JETA E VËRTETË

TAKIMI DUKE DHËNË DORËN PAS NAMAZIT

Numri i fetvasë: 145 TAKIMI DUKE DHËNË DORËN PAS NAMAZIT

Kategoria: ETIKA E SELAMIT DHE DHËNIES SË DORËS

3 162 shfletues/klikues TAKIMI DUKE DHËNË DORËN PAS NAMAZIT


 Pyetje: TAKIMI DUKE DHËNË DORËN PAS NAMAZIT


A është e lejuar që pas namazit në xhami besimtarët të takohen me njëri-tjetrin duke shtrënguar duart (t’i japin dorën njëri-tjetrit)?


 Përgjigjja: TAKIMI DUKE DHËNË DORËN PAS NAMAZIT


Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!

Dhënia e dorës njëri-tjetrit kur takohemi, është veprim i pëlqyeshëm, bazuar në thënien profetike: “Nuk ndodh që dy muslimanë (dy burra ose dy gra) të takohen dhe t’i japin dorën njëri-tjetrit, përveçse ata do të jenë të falur para se të ndahen.1

Ndërsa takimi i xhematit të muslimanëve pas faljes së namazit, duke ia dhënë dorën imamit dhe njëri-tjetrit, është konsideruar nga disa prej dijetarëve muslimanë si veprim i papëlqyeshëm. Në argumentim të papëlqyeshmërisë së dhënies në fjalë të dorës pas namazit, imam IzeDin Ibn AbdiSelam (i medh’hebit shafi’i) thotë: “Dhënia e dorës ligjërohet (sipas ligjit islam) kur ndodh një takim. Kurse sa i përket një personi që ka ndenjur ulur me dikë, (dhënia e dorës) nuk qëndron (nuk ka kuptim).”2

Është fakt se dhënia e dorës vazhdimisht pas namazit, mund t’i bëjë disa të mendojnë se e tillë gjë është prej traditës së pëlqyeshme profetike, pra ta konsiderojnë si adhurim diçka që në fakt nuk i përket adhurimit; teksa realiteti qëndron se as Profeti (Paqja qoftë mbi të!) dhe as sahabët (shokët e Profetit) nuk ia jepnin dorën njëri-tjetrit pas namazit.

Gjithsesi, disa dijetarë të tjerë janë shprehur, se dhënia e dorës pas namazit nuk hyn tek rënia në gjynah dhe nuk përbën problem. Prej tyre janë dhe imam Er-Ramli dhe imam En-Neueui, të cilët thonë se edhe pse realisht dhënia e dorës pas namazit nuk është e bazuar (në sheriat/ligjin islam), ajo nuk përbën problem. Më konkretisht, imam En-Neueui shton: “Kjo pasi në parim dhënia e dorës është sunet (vepër e pëlqyeshme në islam) dhe fakti se këta persona e kanë veçuar këtë sunet në disa situata dhe e kanë neglizhuar në të shumtat (e rasteve), nuk e nxjerrë këtë pjesë të veçuar nga të qënit prej sojit të dhënies së dorës që është transmetuar sheriatikisht.”3

Po kështu Ibn El-Uthejmini për dhënien e dorës në xhami pas namazit thotë: “Për këtë dhënie dore nuk di të ketë bazë në sunet (traditën e pëlqyeshme profetike) dhe as në veprimin e sahabëve (shokëve të Profetit). Por nëse njeriu nuk e bën atë pas namazit në emër të sheriatit (normave juridike islame), por e bën në emër të përforcimit të lidhjeve dhe dashurisë me të tjerët, shpresoj të mos ketë për të problem, sepse njerëzit e kanë bërë tanimë traditë këtë gjë. Kurse, nëse dikush e bën këtë me bindjen se është sunet (vepër e pëlqyeshme në islam), nuk e ka në rregull dhe nuk i lejohet ta bëjë këtë pa e vërtetuar se është vërtet sunet; dhe ajo që unë di është se kjo gjë nuk është sunet.”4

Kurse për dhënien e dorës pas daljes nga xhamia, ka më përparësi mendimi se kjo nuk është si rasti i kujt e jep dorën pas namazit, sepse takimi jashtë xhamisë hyn në tërësinë e thënies së mësipërme profetike mbi pëlqyeshmërinë e dhënies së dorës.

Allahu e di më mirë.

Ju ftojmë ta shpërndani këtë postim, që të përhapet dobia e tij dhe së bashku të marrim shpërblimin e publikuesit të fjalës së mirë.

_____ TAKIMI DUKE DHËNË DORËN PAS NAMAZIT

TAKIMI DUKE DHËNË DORËN PAS NAMAZIT

  1. Ebu Daudi 5212, Albani thotë se hadithi është sahih/i saktë.
  2. Enuaru El-Buruk Fi Enuai El-Furuk v. 4. f. 253 – Li El-Karafi.
  3. El-Mexhmu’u Sherhu El-Muhedheb vol. 4, fq. 634.
  4. Mexhmu’u Fetaua ue Rasail, vol 13, fq. 287.
Shpërndajeni Fjalën e Mirë:
↓
Scroll to Top