JETA E VËRTETË – FETVA DHE STUDIME ISLAME

“Jeta e kësaj bote, nuk është gjë tjetër, veçse argëtim dhe lojë. Ndërsa jeta e botës tjetër, pikërisht ajo është Jeta e Vërtetë. Veç sikur ta dinin!” (Kuran, El-Ankebut: 64)

XHIHADI–QASJE E PËRGJITHSHME

Një qasje e përgjithshme rreth temës së shumëdiskutuar të xhihadit1

4 630 shfletues/klikues XHIHADI–QASJE E PËRGJITHSHME

XHIHADISubjekti i xhihadit është bërë një çështje, që po trajtohet dhe po qarkullon, duke bartur një kontur global, me qasje të shumta, me orientime opozitare dhe kontradiktore.

Një palë globale vjen dhe adopton një këndvështrim, i cili e konsideron xhihadin si sinonim të terrorizmit, në tentativë që këtë nocion t’ia qasë vetë Islamit. Kjo bëhet me qëllim që ta zhveshë atë nga aftësia për të bërë rezistencë dhe opozitë, si dhe në përpjekje që akuzën e terrorizmit t’ia ngjisë në mënyrë të pashqitshme Islamit.

Paraqitja e Islamit si një fe e përulur, e paaftë për t’u mbrojtur, që nuk arrin t’i tubojë pasuesit e saj që të luftojnë të kotën dhe që në rastet e domosdoshme nuk posedon mekanizmat e duhur të rekrutimit, është padyshim mënjanim nga realiteti, sidomos në këtë pyll të dendur interesash dhe konfliktesh.

Po kështu damkosja e Islamit me dhunë, gjak, etje për vrasje dhe përhapje urrejtjeje është padrejtësi e madhe, krim dhe shmangie nga objektivizmi.

Pastaj, disa palë islame e trajtojnë çështjen e xhihadit sipas një realiteti të caktuar, duke e zbritur nocionin legjislativ të tij mbi këtë realitet, në mënyrë që përshtypja e bazuar tek gjendja prezente të ketë më shumë epërsi sesa përshtypja e bazuar në vizionin legjislativ dhe historik.

Nisur nga ky pështjellim, arritja tek realiteti bëhet një çështje tejet e vështirë, sepse nëse një person dëshiron të arrijë tek realiteti, para së gjithash duhet që të jetë i paanshëm.

Por si mund të mbetet i paanshëm dikush, i cili është rrethuar nga të katër anët prej mjeteve të masmedias, që vjellin inspirimet e tyre negative, dikush që është i mbytur nga ngjarjet globale me komplikacionet, fjalosjet dhe provokacionet e vazhdueshme që ato përmbajnë?

Për këtë qëllim, ky subjekt nxjerr si domosdoshmëri dokumentimin, qartësinë, sinqeritetin dhe përkushtimin.

Muslimani duhet të ketë si qëllim që me atë që thotë, të kënaqë Allahun dhe jo të kënaqë njerëzit – kushdo qofshin ata – si dhe duhet që të referohet në gjykimet e tij tek tekstet kushtetuese islame dhe nocionet e tyre të vërteta, jo tek lokalizimi i mendësive të një grupi të caktuar njerëzish, të cilët insistojnë në të, zemërohen për të dhe e trumbetojnë atë me të madhe,  pa pasur një vizion dhe pa reflektuar.

Ne nuk na kërkohet lakimi i skajeve të teksteve hyjnore, për të kënaqur këtë apo atë palë, por as nuk duhet t’i ashpërsojmë gjërat, për t’i ikur akuzave që njëra palë na bën për terrorizëm, apo që pala tjetër na bën për nënshtrim kundrejt presioneve ndërkombëtare.

Sa më lart të qëndrojmë ndaj kësaj situate sunduese, sa më me objektivitet dhe qetësi ta lexojmë çështjen, aq më pranë të vërtetës do të jemi.

Një çështje tepër e rëndësishme është konfirmimi i ndjenjave të zemrave tona dhe dimensionimi i tyre në përputhje me atë që do Allahu i Lartësuar, si dhe konfirmimi i koncepteve tona ideore dhe njohëse, krahas implementimit të tyre praktik; pasi personi mund ta gjejë veten në një rrugë çfarëdo, duke mos pasur kohë për korrektim dhe ekzaminim.

Mbi këtë konfirmim dhe dimensionim hedh dritë fjala e Allahut të Lartësuar:

“Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty dhe as të asaj që u zbrit para teje) përderisa nuk të zgjedhin ty për të gjykuar në konfliktin midis tyre, e pas kësaj të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe të binden sinqerisht.”2

Ndërsa në hadithin e saktë vjen: “Nuk ka për të besuar askush, derisa pasioni i tij të pasojë atë, me të cilën unë kam ardhur.”3

Pasionet dhe tekat e njerëzve ndryshojnë. Disa njerëz i kanë pasionet e tyre në kahun e butësisë dhe fleksibilitetit, ndërsa disa të tjerë i kanë pasionet e tyre në kahun e rreptësisë dhe shtrëngimit, ndërsa realizimi i besimit të kompletuar kërkon, që pasioni i personit të pasojë atë gjë, me të cilën ka ardhur Profeti (Paqja qoftë mbi të!)

Kjo gjë kërkon që pasioni të mbahet larg nga influencuesit e tij, sa të jetë e mundur dhe kërkon gjithashtu edhe gjuetinë e shkaktarëve të tij. Të shumtë janë ata, që arrijnë ta konstatojnë gjurmën e pasionit tek gjykimet dhe vendimet e të tjerëve, por janë të paktë ata, që arrijnë ta konstatojnë gjurmën e pasionit në gjykimet dhe vendimet e tyre personale.

XHIHADI–QASJE E PËRGJITHSHME

Xhihadi i madh

Të shumtë janë ata, që artikulimin “xhihad” e kuptojnë si sinonim të artikulimit “luftë”, prej ku kjo fjalë ka marrë rezonancën e saj specifike. Sipas kësaj, xhihadi është të kapësh armët për luftë, gjë që përbën anulimin e kuptimit gjeneral të tij.

Tradicionalisht kuptimi i përgjithshëm mund të lëshohet edhe përmes artikulimeve të këtij kuptimi, por kur ky lëshim është shkak për devijimin e mendimit dhe sjelljes, domosdoshmëria apelon të largohemi nga përdorimi i tij.

Njëherë më erdhi një person entuziast i rënë në komplikacionin e shpërthimit emocional. Ai më thoshte: “Që prej fëmijërisë sime unë them: Nuk ka zgjidhje përveçse me xhihad!” I thashë: Kjo është një pasaktësi, me të cilën je rritur, ndaj dhe refuzon ta rishqyrtosh  atë.

Ndoshta kjo ishte hera e parë për të që po dëgjonte këtë përballje, ndaj dhe ai po bëhej gati të “zbriste në mejdan”. Por kur ai më dëgjoi ta saktësoja dhe t’i thosha: Zgjidhja e vetme është Islami. Islami nuk është xhihad, edhe pse xhihadi është një prej kapilarëve të Islamit.

Ajeti i parë, në të cilin është përmendur xhihadi, është fjala e Allahut të Madhëruar: “Po ti mos iu bind jobesimtarëve e bëj xhihad ndaj tyre me të (me Kuranin) me një xhihad të madh.”4 Ky ajet (citat) kuranor ka zbritur në Mekë para se muslimanëve t’u jepej leje për të luftuar. Ai bën fjalë për xhihadin (përpjekjen) përmes Kuranit, duke e përshkruar xhihadin me Kuran si “xhihad i madh”.

Pra xhihadi i madh ose më i madhi, është xhihadi kuranor, që realizohet duke e kënduar Kuranin, duke medituar në të, duke e kuptuar atë, duke punuar me të, duke thirrur tek ai, duke qëndruar në kufijtë e tij, duke iu përmbajtur dispozitave të tij, duke e legjitimuar atë në vendimmarrjet e mendjeve, ndjenjat e shpirtrave dhe lëvizjet e gjymtyrëve.

Xhihadi me Kuran mund t`iu drejtohet jobesimtarëve, sikurse në thënien e mësipërme kuranore: “Po ti mos iu bind jobesimtarëve e bëj xhihad ndaj tyre me të (me Kuranin) me një xhihad të madh”5, me të cilin presupozohet xhihadi (përpjekja) përmes faktit, argumentit, bindjes, pajimit me dituri, vizion, urtësi dhe debat konstruktiv të formës më të arrirë, gjëra këto që çojnë në realizimin e një xhihadi të tillë (të madh).

Xhihadi i madh mund të mos u drejtohet jobesimtarëve në veçanti dhe kjo bëhet evidente, kur me të nënkuptojmë xhihadin në mbarë arenat e jetës, në reformim, shërbim, bamirësi, paanshmëri, devocion, komunikim, artikulime këto që të gjitha të ardhura në Kuranin fisnik në një pozitë inkurajuese, urdhërimi për të bashkëpunuar me të tjerët brenda kornizës së këtyre artikulimeve,  këshillimit dhe përmbajtjes kundrejt konsideratave të tyre.

Artikulimi “xhihad i madh” është një artikulim kuranor solid, i përparuar dhe spikatës. Spikatja e tij dhe tubimi i përpjekjeve rreth tij duhet të jetë nën konsideratën e këtij xhihadi, se ai është “xhihadi i jetës”.

Ky është rasti i vetëm, në të cilin xhihadi është përshkruar si i madh dhe në fakt kështu është realisht, falë thellësisë së këtij klasifikimi të xhihadit, shtrirjes së tij, durimit që ai kërkon në përballjen me tufanin e entuziastëve, të cilët i ka rrëmbyer verbëria.

Profeti (Paqja qoftë mbi të!) thotë në një hadith: “U kthyem nga xhihadi më i vogël tek xhihadi më i madh”. Ky hadith transmetohet nga Bejhakiu dhe Khatibi me fjalë të përafërta dhe është një hadith i dobët, që i takon transmetimit të Isa ibën Ibrahimit, nga Jahja ibën Jeale, nga Lejthi, nga Ebu Sulejmi, transmetues këto që të tre të dobët.

Gjithsesi këtij hadithi i bën dobi ajeti fisnik në fjalë, falë qartësisë së tij. Po kështu, kur gratë i kërkuan Profetit (Paqja qoftë mbi të!) pjesëmarrje në luftë, ai u tha se: “Ju duhet të angazhoheni me një xhihad ku s’ka luftë, e ai është haxhi dhe umra.6 Ky transmetim tek Buhariu vjen me artikulimin: “Xhihadi juaj është haxhi”, madje në një artikulim tjetër vjen: “Juve ju takon xhihadi më i mirë, një xhihad që nuk ka luftë: haxhi dhe umra.

Përshkrimi i këtij xhihadi me “më i mirë”, shtoi kësaj citimin se në të nuk ka luftë, bën pra fjalë për një zgjidhje të nyjës mentale midis xhihadit dhe luftës, në një formë të qartë, që i largohet çdo pështjellimi.

Në shumë vende në Kuranin fisnik vjen urdhri për xhihad (përpjekje) me veten dhe pasurinë, gjë që përbën një katërcipërim të qartë të këtij koncepti, duke sqaruar se ai është i një forme të tillë dhe me këtë lloj xhihadi nuk bëhet fjalë vetëm për mobilizimin dhe dhënien e energjive në mejdanin e luftës, por me të nënkuptohet sakrifikimi i vetes dhe pasurisë në rrugët e Allahut, në rrugën e mirësisë, direksionet e saj dhe mbarë shkaqet e saj, sido qoftë për interesa të fesë apo dynjasë.

Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton, se Profeti (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Bëni xhihad (mobilizohuni ndaj) idhujtarëve me kapitalet, vetveten dhe gjuhët tuaja.”7 Kështu pra, xhihadi me gjuhë realizohet duke ftuar në Islam, duke reformuar, sqaruar dhe duke ngritur argumentin.

Shembulli i tij është fjala e Profetit (Paqja qoftë mbi të!), kur ai i përmend liderët devijues të epokës së fundme, duke thënë: “Kush bën xhihad ndaj tyre me dorën e tij, është besimtar, kush bën xhihad ndaj tyre me gjuhën e tij është besimtar dhe kush bën xhihad ndaj tyre me zemrën e tij është besimtar…”8 Këtu Profeti (Paqja qoftë mbi të!) përmend edhe xhihadin e zemrës, që realizohet me durim, mohim, kujdes kundrejt nocioneve ligjore të brendshme islame dhe kujdes për implementim dhe realizim të tyre.

Allahu i Madhëruar i drejtohet Profetit të Tij me fjalët: “O ti Profet bëj xhihad me jobesimtarët dhe hipokritët”9, gjë që konfirmon atë që thamë më lart.

Fakti se xhihadi me hipokritët nuk presupozon luftën me ta, gëzon konsensus midis dijetarëve. Në fakt xhihadi që muslimanët duhet të bëjnë ndaj hipokritëve është një çështje, që shkon përtej kësaj (luftës me armë). Me të synohet debatimi i tyre me argument, bindje, zgjuarsi, inteligjencë dhe kujdes, ose zbulimi dhe prishja e planeve të tyre… dhe ngjashëm me këtë.

Pra paskemi xhihadin me veten dhe pasurinë, xhihadin me dorë dhe gjuhë, xhihadin me zemër, xhihadin e ftesës dhe “xhihadin e jetës”:

Xhihadi i muslimanëve jetë për ta përbën,

Faktikisht tek vetë jeta xhihadi konsiston.

Ndërtimi i jetës, zhvillimi i saj, themelimi i progresit të saj, realizimi i interesave dhe të mirave materiale të njerëzve, reformimi i mendjeve, shpirtrave dhe trupave, përmirësimi dhe perfeksionimi i arsimit, shëndetit, ekonomisë dhe masmedias, ngritja e nivelit të jetesës, evoluimi i hulumtimeve shkencore, inkurajimi i novacionit, zgjidhja e problemeve evidente… e gjitha kjo është pjesë e xhihadit, është pjesë e bindjes ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

Artikulimi “xhihad” në aspektit linguistik vjen prej fjalës arabe “xhuhd” që do të thotë përpjekje, shpenzimi i mundësisë dhe derdhja e energjisë. Çdonjëri që shpenzon mundësinë dhe derdh energjinë e tij në çështjen e interesit të përgjithshëm ose atij privat, fetar ose të karakterit jetik të kësaj bote, që nuk përmban mëkat, agresion dhe që nuk është në dëm të të tjerëve, ka pjesën që i takon tek ky koncept.

Shpikjet e reja si: makina, telefoni, avioni, televizori… kanë pasur një ndikim në jetën e njerëzve, komunitetet e tyre, metodat e jetesës së tyre, në ndërtim, komunikim dhe në metodologjitë e ndryshme, më shumë se ç’kanë shkaktuar luftërat e mëdha përgjatë kohërave. Personazhet e këtyre shpikjeve janë bërë të famshëm njëlloj si fama e liderëve, strategëve ushtarakë apo edhe më shumë.

Pa dyshim që kjo gjë konfirmon rëndësinë e madhe të thellimit të këtij koncepti në shpirtrat në zhvillim, që ata të konceptojnë se suksesi i tyre në arsim, novacion dhe mendimin kritik, është interes jetik dhe krahas kësaj është xhihad në dimensionin e Amshimit, ku për ta shpresohet shpërblimi i bollshëm dhe i madh. “Kush është iniciator (nismëtar) i një tradite të mirë në Islam [mbështetur në argumentet sheriatike (ligjore) islame], atij i takon shpërblimi i saj dhe shpërblimi i kujt punon me të”. Sa shpërblime do përfitosh, nëse je novator, që u shërben miliona njerëzve, përmes një komoditeti udhëtimi, akomodimi, shëndetësor apo kuminikimi?

A nuk është mungesa e këtij koncepti hyjnor shkaku kryesor dhe përgjegjësi primar për prapambetjen qytetare që po përjetojnë muslimanët; ajo prej të cilës shumë prej muslimanëve nuk mendojnë të çlirohen prej saj përveçse përmes pushkës, të cilën në fakt e kanë prodhuar të tjerët dhe jo ata vetë?!

XHIHADI–QASJE E PËRGJITHSHME

Konceptimi i Xhihadit

Duke qenë se xhihadi është një koncept i gjerë, meriton t’i kushtohet më shumë vëmendje për një sërë shkaqesh:

1. Ai është një koncept, që nxë brenda tij të gjithë individët e umetit islam, pa asnjë përjashtim. Ai nuk është i kufizuar tek një grup apo shtresë shoqërore, të cilët të jenë të vetmit që u janë ngarkuar rolet ushtarake dhe luftarake. Përmes aktivizimit të tij realizohet orientimi i individëve në rolet e tyre jetike individuale apo publike, sipas mundësive të tyre, edhe nëse ato janë të pakta.

Ky perceptim pozitiv i shndërron njerëzit në individë aktivë, produktivë dhe influencues, si dhe i mbron ata nga dembelizmi dhe kotësia.

2. Xhihadi është një koncept ligjor korrekt dhe gjithëpërfshirës, që ngërthen në vetvete  të gjitha aspektet e jetës dhe pa të, jeta mund të ngecë. Njëjtë duhet thënë edhe për fenë (religjionin). Feja dhe jeta janë një gjë e pandarë. Ideja se një betejë e armatosur do të korrigjojë situatat e njerëzve dhe të jetës, është një ide naive dhe me siguri jo korrekte. Padyshim  që për çdo gjë ka një shkak, prandaj dhe Profeti (Paqja qoftë mbi të!) i mësoi komandantët e tij, sesi t’i menaxhonin ushtritë dhe i kanalizoi profesionalisht energjitë e më të shquarve prej tyre, siç bëri me Khalid ibën Uelidin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe Ali ibën Ebi Talibin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) Është pikërisht i Dërguari i Allahut, i cili i mësoi njerëzit e varfër që të bartin dru për të fituar të ardhurat jetike dhe për t’i shpëtuar lypjes. Ai (Paqja qoftë mbi të!) ua legjitimoi sahabeve (shokëve) të tij ligjet e shitblerjes, bujqësisë, arsimimit, martesës dhe qerasë…

3. Xhihadi është një nocion, që mbulon të gjitha aspektet e jetës. Ai përfshin individin, familjen dhe shoqërinë, në të gjitha situatat dhe gjendjet, jo vetëm në një gjendje apo situatë të veçantë. Falë këtij konceptimi, influencimi i xhihadit përbën një model real dhe permanent, që nuk gjen implementim vetëm në një gjendje specifike.

4. Xhihadi është një metodologji e qenësishëm dhe permanente, e pacenuar nga kushtëzimet. Ai procedon në situatën e dobësisë dhe fuqisë, kamjes dhe skamjes, shëndetit dhe sëmundjes, ekzistencës apo mosekzistencës së shtetit, ekzistencës apo mosekzistencës së institucionit. Madje ai rend për ta kultivuar të pranishmen, për ta kanalizuar atë më së miri, për ta kompletuar mangësinë dhe për të gjetur më të përshtatshmen. Xhihadi është përgjegjësi ligjore mbi shtetasin, në varësi të mundësisë, energjisë dhe kapaciteteve, që përbëjnë kriteret e obligimit, të cilat më mirë se vetë personi, nuk mund t’i konstatojë askush tjetër.

5. Xhihadi ka një finish të garantuar dhe të sigurt. Fryti i tij është i tëri i mirë. Xhihadi është një vepër e mirë, që s’bart asnjë rrezik, asnjë komplikacion, asnjë dëm dhe asnjë zhvlerësim. Ai është përfitim i deklaruar dhe fitim i kulluar.

6. Kombi islam po vuan prej kohësh nga nevoja e prekshme për të rekrutuar sasinë e bollshme të aktivistëve të sinqertë në arenat jetike të zhvillimit, njohurisë dhe punës.

Sa më shumë që ecën koha, aq më tepër zgjerohet rrethi i nevojës, aq më tepër pakësohen aktivistët që i shërbejnë këtij vakumi dhe mbeten vakant obligimet kifaje (kolektive), duke i bërë njerëzit të ngarkohen me mëkat, si pasojë e lënies pas dore të këtyre obligimeve, qoftë në lëmin e davetit (thirrjes në Islam), përçimit dhe komunikimit të Mesazhit, qoftë në lëmenjtë e tjerë të jetës, si ato shkencor, industrial, ekonomik, administrativ etj. Kjo gjë është pa dyshim një anomali e qartë, që nuk mund të evitohet ndryshe, por vetëm përmes inkurajimit të energjive të njerëzve kah arenat e punës, prodhimit dhe produktivitetit.

7. Edhe në konceptin e tij specifik luftarak, xhihadi ka nevojë për konceptimin e tij gjithëpërfshirës. Vetëm kështu bëhet i mundur konkretizimi i objektivave dhe synimeve të tij. Në sa e sa luftëra muslimanët shpenzuan gjithë sa kishin, i falën shpirtrat dhe zemrat e tyre, u turrën pa një e pa dy, duruan dhe ftuan në durim, qëndruan në llogore dhe pritën fundin e pashmangshëm, por duke mos arritur pas gjithë kësaj ndonjë përfitim që vlen të përmendet.

Po, ndoshta ata ia kallën datën armikut të tyre… Gjithsesi në rreshtat e muslimanëve mbetën sa e sa të drobitur, të vrarë dhe lemerisur, edhe pse ata e patën marrë në llogari diçka të tillë… Por fatkeqësia mbetet fatkeqësi.

Kësisoj çështja përfundoi larg rezultatit të prekshëm në jetë dhe shoqëri, impakti i tij qe negativ dhe evenimenti degradues dhe pikëllues, edhe për jabanxhiun. Shkaku i kësaj ishte pikërisht mungesa e vetëdijes së orientuar dhe perceptimit gjithëpërfshirës të jetës dhe ligjit. Produkti i gjithë kësaj ishte konflikti, përçarja dhe shkërmoqja, si rezultat i fanatizmit, pasionit dhe egoizmit. Në fakt kjo gjë përbën treguesin më të qartë të dështimit dhe humbjes së prestigjit: “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos u grindni ndërmjet jush, sepse do të pësoni disfatë e do t’ju lërë fuqia (do ta humbisni prestigjin).10

Problem në këtë kontekst përbën edhe mungesa e kapaciteteve infrastrukturorë për të ndërtuar jetën. Ndoshta një komb arrin të ketë sukses në një luftë të armatosur, por mundet që ai më pas të dështojë në ndërtimin e një shkolle apo pallati, në shtrimin dhe asfaltimin e një rruge, në industri etj., ose edhe në garantimin e rendit dhe sigurisë, në sigurimin e kafshatës së gojës dhe veshmbathjes; të mos flasim më pastaj për ndërtimin e jetës në të gjithë lëmenjtë e saj pjellorë, gjë që kërkon paraprakisht ndërtimin e mendjeve dhe shpirtrave.

Prandaj, nevojitet një ndriçim dinamik dhe vizionar maksimal, i mirënjohur mbi sensin e jetës, i gatshëm të mbartë mbi supe përgjegjësitë e tij, perceptues i skajshëm i kuptimit të Sheriatit (ligjit) dhe nxënës e përthithës i synimeve të tij.

Një gjë e tillë është maksimalisht e nevojshme, nëse nuk duam që puna jonë t’i përngjajë atij, që plugon në det apo hap brazda në dunat lëvizëse të rërës!

XHIHADI–QASJE E PËRGJITHSHME

Lufta dhe mejdani i saj

E reja në këtë kontekst është, se trajtëzimi i kësaj fjale (fjalës luftë) ka gjetur konkretizim në tokën e Bosnjë – Hercegovinës, në një kohë kur muslimanët sjellin sërish në memorien e tyre masakrën e Srebrenicës, ku u viktimizuan mëse 7000 muslimanë, të cilët u varrosën në varreza masive dhe të cilëve nuk u bëri kurrfarë dobie mbrojtja e Kombeve të Bashkuara, veç privimit nga armët me të cilat boshnjakët mbronin vetveten.

Duhet që muslimanët ta ngrenë zërin e tyre botërisht dhe mediatikisht në lidhje me këtë tragjedi, me qëllim që bota të përmendet kundrejt vuajtjeve që kjo tragjedi shkaktoi, ashtu që kasaphana e Srebrenicës të shndërrohet në një holokaust islam, i cili vendos para përgjegjësisë ligjore këdo që e mohon. Duhet ngritur zëri i vendeve muslimane, me qëllim që shtetet, edhe pse vonë, të pranojnë neglizhencën, injorimin dhe shkaktimin e këtij holokausti, i cili në rend të parë erdhi si rezultat i mosndërhyrjes dhe në rend të dytë si rezultat i moslejimit të muslimanëve të pajiseshin me armë për tu vetëmbrojtur.

I ndjeri Alia Izetbejgoviç (Allahu e mëshiroftë!) në ditarin e tij të kujtimeve personale ka shkruar një aspekt të vuajtjeve të mëdha dhe të vështira të popullit musliman boshnjak, në përpjekjen e tij për shtet-formim si dhe lëndimet dhe dhimbjet, të cilave ky popull iu ekspozua dhe gjakrave që rrodhën prej tij, në sytë e një neglizhence botërore, një paralize islame dhe një konspiracioni rajonal.

Më e mira gjë që shoqëria ndërkombëtare u dha qytetarëve të Bosnjë – Hercegovinës ishte Marrëveshja e Dejtonit, e cila çoi në mbarimin e luftës, por për hir të së vërtetës, duhet thënë se ajo marrëveshje nuk u tregua e drejtë me muslimanët.

Qetësia që tanimë jeton ky shtet, pavarësisht etnive dhe racave të tij, vë theksin mbi rëndësinë e paqes sa i përket ndërtimit dhe apelimit. Lufta ku u krodh ky popull, është dëshmi e gjallë, që vërteton domosdoshmërinë e ndonjëherëshme të luftës.

Vetë doktor Alia Izetbejgoviç (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Mësova se performimi i paqes ka nevojë për guxim edhe më shumë se ç’ka nevojë për të lufta!”

Nëse njerëzit dhunojnë faktet,

Dhe bien në kthetrat e padrejtësisë,

Ahere lufta është më e denjë për ta,

sesa vendosja e rendit dhe qetësisë.

Nëse te keqes i kundërvihesh me mirësi,

Ajo askund vend nuk di të gjejë,

Ndërsa kur i kundërpërgjigjesh me të keqe,

Asaj kjo e keqe vetëm sa do t’i shërbejë.

Lufta është një pjesë (normë) e Sheriatit (Ligjit) Islam. Është i mahnitshëm fakti, sesi Kurani fare pak e përdor artikulimin “harb-luftë”, i cili orienton për formën veprore të këtij artikulimi, teksa në krahun tjetër ai e përdor artikulimin “kitelun-betejë” që tregon për një ndërveprim midis dy palëve, gjë e cila aludon tek konflikti i armatosur si pasojë e agresionit të palës tjetër, ose si rezultat i mosarritjes së marrëveshjes për paqe.

Në Kuranin fisnik artikulimi “kitelun-betejë” është përmendur tetë herë dhe sa për dijeni artikulimi arab “kitelun-betejë” ndryshon nga artikulimi “katlun-vrasje”. Artikulimi “kitelun-betejë” vjen me kuptimin konflikt ose reagim, që i përmbahet kritereve të tij ligjore dhe që në fakt përbën një prej kuptimeve të nocioneve të xhihadit. Nga kjo mund të arrijmë në përfundimin, se Islami bën fjalë për konsideratën e konfliktit nën thjerrëzën e një realitet prezent, më shumë sesa konsideratën e tij si një kërkesë që angazhon muslimanin të përgatitet për të dhe ta përshpejtojë atë.

Kur Profeti (Paqja qoftë mbi të!) tha: “Kreu i çështjes është Islami, shtylla e saj është namazi dhe maja e ngrehinës së saj është xhihadi në rrugë të Allahut”11, këtu persupozohet kuptimi i përgjithshëm i nocionit të xhihadit, në kontekstin e të cilit presupozohet edhe nocioni i betejës. Është pikërisht kjo, ajo që kanë thënë dijetarët e kualifikuar në Jurisprudencën Islame.

Islami nuk e përjashton realitetin dhe nuk e injoron faktin e shtysave agresive të pranishme në shoqëritë e ndryshme. Ai, teksa i privon muslimanët të tregohen agresivë, në krahun tjetër u jep atyre të drejtën t’i kundërvihen agresorit. Thënia kuranore më kompakte në këtë kontekst është fjala e Allahut të Lartësuar: “Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju sulmojnë e mos e teproni (në agresion), se Allahu nuk i do ata që e teprojnë.12

Kësisoj, lejimi i hyrjes në betejë vjen në kuadrin e kundërvënies ndaj atyre që na luftojnë, me kuptimin që ata nisin një luftë faktike kundër nesh ose që bëhen gati për një gjë të tillë. Këta agresorë që na luftojnë me një luftë faktike ose përmes represionit, padyshim që kështu kanë hyrë në gjendje lufte apo konflikti të armatosur me muslimanët.

Ndërkaq, Allahu i Lartësuar, reagimin mbi këtë kufi e quan “agresion” duke e konkluduar këtë me thënien e Tij: “Allahu nuk i do ata që e teprojnë”, gjë që presupozon faktin, se tejkalimi i kufirit në të cilin aludon thënia kuranore në fjalë, është haram (i ndaluar), ndaj ai vjen i klasifikuar me atributin “agresion i tepruar” dhe për këtë vjen fare qartë ndëshkimi që perifrazohet me “Allahu nuk i do ata që e teprojnë”, pra nuk e do këtë tepri dhe as vepruesin e saj.

Dispozita në fjalë nuk cenohet kurrsesi nga abrogimi (shfuqizimi), përderisa për atë që e vepron këtë vepër theksohet fakti, se Allahu nuk e do atë, përderisa ky veprim klasifikohet si një agresion i tepruar. Kemi të bëjmë me një Sheriat (Ligj) kompakt, që s’pëson abrogim. S’ka dyshim se mendimi që kjo dispozitë është peng i një periudhe të caktuar, është një mendim i gabuar. Po kështu të gabuara janë edhe mendimet, se kjo dispozitë është anuluar dhe shfuqizuar me një dispozitë të dytë, apo se ajo është e ngurtësuar dhe kufizuar në rrethana dobësie dhe pamundësie.

Kurani fisnik shprehet në lidhje me këtë, në kontekstin e ndërvarësisë tek një periudhë e caktuar historike apo situatë specifike, sikurse në kaptinën kuranore Teube: “Përse të mos e luftoni një popull, që thyen zotimet e veta dhe tentuan ta dëbojnë të Dërguarin? Në të vërtetë ata ua filluan të parët luftën?”13

Faktikisht lufta është pjesë e pandashme e historisë njerëzore dhe asaj të çdo populli. Ende në Botën Islame dhe më gjerë, gjejmë popuj të shtypur dhe të paaftë për tu vetëmbrojtur nga kërcënimet e luftërave, që u janë imponuar nga fuqitë agresore dhe kryeneçësia ndërkombëtare.

E pra Islami e njeh ligjin e vetëmbrojtjes në jetë, gjë mbi të cilën Allahu i Lartësuar thotë: “E sikur Allahu të mos i mbronte njerëzit me disa prej disa të tjerëve, atëherë toka do të shkatërrohej, por Allahu është Bamirës i madh ndaj njerëzimit.”14 Gjithsesi Islami nuk thërret tek përdorimi i dhunës gjatë procesit të transformimit dhe reformimit, përveçse kur instrumentet paqësore bëhen të pamundur dhe instrumenti i luftës bëhet favorit. Allahu i Lartësuar thotë në çështjen e konfliktit midis muslimanëve: “Nëse dy grupe besimtarësh tentojnë të luftojnë ndërmjet vete, ju pajtojini ata e në qoftë se ndonjëri prej tyre e sulmon tjetrin, atëherë luftojeni atë grup që mësyn padrejtësisht, derisa ai t’i bindet udhëzimit të Allahut.”15

Kjo gjë gjen performim edhe me jomuslimanët jobesimtarë, pasi mosbesimi nuk është prej shkaqeve që legjitimojnë konfliktin e armatosur apo hyrjen në luftë. Mosbesimi nuk e angazhon luftën dhe është pikërisht kjo gjë ajo, me të cilën shprehen vetë juristët e jurisprudencës islame. Në Shpalljen e Urtë vjen: “E nëse ndokush prej idhujtarëve të kërkon strehim, ti strehoje atë në mënyrë që ai t’i dëgjojë fjalët e Allahut (Kuranin), e pastaj përcille atë në vendin e tij të sigurt…”16 Pra Allahu i Lartësuar na urdhëron t’i ofrojmë strehim idhujtarit, ta ftojmë atë në Islam dhe pastaj ta dërgojmë atë në një vend, ku nuk i kanoset ndonjë rrezik, gjë të cilën Allahu i Lartësuar e arsyeton me fjalën e Tij: “Këtë, ngase ata janë popull që nuk e di (të vërtetën e fesë islame).16

Kësisoj, misioni hyjnor që na është ngarkuar, qenka informimi i çdo personi, të cilit nuk i kanë arritur mësimet islame dhe ftesa e tyre në Islam, me shpresë se ata do të udhëzohen. Atributi “ngase ata janë popull që nuk e di (të vërtetën e fesë islame)”, kthehet tek idhujtarët dhe Allahu i Lartësuar çështjen e strehimit dhe bartjes së tyre në destinacionin e tyre të sigurt, e arsyeton pikërisht me këtë atribut “sepse ata nuk dinë (mbi të vërtetën islame), duke urdhëruar që injoranca e këtyre personave të evitohet, përmes frazës kuranore “që ai t’i dëgjojë fjalët e Allahut (Kuranin).”16 Pra mbajtja (në mbrojtje dhe përkujdesje) e jomyslimanit bëhet për interesa dhe qëllime të caktuara, të cilat janë pikërisht ftesa e tij në Islam dhe udhëzimi i tij në të. Allahu i Lartësuar, i ka dërguar të dërguarit (profetët) e Tij udhëzues dhe nuk i ka dërguar tiranë dhe as kundërvënës.

Jobesimtarët mund të klasifikohen në disa kategori: ai mund të jetë dhimiun (nënshtetas ose person me lejeqëndrim të përhershëm në shtetin islam), mund të jetë muahiden (aleat a person që ka marrëveshje ligjore me muslimanët), mund të jetë muste’minen (person që gëzon garancinë ligjore të muslimanëve apo që është me lejeqëndrim të përkohshëm në shtetin islam) dhe mund të jetë i ndonjë klasifikimi tjetër. Si do që të jetë statusi i tij, ai konsiderohet person që duhet thirrur në Islam dhe me të duhet debatuar përmes dialogut të bukur konstruktiv. Ndodh që ky person jomysliman të mos ketë njohuri mbi të vërtetën e Islamit, ndaj ai duhet të mësohet dhe informohet. Por jomyslimani mund të jetë edhe i përvuajtur që duhet ndihmuar, nën urtësinë (profetike) “Për ndihmesën e çdo krijese me mëlçi hidrike, personi merr shpërblim.”19

