JETA E VËRTETË

LUTJE TË ZGJEDHURA PËR TË VDEKURIN

Numri i fetvasë: 380 LUTJE TË ZGJEDHURA PËR TË VDEKURIN

Kategoria: VEPRAT E MIRA DHURUAR TË VDEKURVE

14 904 shfletues/klikues LUTJE TË ZGJEDHURA PËR TË VDEKURIN


 Pyetje: LUTJE TË ZGJEDHURA PËR TË VDEKURIN


Një dashamir i imi ka ndërruar jetë prej disa kohësh dhe dua të bëjë mirë për të pas vdekjes së tij, dua të lutem për të sa më shpesh. Në çfarë trajte mund të kërkoj falje për të dhe cilat janë lutjet që mund të bëj për të, mundësisht desha të më tregoni disa nga lutjet profetike që mund të bëj për këtë rast?


 Përgjigjja: LUTJE TË ZGJEDHURA PËR TË VDEKURIN


Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!Lexoni më tepër

Të gjithë juristët muslimanë janë të një mendimi se është shumë mirë që t’i bëjmë lutje (për mirë) dhe t’i kërkojmë falje Allahut për muslimanin që ka ndërruar jetë.Lexoni më tepër

Lutja për të vdekurin musliman vlen në çdo trajtë të luturi që shpreh mëshirë dhe përbën kërkim faljeje për të; kjo lutje i bën dobi atij me lejen e Allahut në çdo vend që bëhet dhe nuk është kurrsesi kusht që të gjendemi pranë varrit të tij.

Prej lutjeve të transmetuara në këtë kontekst janë edhe lutjet të cilat bëhen kryesisht në faljen e namazit të xhenazes së të vdekurit musliman, të cilat mund të bëhen për të vdekurin musliman në përgjithësi, si vijon2:

Së pari: Lutje profetike për të vdekurin musliman

Lutja e parë:Lexoni më tepër

“O Allah, Filani i biri i Filanit / Filanja e bija e Filanit [thuhet emri i të vdekurit musliman dhe emri i babait të tij] është në marrëveshjen Tënde dhe fillin e Fqinjësisë Tënde [mbroje dhe siguroje nga ndëshkimi dhe mbaje në përkujdesjen Tënde]; mbroje atë nga sprova e varrit [nga marrja në pyetje prej engjëjve (kjo thuhet vetëm në namazin e xhenazes), nga errësira, ngushtimi dhe dënimi i varrit] dhe nga ndëshkimi i Zjarrit. Ti je i denjë për besnikëri dhe për të vërtetën e (falënderimin) [besnikëria dhe e vërteta Jote janë absolute dhe vetëm Ty të takon falënderimi absolut]. O Allah, fale atë dhe mëshiroje; vërtet Ti je Falësi i madh [i falë shumë mëkatet] dhe Mëshiruesi i madh [falë mëshirës Tënde të madhe i pranon adhurimet tona].”4

Lutja e dytë:Lexoni më tepër

“O Allah, fale atë [sillet ndërmend i vdekuri musliman] dhe mëshiroje [fshija të këqijat e tij dhe pranoja adhurimet që ka bërë për Ty], ndjeje [pastë ndjesën / faljen Tënde për mangësitë dhe lëshimet e tij], jepi mirëqenie [jepi mbarëvajtje, duke e shpëtuar nga gjërat e padëshiruara, ndëshkimi dhe belatë e botës ku gjendet], nderoje vendpritjen e tij [prite atë me bujari e nderim o Allah], zgjeroja vendhyrjen e tij [bëja varrin të gjerë dhe komod]5, laje atë me ujë shiu, borë dhe breshër [pastroje atë nga papastërtia e mëkateve dhe shuaja djegësinë e tyre, siç janë uji pastrues dhe bora e breshëri shues e freskues], pastroje prej fajeve siç pastrohet rroba e pastër nga ajo e papastër [pastroje fort], zëvendësoja shtëpinë [e tij që ka pasur në dynjanë e përkohshme] me më të mirë [me vendbanim lumturues në botën tjetër], familjarët me më të mirë dhe bashkëshorten me më të mirë [bëja familjarët dhe gruan e tij banorë të Xhenetit, me cilësitë dhe sjelljet e përsosura të banorëve të tij]6, (fute atë në Xhenet e) mbroje atë nga sprova e varrit [nga marrja në pyetje prej engjëjve (kjo thuhet vetëm në namazin e xhenazes), nga errësira, ngushtimi dhe dënimi i varrit] dhe nga ndëshkimi i Zjarrit.”7

