0.0% ALKOOL
Ju ftojmë ta shpërndani këtë postim, që të përhapet dobia e tij dhe së bashku të marrim shpërblimin e publikuesit të fjalës së mirë.
_____ DISPOZITA E BIRRËS ME 0.0% ALKOOL
DISPOZITA E BIRRËS ME 0.0% ALKOOL
Të afërta
Shpërndajeni Fjalën e Mirë: