MATURIDITË NË BALANCËN E EHLU SUNNETIT

MATURIDITË NË BALANCËN E EHLU SUNETIT

Maturiditë në peshoren e Ehlu Sunnetit


Përkufizimi i Maturidive:

MATURIDITË NË BALANCËN E EHLU SUNETIT

Emërtimi “El Maturidie/Maturiditë” përcaktohet tek Ebu Mensur El-Maturidiu [Maturid quhej vendlindja e tij pranë Semarkand-it që është një qytet i gjendur sot në shtetin e Uzbekistanit], i cili ka ndërruar jetë në vitin 333 Hixhri. Maturiditë janë një grup islam që aplikuan “Ilmu El-Kelamin – të ngjashme me filozofinë” për të konfirmuar realitetet e fesë dhe akides [besimit] islam, duke debatuar përmes fakteve dhe argumenteve logjike dhe “kelamije”, të cilat i përdorën si mjet për demontimin [rrëzimin] e rivalëve të tyre prej Muatezilëve, Kelamijve etj. Maturiditë kanë një sërë ndryshimesh bazike me Ehlus-Sunneh Uel Xhema’ah1 (Ithtarët e Praktikës Profetike të Unifikuar në të); ndërsa sa i përket ndryshimeve midis tyre dhe Esharive janë ekzaminuar rreth 60 të tilla, bazike dhe degëzuese, 13 prej të cilave janë bazike dhe disa prej këtyre të fundit janë thjesht në kontekstin e artikulimit”.

MATURIDITË NË BALANCËN E EHLU SUNETIT

Koncepte bazike islame, në të cilat Maturiditë ndryshojnë me Ehlus-Sunneh Uel Xhema’ah:

a. Burimi i marrjes së informacionit:

Tek Maturditë burimi i marrjes së informacionit është arsyeja [mendja] dhe imamët [liderët] e tyre kanë dalë haptas në dhënien përparësi arsyetimit [mendjes] kundrejt transmetimit [Kuranit dhe Hadithit];

Selefët [ndjekësit e sahabëve dhe dy gjeneratave pas tyre] i kanë dhënë përparësi transmetimit [Kuranit dhe Hadithit] kundrejt arsyes [mendjes] dhe janë të pikëpamjes se burimi i marrjes së informacionit janë: Kurani, Suneti dhe Ixhmaja [konsensusi i sahabëve/shokëve të Profetit (Paqja qoftë mbi të dhe Allahu qoftë i kënaqur me ata!)].

Sa i përket burimit të marrjes së informacionit Maturiditë i kanë ndarë bazat e fesë në dy klasifikime:

Klasifikimi i parë: EL ILAAHIJETU [çfarë ka të bëjë me Veten e Allahut] dhe informacioni në lidhje me këtë merret përmes (EL ĂǨLIJEETU-arsyetimeve logjike). Sipas Maturidive EL ILAAHIJETU janë ato çështje të cilat mendja ka fituar pavarësinë që t’i konfirmojë dhe për të cilat kumtimet [kategorike fetare] i nënshtrohen mendjes; këtu përfshihen kapitujt e Teuhidit [monoteizmit] dhe Atributeve [hyjnore].

Bazuar në këtë logjikë, Maturiditë thonë se obligimi i parë i njeriut të përgjegjshëm është që ta njohë Zotin me mendjen e tij, përpara se profetët t’ia përcjellin Shpalljen hyjnore; përndryshe [sipas Maturidive] njeriu do të ndëshkohet.

Ndërsa Ehlus-Sunneh Uel Xhema’ah (Ithtarët e Praktikës Profetike të Unifikuar në të), bazuar në Kuran dhe në Sunet, thonë se është e vërtetë se mendja [logjika] e obligon njohjen e Zotit dhe e diskrediton njeriun që e braktis këtë, por ndëshkimi i njeriut do të jetë vetëm pasi t’i arrijë Shpallja, sikurse thotë Kurani: “Ne nuk dënojmë asnjë popull, para se të çojmë të dërguar!” [Kuran, surja: Isra, ajeti: 15]. Po kështu – sipas Ehlus-Sunneh Uel Xhema’ah – obligimi i parë me të cilin ngarkohet njeriu i përgjegjshëm janë dy dëshmitë islame “ESH-HEDU EN LAA ILAAHE IL ALLAH [dëshmoj se s’ka të adhuruar të meritueshëm veç Allahut], UE ESH-HEDU ENNE MUȞAM-MEDEN RESULULL-LLAH [dhe dëshmoj se Muhamedi është i dërguari i Allahut]”; pra gjëja e parë në të cilën e ftoi çdo profet popullin e tij është: “O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij!”2.

Maturiditë thonë gjithashtu se përmes mendjes njeriu arrin ta perceptojë të mirën dhe të urryerën; porse ata ndajnë qëndrime pro dhe kundra në lidhje me faktin se: ‘A do t’i ndëshkojë Allahu njerëzit edhe nëse nuk u ka dërguar profetë, falë aftësisë së tyre për të perceptuar të mirën dhe të urryerën?’.

Maturiditë i aprovojnë çështjet e Teuhidit dhe Atributeve që janë:

Së pari: “ǨAŤËĬJ-JUTH-THUBUT / me autenticitet të padiskutueshëm (autentik)” [çështjet që i takojnë transmetimit kategorik (të padiskutueshëm), me të cilin nënkuptohet Shpallja Muteuatir e transmetuar në rrugë transmetimi kategorikisht të konfirmuara (Muteuatir: transmetimi ku një numër i madh transmetuesish – katër apo mëshumë -, të cilët normalisht është e pamundur të bien dakord për të gënjyer, transmetojnë atë çfarë kanë dëshmuar me shqisat e tyre nga të tjerë sikurseata, dhe kjo karakteristikë të jetë e pranishme në çdo hallkë (shtresë) të transmetimit)];

Së dyti: “ǨAŤËĬJ-JUD-DELAALE / me domethënie të padiskutueshme (njëkuptimësi)” [çështjet që i takojnë kuptimit kategorik, me të cilin nënkuptohet Shpallja Muteuatir që ka një kuptim kategorik që nuk bie ndesh me logjikën kategorike].

Ndërsa çështjet që janë “ĎȞAN-NIJ-JUD-DELAALE / me domethënie të diskutueshme (shumëkuptimësi)” [hipotetike / të pasigurta, pra Shpalljet Muteuatir apo jo-Muteuatir qofshin, që nuk bartin një kuptim kategorik, sepse ato bien ndesh me logjikën kategorike], Maturiditë nuk i konsiderojnë të garantuara, prandaj në këtë rast bëjnë TEËUIIL/argumentet e transmetuara nga Shpallja, interpretohen në përputhje me argumentet e logjikës kategorike; ose bëjnë TEFUIIĎ/deklarohet se kuptimin gjuhësor të këtyre atributeve e di vetëm Allahu dhe askush tjetër.

Kjo logjikë e gabuar i bëri Maturiditë të shpikin teorinë e “TEËUIIL-it” dhe “TEFUIIĎ-it” [për të cilat do flitet në vijim], që dihet mirë se nuk kanë qenë koncepte të pranishme as në kohën e Profetit (Paqja qoftë mbi të!), as të sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur me ata!) dhe as të dy gjeneratave pas sahabëve (Allahu i mëshiroftë!).

Për ta ilustruar këtë metodologji të shpikur le të marrin një shembul:

Maturiditë, atributit të “ISTIUA-së/qëndrimit” të Allahut mbi Arsh, i bënë TEËUIIL/e interpretuan me “ISTIJLA/ngadhënjim” të Allahut mbi Arshin; gjë që është tërësisht larg kuptimit real gjuhësor të origjinës së kësaj fjale në arabisht, pasi dihet nga linguistët e afirmuar të arabishtes, se kuptimi gjuhësor i foljes “ISTEUA” është “qëndroi, u lartua, u ngrit, u ngjit”. Maturiditë ranë në këtë interpretim të gabuar si rrjedhojë e faktit se ata bënë “TESHBIIH-përngjarje” të këtij atributi hyjnor me atë të krijesave; dhe ky “TESHBIIH-përngjasim” i bëri Maturiditë që të binin në bidatin [risinë] e “TEĂŤIIL-it/çaktivizimit” të atributeve hyjnore.

Gabimi i kësaj metodologjie të shpikur prej tyre, duket qartë nga fakti se ajo reflekton një akuzim të Profetit (Paqja qoftë mbi të!), sikur ai ka qenë i paditur kundrejt ajeteve të shumta kuranore të atributeve që iu shpallën; ose se Profeti (Paqja qoftë mbi të!) ka fshehur diçka prej Shpalljes së kompletuar që iu zbrit, pasi siç dihet Allahu i Lartësuar ka thënë: “Sot jua përsosa [kompletova] fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj” [Kuran, surja: El Maide, ajeti: 3].

– Një tjetër bidat/shpikje e Maturidive ishte edhe “TEFUIIĎ-i/thënia se kuptimin gjuhësor [krahas atij mënyror] të të gjithë atributeve hyjnore [veç tetëshes së atributeve që ata i kanë konfirmuar, për të cilat do të flitet në vijim], e di vetëm Allahu.

Bazuar në këtë thënie, Maturiditë urdhëruan që atributet hyjnore në fjalë të lexohen sikurse shkronjat e veçuara [Elif Lam Mim etj.] dhe të lexohen duke e injoruar anën kuptimore të tyre, madje ata pretenduan se këto atribute janë të pakuptueshme dhe se kuptimin e tyre e di vetëm Allahu; prej ku angazhohet pretendimi i tyre se Profeti (Paqja qoftë mbi të!) dhe sahabët e tij (Allahu qoftë i kënaqur me ata!) nuk kanë ditur kuptim për këto atribute të Zotit të tyre.

Porse këtë bidat tjetër të Maturidive, e hedh poshtë  fakti se Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ne e zbritëm këtë Kuran në gjuhën arabe, për ta kuptuar ju.”3 Nga këtu del qartë në pah fakti se përmes këtij bidati Maturiditë ranë ndesh me Kuranin, sidomos me tekstet kuranore që apelojnë për meditim; si dhe ranë sërish në akuzimin e Profetit (Paqja qoftë mbi të!) dhe sahabëve [shokëve] të tij dhe dy gjeneratave pas tyre, se të gjithë ata kanë heshtur karshi një realiteti tepër të gabuar në lidhje mënyrën e njohjes së Zotit, që u arrit të bëhet evident vetëm mbi 300 vite më vonë, pas daljes së ideologjisë Maturidie…

– Një tjetër bidat/shpikje e rrezikshme e Maturidive ishte refuzimi i Hadithit të Saktë “EEȞAAD” [transmetimi ku së paku në njërën prej hallkavetë zinxhirit të tij gjenden një ose disa transmetues që nuk e bëjnë hadithin të arrijë gradën e transmetimit kategorik autentik të njohur me emërtimin”muteuetir”], ata nuk e kanë marrë fare në konsideratë sa i përket çështjes së akides [Teuhidit, Atributeve dhe Besimit në përgjithësi], edhe nëse Hadithi EEȞAAD vjen në përputhje me logjikën, porse ata e kanë quajtur Hadithin EEȞAAD “ĎȞAN-NIJ-JUN” [hipotetik], duke thënë se prej tij nuk mund të përfitohet asnjë informacion kategorik. Hadithin EEȞAAD ata e përdorin vetëm jashtë akides, konform rregullave strikte të vendosur nga ana e tyre, prej të cilave është që nëse Hadithi EEȞAAD bie ndesh me logjikën kategorike, ai duhet të interpretohet; por nëse nuk mund të interpretohet, atëherë kalohet tek akuzimi i transmetuesit me shpifje, shkarje ose gabim; ndërsa nëse Hadithi EEȞAAD mbetet i fuqishëm nga ana e transmetimit dhe i qartë nga ana e tekstit, thuhet se me tekstin e tij nuk synohet ana e dukshme e këtij Hadithi EEȞAAD.

Kjo metodologji i bëri ata të vënë në diskutim dhe cenojnë shumë hadithe autentike të ardhura në librat më të sakta të hadithit, madje edhe ato të ardhura në “Sahiheni-Dy Autentikët”, pra në “Autentikun e Bukharit” dhe “Autentikun e Muslimit”; si dhe i bëri të cenojnë gjithashtu një sërë dijetarësh të shquar të Ehlu Sunnetit…

Por nuk ka dyshim se kjo logjikë e tyre [pra mos marrja për bazë e kumtimeve fetare të përçuara nga transmete EEȞAAD] bie ndesh me vetë veprën e Profetit (Paqja qoftë mbi të!), i cili i niste ambasadorët e tij të vetëm [duke qenë ambasadori një person i vetëm që i përçonte kumtimet profetike] tek mbretërit dhe qeverisësit, për t’i ftuar këta të fundit në Islam. Një gjë tjetër që shërben si argument kundër kësaj logjike të shpikur të Maturidive, në lidhje me refuzimin nga ana e tyre të Haidithit EEȞAAD në kumtimet e besimit, është fakti se klasifikimi i haditheve në “Hadith EEȞAAD”, është bërë pas kohës së sahabëve [shokëve të Profetit] dhe tabi’inëve [gjeneratës pas sahabëve].

Ishte pikërisht kjo metodologji e devijuar, e importuar nga hebrenjtë dhe të krishterët, që futi përçarjen midis bashkësisë muslimane.

Klasifikimi i dytë: EL SHERËĬJEETU [çfarë ka të bëjë me profetët dhe botën tjetër] dhe informacioni në lidhje me këtë merret përmes (ES SEMËĬJEETU-kumtimeve fetare). Këtu hyjnë ato çështje tek të cilat mendja nuk mund të arrijë dhe të cilat ajo [mendja] i pohon si logjikisht të mundshme, i konfirmoftë ose i mohoftë, sikurse: profecitë, dënimi i varrit dhe çështjet e akhiretit [amshimit]. Por duhet thënë se disa prej Maturidive profecitë i kanë konsideruar nga soji i arsyetimeve logjike [pra i fusin në klasifikimin pararendës].

Në çështjen e besimit në kumtimet sikurse: realitetet e botës së ndërmjetme [midis vdekjes dhe ringjalljes] dhe ato të botës tjetër, Maturiditë janë në një mendje me Ehlus-Sunneh Uel Xhema’ah, sepse burimi nga ku ata e marrin informacionin në lidhje me këto gjëra, është kumtimi hyjnor, pasi sipas Maturidive këto çështje janë logjikisht të mundshme për të ndodhur dhe informacioni i vetëm mbi to mund të përfitohet nga i sinqerti Muhamedi (Paqja qoftë mbi të!) [pra Suneti] dhe tekstet e Kuranit…

b. Maturiditë u morën me interpretimin e teksteve të Imanit [besimit], specifikisht me ato që kanë të bëjnë me konfirmimin, shtimin dhe pakësimin e Imanit.

Konkretisht, Imani tek Maturiditë konsiston [qëndron] tek të besuarit [me zemër], ndërsa sa i përket thënies [me gojë] të dy dëshmive Maturiditë kanë qëndrim pro dhe kundër nëse e tillë gjë është apo jo prej domosdoshmërive të Imanit. Po në këtë kontekst, ajo që dihet nga Maturiditë është se ata nuk e pranojnë shtimin dhe pakësimin e Imanit dhe e konsiderojnë haram të thuash “unë jam musliman/besimtar in she Allahu [në dashtë Allahu]. Gjithashtu Maturiditë thonë për Islamin [punën e gjymtyrëve dhe gojës] dhe Imanin [punën e zemrës], se këto dy terma janë e njëjta gjë dhe nuk kanë asnjë ndryshim midis tyre.

Ndërsa selefët [Ehlu Sunneh] thonë se besimi kushtëzohet të jetë bindje me zemër e mendje, fjalë me gojë dhe punë me gjymtyrë; se besimi shtohet me vepra të mira e adhurime dhe pakësohet me mëkate; dhe se lejohet të thuhet “unë jam musliman/besimtar in she Allahu [në dashtë Allahu], duke pasur për qëllim mos dëlirjen e vetvetes.

Ehlu Sunneh thonë gjithashtu se Imani dhe Islami kanë një lidhje të ngushtë me njëri-tjetrin; në këtë kontekst El Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Artikulimi “Islam” vjen me dy kuptime: kuptimi i përgjithshëm [i cili bëhet evident kur artikulimi “Islam” vjen i pashoqëruar me artikulimin “Iman”], që nënkupton adhurimin e Allahut të Madhëruar përmes normave sheriatike të vendosura prej Tij, me një nënshtrim të brendshëm dhe të jashtëm, pra me bindje, punë dhe fjalë; dhe kuptimi specifik [i cili bëhet evident kur artikulimi “Islam” vjen i shoqëruar me artikulimin “Iman”], ku me Islam presupozohen punët e dukshme të gjymtyrëve dhe fjalët që thuhen me gojë, ndërsa me “Iman”  presupozohen punët e brendshme sikurse bindjet dhe punët e zemrës”.

c. Koncepti i Teuhidit [monoteizmit] tek Maturiditë është: Konfirmimi se Allahu i Madhëruar është Një në Veten e Tij, nuk ka partner, as pjesë, është Një në atributet e Tij, nuk ka të ngjashëm, është Një në veprimet e Tij, askush nuk është ortak me të në sjelljen në ekzistencë të produkteve [krijesave]; prandaj e shpenzuan mundin e tyre maksimal në konfirmimin e këtij lloji të Teuhidit [monoteizmit] nën konsideratën se Hyjnia [i Adhuruari] sipas konceptimit të tyre është: I Afti për kreativitet. Për këtë përdorën argumentet dhe kriteret logjike e filozofike të shpikura nga Muatezilët dhe Xhehemijet, sikurse argumentin e ndodhisë së substancave / thelbeve dhe simptomave / shfaqjeve…

Këto argumente të Maturidive i i kanë diskredituar [zhvlerësuar] selefët [ndjekësit e sahabëve dhe dy gjeneratave pas tyre], imamllarët [liderët e fesë] sikurse Ibën Tejmije dhe mjeshtrat e filozofisë sikurse Ebu El-Hasen El-Eshariu, Ibën Rushdi El Hafidi/nipi i Ibën Rushdit, të cilët faktuan se metoda ku ka orientuar Kurani është e sakta.

– Maturiditë ranë në kundërshtim me Ehlus-Sunneh Uel Xhema’ah duke qenë se i shkrinë në një Teuhidin Rububie [Monoteizmin e Zotësisë] me Teuhidin Uluhie [Monoteizmin e Hyjnizimit].

Ndërsa tek Ehlu Sunneh, EL ILAAHU/Hyjnia është: hyjnori i adhuruar që e meriton adhurimin i Vetëm i Pashoq; të gjithë profetët nuk u dërguan vetëm se për të raportuar këtë çështje, për të thirrur njerëzimin tek Monoteizmi [Njëshmëria] e Allahut në zotësinë e Tij [në faktin se vetëm Ai është Padroni, Sundimtari dhe Drejtuesi për krijesat e Tij në përputhje me vullnetin e Tij], në hyjnizimin e Tij [në faktin se vetëm Ai është i adhuruari me të drejtë] dhe në Emrat e Atributet e Tij [se vetëm Ai posedon Emrat dhe Atributet absolute hyjnore].

d. Maturiditë kanë diferencuar midis fjalës së Kuranit dhe kuptimit të Kuranit, duke e konsideruar kuptimin e Kuranit të përhershëm dhe fjalën e tij të krijuar. Kjo logjikë i bëri ata të shpiknin  atë që njihet tek Maturiditë si “El-Kelam En-Nefsi – Fjala brenda Vetes Hyjnore”, me të cilën e përshkruajnë Kuranin; duke thënë se fjala e vërtetë e Allahut nuk dëgjohet, por ajo që ne dëgjojmë është të shprehurit e saj, prandaj thanë se librat hyjnore, përfshirë këtu dhe Kuranin, janë të krijuar.

Po në lidhje me Kuranin, Maturiditë, ashtu si grupet e tjera filizofike, janë të pikëpamjes se në Kuran i kemi të dy kuptimet partnere me njëri-tjetrin: kuptimin e vërtetë dhe atë alegorik [fjalë ose shprehje, prapa të cilave fshihet një domethënie tjetër]. Ata u bazuan në kuptimin alegorik për të interpretuar tekstet e atributeve hyjnore të cilat – sipas mendimit të tyre – u mbrojtën nga “TEXHSIIM-i/antropomorfizmi ose dhënia atributeve hyjnore një pamje humane” dhe nga “TESHBIIH-u/përngjasimi me krijesat”. Në fakt ata kësisoj, ranë me të dy këmbët në këto dy probleme, sepse e vepruan atë që vepruan pikërisht duke bërë krahasim midis cilësive të Allahut të Madhëruar që i ka përmendur Mesazhi hyjnor islam, dhe cilësive me të njëjtin artikulim tek krijesat humane…

Ndërsa Ehlu Sunneh thonë se Kurani është fjala konkrete e Allahut edhe si artikulim [fjalë] e edhe si kuptim [përmbajtje], dhe se ajo nuk është e krijuar; kurse në lidhje me të folurin e Allahut të Madhëruar, Ehlu Sunneh thonë se: “Allahu flet nëse do, kur do dhe atë që do. Ai i ka folur Musait dhe do t’u flasë robërve të tij në botën tjetër”.

d. Në lidhje me emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar:

Së pari: Në lidhje me emrat e Allahut thanë se Allahu i Madhëruar nuk emërtohet përveçse ashtu siç e ka emërtuar Veten e Tij, pra me atë që e ka emërtuar Shpallja [Kurani dhe Suneti]. Pra Maturiditë i kanë besuar të gjithë emrat e Allahut të Madhëruar, por problemi i tyre është se kanë futur tek emrat e Allahut disa emra shtesë sikurse: EŠ-ŠAANIŬ [Prodhuesi], El ǨADIIM [i Stërlashti], EDH-DHEETU [Vetvetja]…, duke mos diferencuar midis kapitullit të informacionit që ka ardhur për Allahun e Madhëruar dhe kapitullit të emërtimit të Allahut të Madhëruar.

Së dyti: Në lidhje me atributet [cilësitë] e Allahut të Madhëruar, pasi ata i kanë çaktivizuar thëniet kuranore të ardhura në lidhje me atributet hyjnore, duke mos pohuar vetëm se tetë nga atributet hyjnore, të cilat janë: “EL-ȞAJATU-jeta”, “EL-ĬLMU-dituria”, “EL-IRAADETU-vullneti”, “EL-ǨUDRATU-aftësia”, “ES-SEMËŬ-dëgjimi”, “EL-BAŠAR-vështrimi”, “EL-KELEEMU-të folurit” dhe “ET-TEKUIINU-krijimi”; ndërsa për atributet e tjera [ato të Vetes Hyjnore dhe Veprimeve Hyjnore] të ardhura në Kuran dhe Sunet [atributet e parashtruara], Maturiditë thanë se këto nuk hyjnë në hapësirën e logjikës [nuk i pranon logjika], prandaj i mohuan që të gjitha.

Kurse Ehlu Sunneh i konfirmojnë të gjitha emrat dhe atributet hyjnore që Allahu i Madhëruar i ka konfirmuar për Veten e Tij dhe që i ka konfirmuar për Të, Profeti i Tij (Paqja qoftë mbi të!); në përputhje me kuptimin gjuhësor që ka përmendur për to Shpallja, por pa u zhytur në kuptimin e mënyrës së këtyre atributeve hyjnore.

Thënë ndryshe metodologjia e selefëve dhe ndjekësve të tyre në besimin e emrave dhe cilësive të Allahut të Lartësuar është: “Besimi [konfirmimi] i tyre: (1)“pa TEKJIIF-përshtatje”, (2) “pa TEMTHIIL-ilustrim”, (3) “pa TESHBIIH-përngjarje”, (4) “pa TEȞRIIF-shtrembërim” dhe (5) “pa TEĂŤIIL-çaktivizim’”, nën principin e imam Malikut se: “Kuptimi i gjuhësor i emrave dhe atributeve të Allahut dihet, mënyra e tyre është e paditur, besimi në to është obligim dhe pyetja sesi janë ato, është bidat”; referuar tek thënia e Allahut të Madhëruar: “Asgjë nuk i shëmbëllen Atij [Allahut] dhe Ai është Dëgjuesi absolut, Vështruesi absolut.4

e. Maturiditë janë në një mendje me Ehlus-Sunneh Uel Xhema’ah në lidhje me sahabët dhe me radhitjen e kalifëve të kalifatit islam; se konfliktet që kanë ndodhur midis sahabëve kanë qenë gabime për shkak të përsiatjeve [ixhtihadit] të tyre [njerëzor], ndaj dhe duhet mbajtur gjuha nga cenimi i sahabëve, pasi cenimi i tyre është ose fe lëshim [mosbesim], ose bidat, ose mosbindje; se kalifit i takon të jetë prej Kurejshëve; se lejohet namazi pas muslimanit të mirë por edhe atij të shthurur [që bën mëkate të mëdha] dhe se nuk lejohet luftimi i imamit [liderit] musliman të padrejtë.

f. Gjithashtu Maturiditë janë në një mendje me Ehlus-Sune Uel-Xhema’ah në lidhje me fjalën mbi kaderin, aftësinë dhe mundësinë; se çdo gjë që ngjet në univers ndodh vetëm me vullnetin e Allahut të Madhëruar; se veprimet e robërve, të mirat dhe të këqijat prej tyre, janë prej krijimit të Allahut të Madhëruar; se robërit posedojnë veprime të vullnetshme në lidhje me të cilat shpërblehen e dënohen; se robi është i lirë në veprimet e përgjegjshme dhe nuk është i imponuar t’i bëjë ato.

Porse Maturiditë kanë thënë se nuk lejohet që njeriu të merret në përgjegjësi për atë gjë për të cilën nuk i disponon kapacitetet apo aftësitë përkatëse [natyrale ose të fituara], sikurse për shembull: t’i kërkohet njeriut të fluturoj në qiell, apo mbajë malet etj.; teksa Ehlu Sune uel Xhemea thonë se në këtë rast nuk duhet përdorur “‘as artikulimi lejohet dhe as artikulimi nuk lejohet’ që të ngjasin këto gjëra”, por duhet thënë se këtë e vendos zgjedhja hyjnore, pasi asgjë nuk mund t’i obligohet Zotit të botëve…

MATURIDITË NË BALANCËN E EHLU SUNETIT

Gjykimi mbi pozitën e Maturidive në mesin e Ehlu Sunnetit:

Ehlu Sunneh është një term që gëzon dy përdorime; një të përgjithshëm dhe një të veçantë:

Së pari: Sa i përket termit të përgjithshëm të Ehlu Sunne-tit, me të nënkuptohet e kundërta e Shiave; në këtë kuptim grupet që janë përkatësuar tek Islami sikurse Esharitë dhe Maturiditë, hyjnë tek nocioni [koncepti] Ehlu Sunneh. Bazuar në këtë muslimanët ndahen në Sunit dhe Shia.

Ibën Tejmie (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Sunneh është një artikulim me të cilin synohet ajo që kanë konfirmuar [si të tillë] tre kalifët [Ebu Bekri, Umari dhe Uthmani], ku hyjnë të gjitha grupet përveç Rafidive [Shiave].”5

Së dyti: Sa i përket termit të veçantë Ehlu Sunneh, me të nënkuptohet e kundërta e bidat-bërësve dhe atyre që kanë ardhur me thënie të shpikura [terma bazik fetar që nuk kanë qenë të pranishëm tek sahabët dhe dy gjeneratat pas tyre]; ky hyjnë: Shiat, Khauarixhët, Xhehemia, Muatezilitë, Murxhiat, Esharitë, Maturiditë etj.; që janë grupe që nuk hyjnë në konceptin [tërësinë e pikëpamjeve dhe mendimeve] të Ehlu Sunneh, sa i përket këtij artikulimi specifik.

Ibën Tejmie (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Më këtë [term specifik] synohen ‘Ehlu Sunneh / Ndjekësit e Hadithit dhe të Sunetit’ të Pastër [të saktë dhe të papërzier], duke mos hyrë në të vetëm se kush konfirmon atributet e Allahut të Madhëruar dhe thotë i sigurt që Kurani s’është i krijuar, që Allahu shihet në Amshim [Botën Tjetër], që e konfirmon Kaderin dhe bazat e tjera të njohura tek Ehlu El-Hadithi Ues-Sunneh/Ithtarët e Hadithit dhe Sunetit”.

Katër imamët e medh’hebeve [Ebu Hanifja, Maliku, Shafiu dhe Ahmed Ibën Hanbeli (Allahu i mëshiroftë!)] dhe medhhebet e tyre të pastra, bashkë me ndjekësit e tyre të pastër, kanë besimin e kulluar të selefëve [gjeneratës së sahabëve dhe dy gjeneratave pasuese të tyre]. Nëse do arrije të depërtoje në të gjithë librat e përpiluar prej tyre, pavarësisht vendndodhjes, kohës dhe largësisë midis tyre në viset e ndryshme, do të gjesh se ata kanë një metodologji, një trajtë, ecin pa devijim dhe anim, në të njëjtën rrugë, fjala dhe transmetimi i tyre është një, nuk gjen midis tyre ndryshim dhe diferencim në asgjë [prej çështjeve të besimit] sado e vogël qoftë, tërësia e pikëpamjeve dhe mendimeve të tyre është sikurse të ketë ardhur nga një zemër dhe një gjuhë e vetme; kjo gjë tregon më së qarti mbi faktin se ata janë ndjekës të së vërtetës.