Lutja e tretë:Lexoni më tepër

“O Allah, fale të gjallin tonë dhe të vdekurin tonë [fali të gjithë muslimanët e gjallë dhe të vdekurin tonë e të gjithë të vdekurit muslimanë], të voglin tonë dhe të rriturin tonë [të rinjtë tanë dhe të vjetrit tanë], mashkullin tonë dhe femrën tonë [burra dhe gra], atë prej nesh që është i pranishëm [këtu] dhe atë prej nesh që nuk është i pranishëm! O Allah, kë do ta lësh gjallë prej nesh lëre të jetojë me besim [të plotë islam në zemër, të zhveshur nga idhujtaria dhe hipokrizia] dhe kë do prej nesh që ta vdesësh [t’ia marrësh shpirtin] merrja shpirtin në Islam [të bindur karshi urdhëresave hyjnore islame]! (O Allah mos na e ndalo shpërblimin për të [mos na e privo shpërblimin për lutjen për të dhe për përballimin me durim të humbjes së tij] dhe mos na bëj të humbur pas tij [na bëj të nxjerrim mësim nga vdekja e tij dhe të përgatitemi sa më mirë për takimin Tënd])!”8

Lutja e katërt:Lexoni më tepër

“O Allah, Ti je Zoti i këtij të vdekuri [sillet ndërmend i vdekuri musliman], Ti e krijove atë, Ti e furnizove atë dhe ti e udhëzove atë në Islam, Ti ia more shpirtin dhe Ti je më i dijshëm për të fshehtën e tij [bindjen dhe qëllimin që fshihej në zemrën e tij] dhe për të dukshmen e tij [veprën dhe bindshmërinë që ai shfaqte]. Vijmë të ndërmjetësojmë për të, fale pra atë!”9

Së dyti: Lutje të sahabëve (shokëve të Profetit) për të vdekurin musliman

Lutja e parë:Lexoni më tepër

“O Allah, ai [sillet ndërmend i vdekuri musliman] është faktikisht robi yt, biri i robit tënd, biri i robëreshës tënde, që dëshmonte se nuk ka të adhuruar të meritueshëm përveç Teje dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari Yt. Ti je më i dijshëm për të [për veprën e fshehtë dhe atë të dukshme të këtij të vdekuri]; o Allah, nëse ka bërë mirë shtoja [shpërbleja shumëfish] të mirat e tij dhe nëse ka bërë keq tejkaloja (mos ia merr në llogari) të këqijat e tij. O Allah, mos na e ndalo shpërblimin për të [mos na e privo shpërblimin për lutjen për të dhe për përballimin me durim të humbjes së tij] dhe mos na sprovo pas tij [mos na bëj të humbur pas tij, por na bëj që të nxjerrim mësim nga vdekja e tij dhe të përgatitemi sa më mirë për takimin Tënd].”10

Lutja e dytë:Lexoni më tepër

“O Allah, [ky (sillet ndërmend i vdekuri musliman) është] robi yt të cilin e dorëzuan familjarët, të afërmit dhe farefisi; mëkati [është] i madh, e Ti je Falësi dhe Mëshiruesi [fale atë].”11

Lutja e tretë:Lexoni më tepër

“O Allah, u gdhi robi yt Filani [thotë emrin e të vdekurit musliman], – thotë “u gdhi robi yt” nëse është mëngjes, ndërsa nëse është mbrëmje thotë: “u ngrys robi yt” – duke hequr dorë [u larguar] nga dynjaja dhe ia lënë atë banorëve të saj; ai është shumë nevojtar për Ty dhe Ti nuk ka fare nevojë për të; fale atë dhe tejkaloje [mos ia merr në llogari të këqijat e tij]!”12