Kësisoj, kallëpi apo angazhuesi i luftës, nuk është “kufri-mosbesimi” por është agresioni. Nëse buron agresion dhe dhunë nga ana e një grupi besimtar, me të hyhet në konflikt të armatosur, sikurse theksohet në kaptinën kuranore “Huxhurat”. Njëjtë ndodh edhe kur agresioni buron nga jobesimtari. Atëherë edhe me atë hyhet në konflikt të armatosur, por duke iu përmbajtur ajetit kuranor të sures “El-Bekare”: “e mos e teproni (në agresion) se Allahu nuk i do ata që e teprojnë (që e kalojnë kufirin).”12

Islami nuk është një religjion vetëm shpirtëror, por ai ka ardhur edhe me Shpalljen e edhe me potencën, dy realitete të cilat Allahu i Lartësuar i tuboi në Kuranin fisnik në thënien e Tij: “Ne i dërguam të dërguarit Tanë me fakte të qarta dhe Ne zbritëm me ta librin dhe drejtësinë, që njerëzit t’i përmbahen drejtësisë. Ne e kemi zbritur edhe hekurin, në të cilin ka potencë dhe dobi për njerëzit…”21 Vëreni sesi Allahu i Lartësuar në frazën “Ne i dërguam të dërguarit Tanë me fakte të qarta” bën fjalë për argumentet, njohuritë, dituritë, thirrjen dhe debatin e bukur dhe konstruktiv. Kurse më tej në frazën “Ne zbritëm me ta librin dhe drejtësinë që njerëzit t’i përmbahen drejtësisë” bën fjalë pikërisht për aplikimin e Drejtësisë Hyjnore si për të mirin ashtu edhe për të ligun, si për besimtarin ashtu edhe për jobesimtarin, si për armikun ashtu edhe për mikun dhe shokun. Në fund në frazën “Ne e kemi zbritur edhe hekurin, në të cilin ka potencë dhe dobi për njerëzit” bën fjalë për këtë potencial që mundëson imunizimin nga agresorët dhe mbrojtjen e aspektit fetar.

Pretendimi i disa orientalistëve, se Islami është përhapur me tehun e shpatës, është një pretendim fantazmë, që nuk mbështetet në asnjë fakt apo dokumentacion historik.

Ja ku e kemi legjislacionin islam, të gjejë në këto ditë pak zbatim në botën islame në përgjithësi, por këto territore që iu nënshtruan atij, mbetën të kapura pas religjionit të tij, pavarësisht fushatave shfarosëse, antietnike dhe konvertuese të krishtera, gjë mbi të cilën gadishulli ballkanik e sidomos Shqipëria përbëjnë dëshminë më të gjallë, dhe po kështu edhe republikat e Azisë qendrore, Afrikës dhe gjetkë.

Mendimi i këtillë, që bartin në mendjet e tyre madje edhe disa prej muslimanëve, është i gabuar dhe këta muslimanë vetëm sa imitojnë verbërisht orientalistët. Ky dezinformim vjen fatkeqësisht në gojën e njërit prej tyre, i cili thotë:

Thirri Mustafai kohë të gjatë në Mekë,

Dhe thirrja e tij përgjigje nuk mori,

Edhe pse ai në thirrjen e tij,

Veproi me fjalë të urta e brishtësi.

Por kur ai thirri shpatëzhveshur në dorë,

Atij i besuan, iu bindën dhe iu dorëzuan.

Padyshim që kjo s’qëndron. Origjina e përgjigjes që mori ftesa e Profetit (Paqja qoftë mbi të!) ishte pikërisht në Mekë (periudhë në të cilën nuk pati asnjë konflikt të armatosur nga muslimanët dhe as nuk u dha leje për këtë). Të parët tanë muslimanë që na paraprinë, qenë pikërisht atje. Ata ishin shtyllat e ngadhënjimit, kulmet e kombit dhe të fesë, Allahu qoftë i kënaqur me ta.

Ata që duan anulimin apo shfuqizimin e principit të luftës dhe rezistencës së armatosur në Islam, në fakt duan që kombi islam të mbesë pa avlli, pa kështjella dhe fortifikata, por ata kurrë nuk do t’ia arrijnë kësaj.

Muslimanët kanë rënë në plogështi dhe dobësi politike, ekonomike dhe ushtarake, por shpirti i sakrificës dhe flijimit ka mbetur i gjallë tek ta, ka mbetur dinamik në përballim të intrigave dhe kurtheve të agresorëve, okupatorëve dhe pushtuesve lakmitarë. Kush dëshiron që të reflektojë mbi këtë, le të sjellë ndërmend kohët jo të largëta të luftërave çlirimtare të popujve muslimanë kundër kolonialistëve.

XHIHADI–QASJE E PËRGJITHSHME

Xhihadi ofensiv/sulmues dhe xhihadi defensiv/mbrojtës

Shpesh shtrohet pyetja mbi Xhihadin, nëse ai është sulm apo është vetëm mbrojtje?

Për mendimin tim kjo pyetje është intriguese, nuk duhet të parashtrohet, pasi ky kontekst nuk ka ardhur me këtë trajtë në Kuran dhe as në Sunet (Traditën Profetike). Personi që i përgjigjet pyetjes në fjalë ka vetëm dy rrugë, që s’kanë të tretë.

Faktikisht dikush prej të parëve tanë ka thënë, se xhihadi është vetëmbrojtje prej armikut. Kështu është cituar Sufjan eth Theuriu, kështu ka ardhur në jetëshkrimin e Shejbaniut dhe po kështu edhe nga autorë të tjerë.

Legjitimiteti i xhihadit mbrojtës gëzon konsensus, pasi të gjithë dijetarët e fikhut (jursprudencës islame) por edhe më gjerë, të gjithë myslimanët dhe jomyslimanët, ligjet hyjnore dhe ato laike, i japin njeriut të drejtë të vetëmbrohet nga agresori dhe okupatori. Nëse nuk do të ishte kështu, rendi në tokë do të ishte prishur (dhe e keqja do kishte dominuar).