– Sa për gjykimin mbi Maturiditë mund të themi se tanimë bëhet i qartë fakti se Maturiditë i përkasin grupeve që kanë rënë në bidate të qarta (risi në fenë islame), pavarësisht synimit të mirë të tyre.

Gjithsesi ata dhe Esharitë përbëjnë dy grupet më të afërta me Ehlu Sunneh dhe nuk lejohet të akuzohet individi prej tyre se është i pafe [qafir], pasi gjykimi mbi mosbesimin e personit hyn tek gjykimi sheriatik [sipas Ligjit Islam] dhe qafir [jobesimtar] është vetëm ai të cilin e ka shpallur të tillë Allahu i Madhëruar dhe i Dërguari i Tij (Paqja qoftë mbi të!); tekfiri [shpallja e dikujt jobesimtar] nuk është e drejtë e asnjë njeriu, porse është e drejtë e veçantë e Allahut të Madhëruar.

Në lidhje me këtë Ibën Tejmie (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Nuk i takon askujt që të shpall jobesimtar dikë prej muslimanëve, qoftë edhe kur ky i fundit gabon dhe nuk vepron saktë, derisa t’i jepet argumenti dhe t’i sqarohet rruga e drejtë. Nëse islamizimi i një personi është konfirmuar në mënyrë të sigurt, islami i tij nuk eliminohet prej atij përmes dyshimit, për më tepër nuk eliminohet vetëm se pasi t’i jepet argumenti dhe t’i eliminohet dyshimi [pështjellimi]. Muslimani nuk shpallet jobesimtar sapo të gabojë dhe rrëshqas, porse ai shpallet i tillë kur bie në një çështje për të cilën argumenti vërteton se është kufër [mosbesim] i madh, i tillë që nxjerr nga feja islame, dhe nuk [është e saktë që muslimanit të] shpallet i pafe vetëm se pas fiksimit të kushteve [përdorimit të standardeve] të tekfirit dhe pasi të përjashtohen penguesit e tij [mungesa e të cilave e legjitimon tekfirin].

Allahu e di më së miri! MATURIDITË NË BALANCËN E EHLU SUNETIT

Shumica e materialit referohet tek:

“Enciklopedia e Përmbledhur mbi Grupet Bashkëkohore”, me autor: Komiteti Botëror i të Rinjve Islam; teksa një sërë materialesh janë marrë nga uebe autentike islame.

Shqipëroi: Altin Torba MATURIDITË NË BALANCËN E EHLU SUNETIT

MATURIDITË NË BALANCËN E EHLU SUNETIT

  1. Ehlus-Sunneh Uel Xhema’ah: Termi Ehlu Sunneti ose Ehlus-Sunneh Uel Xhema’ah (Ithtarët e Praktikës Profetike të Unifikuar në të), përdorur së pari nga Ibn Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe termi Sunnitët, janë sinonime që kanë të bëjnë me metodologjinë (mënyrën) islame të jetesës dhe përbëjnë antonimin e bidatit (risisë në fenë islame) ku ranë sektet e devijuara që e përkatësuan veten e tyre tek Islami (si: khauarixhët, shi’itët dhe kaderitë) në fundin e epokës së sahabëve / shokëve të Profetit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) dhe të tjera sekte pas kësaj. Termi Ehlu Sunneti ose Ehlus-Sunneh nënkupton ithtarët ose pasuesit parimorë burimorë të Kuranit dhe Traditës / Praktikës Profetike, të cilët iu përmbajtën këtyre parimeve sipas kuptimit të tre gjeneratave të para erudite (shkencore) islame, kurse shtojca (Uel Xhema’ah) shpreh përqafimin e parimit të mbështetjes së komunitetit musliman të unifikuar sipas Sunnetit, inkurajimin e unitetit të këtij komuniteti, si dhe largimin prej përçarjes e rebelimit në dëm të komunitetit musliman të udhëhequr nga një qeverisës legjitim.
  2. Kuran, surja: Araf, ajeti: 59
  3. Kuran, surja: Jusuf, ajeti: 2.
  4. Kuran, surja: Shuuraa, ajeti: 11.
  5. Ibn Tejmije, Minhexhu Es-Sune, v 2, f. 221.
 

Lini Një Koment

Your email address will not be published.

<a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.