Lutja e katërt:Lexoni më tepër

“O Allah,  fali të gjallët dhe të vdekurit tanë, bashkoi zemrat tona [bëj që mes zemrave tona të sundojë harmonia, dashuria dhe mëshira], rregulloje raportet mes nesh [bëj që mes nesh të sundojë vëllazëria dhe dashamirësia], bëji zemrat tona si zemrat e më të zgjedhurve (të mirëve) tanë. O Allah, fale atë [sjell ndërmen të vdekurin], mëshiroje, ktheje atë në një mirësi më të mirë se ajo ku ishte. O Allah, Faljen Tënde [kërkojmë]!”13

Allahu e di më mirë. LUTJE TË ZGJEDHURA PËR TË VDEKURIN

Ju ftojmë ta shpërndani këtë postim, që të përhapet dobia e tij dhe së bashku të marrim shpërblimin e publikuesit të fjalës së mirë.

_____ LUTJE TË ZGJEDHURA PËR TË VDEKURIN

LUTJE TË ZGJEDHURA PËR TË VDEKURIN

Poshtëshënim:

  1. Shih: islamweb.
  2. Shih: islamweb dhe islamweb.
  3. Nëse personi nuk di arabisht dhe do që t’i lexojë ajetet që kemi sjellë të transliteruara (të shkruara me gërma latine), ai obligohet që për leximin e këtij teksti rukjeje të ketë parasysh sa më poshtë:

    ● Shkronja “Ă”, lexohet “a” e fortë që del njëkohësisht nga kraharori dhe gurmazi;

    ● Shkronja “Ŭ”, lexohet “u” e fortë që del njëkohësisht nga kraharori dhe gurmazi;

    ● Shkronja “Ĭ”, lexohet “i” e fortë që del njëkohësisht nga kraharori dhe gurmazi;

    ● Shkronja “Ȟ”, lexohet “h” e fortë që del njëkohësisht nga kraharori dhe gurmazi;

    ● Shkronja “Ď”, lexohet “d” e fortë që del nga tingulli që përftohet nga vendosja e majës së gjuhës në zonën ku bashkohet qiellza me pjesën e brendshme të dhëmbëve të nofullës së sipërme, tingull ky që del shoqëruar me fryrjen e dy faqeve;

    ● Shkronja “Ť”, lexohet “t” e fortë që del nga tingulli që përftohet nga vendosja e majës së gjuhës në zonën ku bashkohet qiellza me pjesën e brendshme të dhëmbëve të nofullës së sipërme, tingull ky që del shoqëruar me një fryrje të lehtë të dy mollëzave të faqes;

    ● Shkronja “ĎȞ”, lexohet “dh” e fortë që del nga tingulli që përftohet nga vendosja e majës së gjuhës në zonën ku bashkohet qiellza me pjesën e brendshme të dhëmbëve të nofullës së sipërme, tingull ky që del shoqëruar me një fryrje të lehtë të dy mollëzave të faqes;

    ● Shkronja “Š”, lexohet “s” e fortë që del shoqëruar me fryrjen e dy mollëzave të faqes;

    ● Shkronja “Ǩ”, lexohet “k” e fortë që del nga zona e gjysmës së poshtme të brendisë së gojës;

    ● Shkronja “KH”, lexohet afërsisht si tingulli që del gjatë gargarës, nga zona e gjysmës së poshtme të brendisë së gojës;

    ● Përsëritja e shkronjës, shpreh faktin se ajo duhet zgjatur pa ndërprerje; për shembull: “AA” duhet zgjatur duke mos u lexuar ndarazi “A”, “A”; por duke u lexuar një “A” e vetme e zgjatur rreth 2 sekonda… kjo vlen për të gjitha rastet kur shkronja vjen e përsëritur… e njëjta gjë duhet marrë në konsideratë edhe për të gjitha rastet kur shkronjat e njëjta vijnë të ndara me vijë mesi me njëra-tjetrën; për shembull: “LL-LL”.

  4. Në transmetim vjen se Profeti Muhamed (Paqja qoftë mbi të është lutur me këtë lutje kur ka falur namazin e një muslimani të vdekur. Transmetimi vjen në: Mishkatu El-Masabih 1619 (Albani ka thënë se transmetimi është xhejid / i besueshëm); ngjashëm me këtë vjen transmetimi i Ebu Daudit 3202 (Albani – në Sahihu Ebu Daud 3202 – ka thënë se transmetimi është sahih / i vërtetë), Ibn Maxhe 1499 dhe Zadu El-Mead v. 1, f. 487 (Shuajb Arnauti thotë se ky transmetim është hasen / i besueshëm); shtesa “(Ti je i denjë) për falënderimin” ka ardhur në të tjera rrugë transmetimi po tek Ebu Daud 3202 / shih: sunnah; pjesa mes kllapave katrore përbën interpretimin e bërë për lutjen profetike në fjalë dhe ajo mes kllapave rrumbullake përbën shtesën e lutjes profetike të ardhur në të tjera transmetime (siç është bërë edhe sqarimi përkatës këtu në fundshënim).
  5. Shih: islamweb.
  6. Shih: islamweb.
  7. Në transmetim vjen se Profeti Muhamed (Paqja qoftë mbi të!) është lutur me këtë lutje kur ka falur namazin e një muslimani të vdekur dhe transmetuesi (Auf Ibn Maliku) thotë: “Dëshirova të kisha qenë unë i vdekuri, prej lutjes që i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) bëri për këtë të vdekur.” Transmetimi vjen tek Muslimi 963 dhe vjen me tekst shumë të përafërt tek En-Nesai 72, 1982 dhe tek Ibn Hibani 3075 (Albani thotë se transmetimi është sahih / i vërtetë dhe Arnauti thotë se transmetimi është i fuqishëm, sipas kritereve të (autentikut të) Muslimit); shtesa “dhe fute atë në Xhenet ” ka ardhur në të tjera rrugë transmetimi po tek Muslimi 963 / shih: sunnah; pjesa mes kllapave katrore përbën interpretimin e bërë për lutjen profetike në fjalë dhe ajo mes kllapave rrumbullake përbën shtesën e lutjes profetike të ardhur në të tjera transmetime (siç është bërë edhe sqarimi përkatës këtu në fundshënim).
  8. Në transmetim vjen se Profeti Muhamed (Paqja qoftë mbi të!) është lutur me këtë lutje kur ka falur namazin e një muslimani të vdekur. Transmetimi vjen tek Ebu Daud 3201 (Albani – në Sahihu Ebu Daud 3201 – thotë se transmetimi është sahih / i vërtetë), Et-Tirmidhi pas hadithit 1024, En-Nesai në Es-Sunen El-Kubra 10920), Ibn Maxhe 1498 dhe Ahmedi 8809; shtesa “ O Allah mos na e ndalo shpërblimin për të dhe mos na bëj të humbur pas tij” ka ardhur në të tjera rrugë transmetimi po tek Ebu Daudi 3201 (shih tek shpjegimi i linkut në vijim) dhe po kështu në disa transmetime të tjera ka ardhur lutja për të vdekurin që të jetojë me besim dhe të vdes në Islam, si vijon: “…kë do ta lësh gjallë prej nesh lëre të jetojë në Islam dhe kë do ta vdesësh prej nesh merrja shpirtin me besim”, prej ku nënkuptohet që të lutemi që sa të jemi gjallë dhe deri kur të na dalë shpirti, të jemi me besim të plotë islam dhe t’i kryejmë me bindje urdhëresat hyjnore islame / shih: sonnah; pjesa mes kllapave katrore përbën interpretimin e bërë për lutjen profetike në fjalë dhe ajo mes kllapave rrumbullake përbën shtesën e lutjes profetike të ardhur në të tjera transmetime (siç është bërë edhe sqarimi përkatës këtu në fundshënim).
  9. Në transmetim vjen se Profeti Muhamed (Paqja qoftë mbi të!) është lutur me këtë lutje kur ka falur namazin e një muslimani të vdekur. Transmetimi vjen tek Ahmedi 8526 (teksti i takon atij), Ebu Daudi 3200 (Albani dhe Shuajb Arnauti – në Sahihu Ebu Daud 3201 shprehen se transmetimi është daif / jo i besueshëm), En-Nesai në Es-Sunen El-Kubra 10917; Ibn Haxher El-Askalani në El-Futuhat Er-Rabbanijeh v. 4, f. 176, Ibn El-Mulakkin në Tuhfetu El-Muhtexh v. 1, f. 597 etj. janë shprehur se transmetimi është hasen / i besueshëm; gjithsesi dijetarët muslimanë janë shprehur se nuk ka pengesë që kjo lutje të bëhet për të vdekurin, sepse (së pari) kjo lutje hyn tek konteksti i përgjithshëm i lutjes që bëhet për të vdekurin musliman dhe (së dyti) nuk përmban në të rënie në ndonjë vërejtje ligjore islame / shih: sonnah dhe ahlalhdeeth; pjesa mes kllapave katrore përbën interpretimin e bërë për lutjen profetike në fjalë (shih: islamic-content).
  10. Në transmetim vjen se Ebu Hurejrah është pyetur se, si e fal namazin e xhenazes; dhe ai është përgjigjur: “Unë betohem për Allahun po të tregoj; e ndjek atë nga familjarët (shtëpia) e tij dhe kur të vendoset (në tokë për t’u falur) marr tekbirin (fillestar), e falënderoj Allahun, dërgoj salavat mbi Profetin e Tij dhe pastaj them … (dhe përmendi lutjen e mësipërme)”. Transmetimi vjen tek imam Maliku 775, AbduRazaku 6425 dhe Muhamed Ibn El-Hasen 311, me një zinxhir transmetimi që qëndron tek Ebu Hurejrah (pra që përbën një thënie të Ebu Hurejrës, të cilën ai nuk e përcakton tek Profeti (Paqja qoftë mbi të!)); Ibn Ebi Shejbeh 11377 dhe Et-Tabarani 1182 e kanë transmetuar me tekst të ngjashëm; (Ibn Hibani 3073 dhe  Albani (në Ahkemu El-Xhenaiz 159) shprehen se transmetimi është sahih / i vërtetë) / shih: sonnah; pjesa mes kllapave katrore përbën interpretimin e bërë për lutjen profetike në fjalë.
  11. Në transmetim vjen se Ebu Bekri e bënte këtë lutje kur falte namazin e xhenazes. Transmetimi vjen tek Ibn Ebi Shejbeh 11357 dhe 29780 (duke mos u përmendur gjë në lidhje me gradën e besueshmërisë së këtij transmetimi; gjithsesi nuk ka pengesë që kjo lutje të bëhet për të vdekurin, sepse kjo lutje hyn tek konteksti i përgjithshëm i lutjes që bëhet për të vdekurin musliman dhe nuk përmban në të rënie në ndonjë vërejtje ligjore islame); al-eman 30399.
  12. Në transmetim vjen se Umeri e bënte këtë lutje kur falte namazin e xhenazes. Transmetimi vjen tek AbduRazaku 6421, Ibn Ebi Shejbeh 11358 dhe 29781, Et-Tabaraniu në Ed-Duaau 1193, Ibn Mundhiri në El-Eusat v. 5. f. 441 (duke mos u përmendur gjë në lidhje me gradën e besueshmërisë së këtij transmetimi; gjithsesi nuk ka pengesë që kjo lutje të bëhet për të vdekurin, sepse kjo lutje hyn tek konteksti i përgjithshëm i lutjes që bëhet për të vdekurin musliman dhe nuk përmban në të rënie në ndonjë vërejtje ligjore islame); al-eman 3173.
  13. Në transmetim vjen se Aliu e bënte këtë lutje kur falte namazin e xhenazes. Transmetimi vjen tek AbduRazaku 6422, Ibn Ebi Shejbeh 11359 dhe 29782, Et-Tabaraniu në Ed-Duaau 1198, Ibn Mundhiri në El-Eusat v. 5. f. 442 dhe Ibn Maasi në El-Fauaaid 19 (duke mos u përmendur gjë në lidhje me gradën e besueshmërisë së këtij transmetimi; gjithsesi nuk ka pengesë që kjo lutje të bëhet për të vdekurin, sepse kjo lutje hyn tek konteksti i përgjithshëm i lutjes që bëhet për të vdekurin musliman dhe nuk përmban në të rënie në ndonjë vërejtje ligjore islame); al-eman 30401.
Shpërndajeni Fjalën e Mirë:
↓
Scroll to Top