Qëllimi i konfrontimit të armatosur në Islam është i gjerë, është mbrojtja e legjitimitetit dhe projektit islam, mbrojtja e tokës, kombit dhe njeriut, gjë që përfshihet kategorikisht tek e drejta për vetëmbrojtje, madje në kuadrin e mbrojtjes ndodh që të hyjë ndonjëherë edhe sulmi dhe nisja e luftës.

Kombi agresor që e fillon i pari konfliktin e armatosur, meriton të përballohet dhe t’i bëhet rezistencë, me qëllim që ai të mos zhytet më tej në armiqësinë e tij.

Gjithashtu lidhur me kombin që përgatitet për të na luftuar, për të bërë agresion dhe konfrontim kundër nesh myslimanëve; teksa ai është një komb, të cilin nuk e lidh me myslimanët asnjë marrëveshje, pakt, dokument apo konsensus, as bilateral dhe as ndërkombëtar; nuk kërkohet që Islami ta lërë frerin e iniciativës dhe veprimin e parë në dorën e këtij kombi, por domosdoshmëria e vetëmbrojtjes mund të imponojë edhe një sulmim paraprak të këtij kombi kërcënues, duke e konsideruar diçka të tillë si një prej domosdoshmërive mbrojtëse.

Kur Allahu i Lartësuar e legjitimoi konfrontimin e armatosur, Ai i sqaroi edhe shkaqet përkatëse të tij, duke thënë: “Atyre që janë sulmuar, u lejohet (që të vetëmbrohen), sepse atyre u është bërë padrejtësi dhe në të vërtetë Allahu është i Fuqishëm që t’i ndihmojë22, ku gjejmë që leja hyjnore për konfrontim të armatosur të vijë si pasojë e qenies së tyre (myslimanëve), individë që janë sulmuar dhe që u është bërë padrejtësi. Pra ka ardhur koha, që ata të mbajnë qëndrim të balancuar dhe të ngadhënjejnë kundër atyre që u kanë bërë padrejtësi dhe janë treguar agresorë kundër tyre.

Pastaj Allahu i Madhëruar thotë: (leja për të luftuar vjen sepse) ata, (janë persona) që janë dëbuar nga vatrat e tyre padrejtësisht, vetëm sepse thanë: ‘Zoti ynë është Allahu’23, shtesë detajuese kjo, mbi armiqësinë e bërë ndaj tyre (myslimanëve), tokave, shtëpive dhe të drejtave të tyre në adhurim dhe besim.

Sa në fjalë (situata agresive në fjalë dhe leja e dhënë për të luftuar agresorin) nuk është rast i veçantë dhe as situatë përjashtuese historike, por është një çështje  që përsëritet rishtazi, ndaj dhe Allahu i Lartësuar e përfundoi thënien e Tij: “Sikur Allahu të mos u kishte dhënë njerëzve mundësinë për t’u mbrojtur nga njëri-tjetri, atëherë do të shkatërroheshin manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë, në të cilat përmendet shumë emri i Allahut.”24

Vëreni sesi Allahu i Lartësuar në këtë thënie kuranore ka përmendur manastiret, që u takojnë murgjve, kishat që u takojnë të krishterëve, sinagogat që u takojnë hebrenjve dhe xhamitë që u takojnë myslimanëve, në të cilat përmendet shumë emri i Allahut.

Në trajtën e ajeteve (thënieve kuranore) që flasin mbi konfrontimin e armatosur, gjejmë edhe fjalën e Allahut të Lartësuar: “Luftojini ata, derisa të zhduket mosbesimi dhe derisa të mbretërojë besimi vetëm për Allahun! Por, në qoftë se ata heqin dorë nga lufta kundër jush, atëherë s’ka armiqësi, përveçse kundër keqbërësve.”25

Sa në fjalë (perifrazimi: “s’ka armiqësi, përveçse kundër keqbërësve”) nuk bie ndesh me parimin, se qëllimi i luftës është mbrojtja e Islamit, përkundrazi, një gjë e tillë (lufta vetëm kundër keqbërësve) e përforcon këtë kontekst, pasi aludimi (i luftës) këtu (në këtë thënie kuranore por edhe në tërësinë e legjislacionit islam) nuk është imponimi i dikujt që të pranojë Islamin, gjë që dihet mirë nga thënia kuranore: “Nuk ka imponim në fe26, por aludimi i luftës këtu (në këtë thënie kuranore) parashtron luftimin e atyre që na luftojnë dhe kjo luftë bëhet me qëllim që të mbrohemi nga trazira dhe dëmi, që këta agresorë u sjellin shoqërive myslimane.

_____ XHIHADI–QASJE E PËRGJITHSHME

XHIHADI–QASJE E PËRGJITHSHME

Autor: Dr. Selman ibn Fehd el Aude

Shqipëroi: Altin Torba

  1. Shih: islamtoday 1, 2, 3,4 dhe 5.
  2. Nisa: 65.
  3. Transmetuar nga Ibën Ebu Asim (14-Es Suen) dhe Bejhakiu 209-El Medkhel).
  4. El-Furkan: 52.
  5. El-Furkan: 52
  6. Transmetuar nga Ibën Maxheh.
  7. Transmetuar nga Ebu Daudi dhe Nesaiu.
  8. Publikuar nga Muslimi.
  9. Et-Tahrim: 9.
  10. El-Enfal: 46.
  11. Hadithin e transmeton Tirmidhi dhe Ibën Maxheh.
  12. El-Bekare: 190.
  13. Et-Teube: 13.
  14. El-Bekare: 251.
  15. El-Huxhurat: 9.
  16. Et-Teube: 6.
  17. Et-Teube: 6.
  18. Et-Teube: 6.
  19. Transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi.
  20. El-Bekare: 190.
  21. El-Hadid: 25.
  22. El-Haxh: 39.
  23. Haxh: 40.
  24. El-Haxh: 40.
  25. El-Bekare: 193.
  26. El-Bekare: 256.
Shpërndajeni Fjalën e Mirë:
↓
Scroll to Top